Ziza kishte bashkëpunëtorë në vrasje?

PESHKOPI - Vrasja makabre e Bekim Çengës vazhdon të jetë e mbuluar me mister, ndërsa bashkëpunëtorë të drejtësisë konfirmojnë emrin I. Sh., si njërin prej të dyshuarve në rrëmbimin dhe masakrimin e djalit të familjes Çenga. Ndërsa familjarët e të akuzuarit për vrasjen, Shpëtim Zizës dhe ata të viktimës, Bekim Çengës, lëshojnë gjithashtu deklarata se në krim ka pasur persona të tjerë të përfshirë, as policia, as prokuroria e as gjykata e Dibrës nuk pranojnë të prononcohen në lidhje me këtë çështje. I kontaktuar me telefon nga gazeta “Korrieri”, drejtuesi i seancës gjyqësore në ngarkim të Shpëtim Zizës, Halil Vani, nuk pranoi të sqarojë asgjë rreth pohimeve të dëshmitarëve, familjarëve, organit të akuzës apo policisë lokale. Ai u justifikua se ndodhej në spital dhe se nuk kishte mundësi të sqaronte publikun rreth ngjarjes tragjike që i mori jetën njomëzakut Çenga. Dy javët e fundit, seancat gjyqësore në ngarkim të Zizës kanë dështuar, sepse trupi gjyqësor ka këmbëngulur në gjetjen e të tjera provave që faktojnë fajësinë e 20-vjeçarit. “Shtyrja e seancave gjyqësore është bërë, sepse prej ditës së vrasjes së Bekim Çengës është thënë publikisht nga persona të ndryshëm në Peshkopi, se në vrasjen e 10-vjeçarit ka pasur bashkëpunëtorë”, thonë burime të rezervuara pranë gjykatës së këtij rrethit. Si familja Ziza, ashtu edhe prindërit e Bekimit, Ylli e Etleva Çenga, deklaruan vetëm pak minuta pas gjetjes së trupit të masakruar të djalit të vogël, se këtë ngjarje nuk e kishte kryer një i sëmurë mendor, siç thuhej nga policia për Shpëtim Zizën, por se dëshmitarë të shumtë kishin parë një makinë dhe njerëz që nuk i njihnin në momentin e rrëmbimit të Bekim Çengës. Sipas dëshmitarëve që mbahen sekretë nga policia, personi në fjalë është larguar në kohë rekord nga qyteti i Peshkopisë. Ndërkaq, i akuzuari Ziza ka deklaruar herë pas here se nuk ishte ai autori i vrasjes së Bekim Çengës, por këtë e kishte pranuar pas dhunës së ushtruar nga policia e Dibrës. Dje në mesditë, nën masa të forta sigurie është paraqitur para togave të zeza edhe nëna e Shpëtim Zizës, por se çfarë ka thënë ajo rreth ngjarjes dhe a ka përmendur bashkëpunëtorë në krim, kjo nuk dihet. Ngjarja makabre ndodhi më 27 tetor të vitit 2007.