Elton Deliu me 100 mijë euro në bankë
Policia zbulon gëzhojën në qafën e viktimës
TIRANË- Ende mister autorët e vrasjes së Elton Deliut dhe nënës së tij dhjetë ditë më parë në kryeqytet. Megjithëse policia e Tiranës prej 10 ditëve, kohë kur ndodhi ekzekutimi i 32-vjeçarit dhe nënës së tij Flutura Deliu, ka qenë e angazhuar për zbardhjen e ngjarjes, ende nuk ka mundur të sigurojë emrat e dyshuarve si autorë. Burime nga policia thanë se janë shoqëruar shumë persona por për asnjërin prej tyre nuk kishte prova që ta implikonte në vrasjen e dyfishtë që ndodhi në banesën e familjes Deliu në katin e gjashtë të një pallati shumëkatesh në Tiranë. Sipas policisë, provat e siguruara në vendin e ngjarjes janë të pakta, ndërsa nuk ka dëshmitarë të cilët të kenë parë fytyrat e vrasësve. “Policia ka gjetur një gëzhojë e cila kishte mbetur në qafën e nënës së Elton Deliut, dhe asnjë provë tjetër. Gjithçka u zhduk nga autorët të cilët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të vrarë e hequr provat nga vendi i ngjarjes gjë e cila ka lënë mister identitetin e tyre” thanë për “Shekullin” burime nga policia e kryeqytetit. Policia ka hedhur dyshime mbi mekanizmin e vrasjes duke deklaruar se më parë mund të jetë ekzekutuar nëna e 32-vjeçarit dhe më pas ky i fundit, ndërsa e kundërta u bë e ditur fill pas ngjarjes. Mungesa e dëshmitarëve ka bërë që edhe mekanizmi i ngjarjes të bazohet mbi dyshime për oficerët e policisë kriminale. Ndërkohë që dihet që Flutura Deliu është gjetur e vrarë në krevatin e saj ndërsa, i riu pranë derës kryesore të banesës. “Policia po punon intensivisht për zbardhjen e shkaqeve dhe vrasjes së dyfishtë, dhe së shpejti autorët e saj do të përfundojnë në qeli”,- thanë më tej burimet policore për gazetën.
Viktima e atentatit mafioz kishte tre makina të blinduara, katër bodigardë dhe një llogari të majme bankare
TIRANË- Viktima e atentatit mafioz të dhjetë ditëve më parë, Elton Deliu ka pasur një llogari bankare të fryrë me më shumë se 100 mijë euro. Përveç llogarisë bankare, prokurorët kanë gjetur edhe tre makina të blinduara, të gjitha në pronësi të 32- vjeçarit Elton Deliu. Dhjetë ditë pas ngjarjes, prokuroria ka deleguar dosjen në polici por ka kërkuar nga bankat që të sekuestrojnë llogaritë bankare që ndodhen në emër të tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës në kryeqytet, të cilët nënvizuan se policisë i janë lënë edhe disa “detyra” për t’i kryer në lidhje me vrasjen e dyfishtë të pasdites së 27 dhjetorit të vitit që lamë pas.
“Nga verifikimi i provave materiale të administruara në dosje nga policia e shtetit dhe nga leximi i dëshmive të personave të pyetur në vendngjarje, pjesëtarëve të familjes së viktimave dhe 4 shoqëruesve (badigardëve) privatë të 32- vjeçarit Elton Deliu nuk është arriturnë një përfundim apo një pistë të caktuar hetimore, përveç rrëzimit të pistës së problemeve të tij për shkaqe pronësie. Pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se Elton Deliu ishte pronar i një sipërfaqeje jo të vogël trualli në komunën e Kasharit konkretisht në fshatin Yrshek të kryeqytetit dhe nuk kishte konflikte për këto prona. Kështu, organi i akuzës, duke parë mungesën e provave të arsyeshme për të ngritur dyshime konkrete ka vendosur që dosjen hetimore ta rikthejë në polici për hetime të mëtejshme në lidhje me autorësinë e kësaj vrasjeje e kryer në mënyrë profesionale”,- thanë për “Shekullin” burimet pranë Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, janë kryer një sërë verifikimesh të tjera nëpër filialet e bankave në Shqipëri, ku ka rezultuar se në llogaritë bankare që figurojnë nën emrin e tij kishte më shumë se 100 mijë euro dhe një sipërfaqe të madhe toke në fshatrat e komunës së Kasharit. Kjo e fundit, sipas akuzës, është verifikuar në Zyrat Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat me urdhër të prokurorisë i kanë bllokuar përkohësisht këto prona. Gjithashtu, burimet pranë akuzës konfirmuan se viktimës Elton Deliu i janë bllokuar përkohësisht edhe tre makinat e tij të blinduara, me të cilat nën shoqërimin e badigardëve lëvizte nëpër Tiranë dhe vende të ndryshme të Shqipërisë. Këto makina luksoze, mendohet se janë blerë nga 32- vjeçari Deliu pasi kishte ndjerë rrezikun e ndonjë vrasjeje të mundshme pas dy atentateve të dështuara ndaj tij, atë të viti 1998 dhe 2005. Këto burime saktësuan gjithashtu, se me pyetjen e 4 badigardëve është mësuar se Deliu nuk lëvizte vetëm nëpër Tiranë apo rrethe, ndërsa që nga hyrja e pallatit ai nuk shoqërohej asnjëherë nga badigardët pasi kishte instaluar me shpenzimet e tij 6 kamera sigurie, që nga hyrja e pallatit e deri tekdera e tij.
Regjistrime të cilat, sipas akuzës, ditën e ekzekutimit të tij janë vjedhur nga “vrasësit” që mendohet se kanë qenë dy profesionistë. Gjithashtu, konfirmohet se të dy Flutura Deliu dhe djali i saj 32 vjeç Elton Deliu, janë ekzekutuar me nga një plumb mbrapa kokës me një qetësi të plotë dhe me ndihmën e pistoletave me silenciator. Sipas akuzës, mësohet se ka qenë e fejuara e Deliut, ajo që ka gjetur trupat e pajetë në banesën e tyre në rrugën “Perlat Rexhepi”, në kryeqytet. “E fejuara e Deliut duke ditur se i dashuri i saj ishte kthyer në banesë i kishte rënë disa herë telefonit (kjo vërtetohet edhe nga këqyrja e aparatit celular) dhe pas shumë zileve pa përgjigje, e fejuara kishte parandjerë ndonjë ngjarje jo të mirë dhe nga parukeria ku ndodhej kishte ikur me vrap në banesë ku sapo ka hapur derën ka parë trupat e pajetë të të fejuarit të saj dhe vjehrrës Flutura Deliu”,-thanë burimet nga akuza, që theksuan se e fejuara Deliut ka rrezikuar edhe humbjen e fëmijës (pasi është shtatzënë) nga pamja e tmerrshme që ka parë në banesën e të fejuarit. Sipas hetuesve, e vetmja pistë e dyshimtë dhe më me shumë fakte është vazhdimësia e atentateve ndaj tij për trafiqet e ndryshme të kryera nga 32- vjeçari Elton Deliu, që ka shtyrë të interesuarit për këtë vrasje të përdorin dhe të kryejnë në mes të kryeqytetit një vrasje tipike mafioze. Ka qenë data 27 dhjetor 2008 kur policia është njoftuar për një vrasje të dyfishtë në një banesë në rrugën “Perlat Rexhepi” në Tiranë, ku ishin ekzekutuar me plumba pas koke shtetasit Flutura Deliu dhe djali i saj Elton Deliu.