Urdhri i ILDKP-së: Argita të deklarojë pasurinë
Fëmijët e kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, por edhe fëmijët e zyrtarëve të tjerë janë të detyruar të deklarojnë pasurinë
TIRANË- Të gjithë fëmijët në moshë madhore të zyrtarëve të lartë, që janë objekt i verifikimit të pasurisë nga ILDKP-ja do të jenë të detyruar të tregojnë edhe ata “xhepat” e tyre. Ky është thelbi i urdhrit të ri që ka nxjerrë ditët e fundit Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit, i cili është bërë publik dje nga vetë ky institucion. Në këtë mënyrë, formulari i ri që do të plotësojnë të gjithë ata individë që janë subjekt i kontrollit nga ky inspektoriat, do të përmbajë edhe një shtesë të posaçme, ku fëmijët në moshë madhore, nëse kanë pasuri të regjistruara më vete, do të detyrohen të deklarojnë origjinën e tyre. Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë, jashtë certifikatës familjare të subjekteve të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe ligjit tjetër “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili nuk është aplikuar deri më tani. Në këtë mënyrë, fëmijët e kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, por edhe fëmijët e një sërë zyrtarësh të tjerë të lartë, përfshi ministra apo deputetë, do ta kenë detyrim ligjor deklarimin e pasurisë së tyre dhe nuk do ta bëjnë atë thjesht për çështje morali, siç janë përpjekur ta servirin deri tani një gjë të tillë. Nëpërmjet kësaj mase, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. ILDKP-ja, për vitin 2009, deklaron si prioritet të vetin jo vetëm evidentimin, parandalimin, shmangien e konfliktit të interesave, por edhe vendosjen e sanksioneve përkatëse në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore. Në këtë kuadër, në zbatim të këtyre ligjeve, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet e personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshorti apo bashkëshortja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit apo bashkëshortes), për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme, ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi. Gjithashtu, Inspektorati i Lartë, duke shfrytëzuar informacionin e nevojshëm, në funksion të ushtrimit të hetimit administrativ, do të forcojë më tej mënyrat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave të natyrës absolute, ku parashikohet që zyrtarët e nivelit të lartë dhe personat të lidhur me ta u ndalohet të krijojnë marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë. Sipas ILDKP-së, masat shtrënguese për këtë vit do të shtrihen edhe në rritjen e kapaciteteve për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të natyrës relative, duke parashikuar në këtë mënyrë që zyrtarët e nivelit të mesëm, drejtues, nëpunësit e administratës tatimore e doganore dhe personat e lidhur me ta, të përjashtohen nga mundësia për të lidhur kontrata me institucionin publik ku ushtron funksionin zyrtari.