E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, fëmijët lindin në errësirë

MATERNITETI/ Drejtues të spitalit bëjnë të ditur se po përdorin qirinjtë për shkak të problemeve me energjinë dhe gjeneratorët

LEZHË - Mungesa e energjisë elektrike për orë të tëra në rrethin e Lezhës ka krijuar një gjendje ankthi tek shërbimi spitalor, kjo pasi të gjitha urgjencat dhe ndërhyrjet kirurgjikale janë kryer me anë të gjeneratorit. Sipas drejtorit të spitalit rajonal të Lezhës, Pashk Gjoni, edhe pse energjia nuk ka munguar duke vënë në punë gjeneratorin, në asnjë rast nuk ka pasur siguri duke mbajtur një gjendje tensioni për ta. Gjoni ka ngritur me të madhe problemin e mungesës së energjisë për maternitetin e Lezhës. Ai ka pranuar faktin që gjatë kohës që pati defekt në linjën e tensionit të lartë, materniteti ka qenë në errësirë të plotë dhe nuk ka pasur as ujin e pijshëm, 2 nevojat kryesore që kanë institucionet e shëndetit. Situata është krijuar pasi gjeneratori i blerë nga firma kontraktuese është jashtë standardeve dhe çështja ndodhet në gjykatë, ka vijuar më tej drejtori i spitalit të Lezhës, Pashk Gjoni. Po sipas tij, çështja është tepër alarmante në një kohë kur ashtu si spitali, edhe materniteti pret një fluks më të madh pacientësh se ai i parashikuar. Mungesa e energjisë është ndier më së shumti gjatë natës, ndërsa gjeneratori që duhej të mbulonte probleme të tilla ka qenë jashtë funksionit. Për këtë situatë të krijuar ka folur edhe shefi i repartit obstetrik-gjinekologjik Zef Zefi, i cili nuk ka ngurruar ta quajë një mashtrim të firmës kontraktuese ose një gabim të specialistëve që kanë bërë përcaktimin e karakteristikave ardhjen e një gjeneratori aspak të përshtatshëm për një institucion të tillë siç është materniteti. “Mungesën e energjisë, - ka deklaruar Zefi, - e kemi kaluar me kandilë dhe qirinj, ndërsa për të pasur dritën elektrike në sallat e lindjes dhe ato të vizitave është marrë një gjenerator i vogël, por pa arritur një rezultat në këtë drejtim”. Sipas tij, mungesës së medikamenteve kryesore i shtohet edhe problemi me energjinë elektrike duke rënduar edhe më tepër situatën në maternitetin e Lezhës. Numri prej 1580 lindjesh në vit kërkon një shërbim më cilësor për maternitetin e Lezhës, gjë që ka munguar deri më tani. Të gjitha, dhe larja e biankerive është kryer në ambientet e spitalit, pasi kjo ka qenë zgjidhja e vetme për drejtuesit e maternitetit të Lezhës. Krahas mungesës totale për gati 24 orë, edhe ditën e hënë materniteti është përballur me ndërprerje të energjisë, kjo pasi i gjithë sistemi i furnizimit me energji për Lezhën ka pësuar avari gjatë ditëve me dëborë dhe erë të fortë. Për të zgjidhur një herë e mirë këtë problem, shefi i repartit obstetrik-gjinekologjik, Zef Zefi, ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi problemet janë të shumta dhe mund të ndikojnë në emrin e mirë që ka materniteti i Lezhës. Sipas Zefit, fatmirësisht e gjithë periudha që u shoqërua me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike nuk pati asnjë rast me komplikacione, pasi edhe pasojat do të kishin qenë të rënda. Sipas Zefit, ky është një fat, por që nuk mund të shpresohet që fati t’i ndjekë gjithnjë. Problemet që ka materniteti i Lezhës kanë reflektuar edhe tek pacientët, të cilët janë të detyruar që të marrin të gjitha sendet e nevojshme nga shtëpia e tyre, ndërsa ilaçet janë të detyruar t’i blejnë në farmaci, duke rënduar ndjeshëm në xhepat e tyre. Problemet në mungesën e materialeve të nevojshme, medikamenteve dhe së fundmi energjinë elektrike kanë qenë të vazhdueshme për maternitetin e Lezhës, ndërsa zgjidhja ka vonuar të vijë. Edhe pse mban emërtimin “Spitali Mik i Fëmijëve”, ky maternitet nuk ka asgjë të përbashkët me të, ndërsa shpresat për ndryshimin e situatës nuk ekzistojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›