Elvana Gjata, jo rastësisht fituese
Për herë të parë (ndoshta), mendja e publikut dhe e jurisë ka qenë sinkron. Ende pa u prezantuar fituesja e edicionit të tetë të Festivalit Top Fest, publiku në sallën e Pallatit të Kongreseve ka thirrur emrin Elvanaaaa! E ndërsa kryetari i jurisë, Elton Deda, ka anonçuar Miss Elvana Gjata, brohorimat, duartrokitjet, kanë arritur kulmin, ndërsa vetë Elvana është shfaqur më e emocionuar se kurrë! Ka qenë mëse i merituar dhe i padiskutuar ky çmim për artisten që surprizon publikun me çdo punë të saj. Kënga “Me ty” mjaft e klikuar, e duartrokitur dhe pëlqyer nga audienca, që në momentin që u prezantua, bënte një diferencë të madhe nga këngët e tjera pjesëmarrëse në këtë kompeticion. Gjithashtu, Elvana u vlerësua edhe me çmimin ‘Artistja më e mirë’! “Ishte një ndjesi shumë e bukur. Isha pak e lodhur, emocionet dhe stresi bënë të vetën. Së bashku me Florin kemi punuar gjatë për këtë këngë dhe në njëfarë mënyre, isha e përgatitur që kënga të pëlqehej, por çmimet ishin një surprizë e madhe”, ka komentuar këngëtarja, që ka bërë për vete jo vetëm të rinjtë! Pas marrjes së çmimit, kënga “Me ty” është dëgjuar edhe më shumë nga audienca. Interpretimi pas trofeut është pëlqyer edhe më shumë. Emocionet e këngëtares janë përcjellë drejtpërsëdrejti “Faleminderit shumë, shumë, shumë… Ju duaaaaa! Faleminderit shumë nga zemra! Faleminderit të gjithëve për mbështetjen! Është shumë i rëndësishëm për mua ky çmim. Faleminderit që jeni bashkuar bashkë, në këtë dhimbje që ka përcjellë kjo këngë! Një falenderim shumë i madh është për atë që ka bërë këngën, Floriii! Faleminderit nga zemra!”! Ky mesazh i artistes është dëgjuar po aq sa edhe kënga fituese. Elvana Gjata ka prekur këdo me zërin e saj. Në fund të fundit, siç ka bërë për herë me këngët e saj… në fund të fundit, siç ka bërë me çdo baladë, duke depërtuar në shpirtin e çdo njeriu e duke ngritur nivelin e adrenalinës te çdo kush me këngët e saj ritmike. Nuk ka qenë aspak rastësor fitorja e këtij çmimi prej Elvanës. Ajo nga viti në vit triumfon në skenën shqiptare, me këngë që kthehen në mënyrën më të shpejt të mundshme në të preferuarat e publikut, super të klikuara, dhe mjaft të transmetuara e të kërkuara nga audienca në programet muzikore. Këtë e ka bërë në Festivalin “Kënga Magjike”, me baladat si “Ku jeton dashuria”, “Dhe zemra ndal”, me hitet e një pasnjëshme verore, “Momes”, “Hitech”, “Turn you on”, “Mamani mejen”, “A ke ti zemër”, etj! Binomi Elvana-Flori ka qenë një sukses i padiskutueshëm. Prej 8 vjetësh, bashkëpunimi i tyre ka njohur vetëm rritje, suksese, çmime dhe këtë herë ka triumfuar mes gjithë këngëve konkurruese në Top Fest 8. E të mos mjaftonte kjo, Elvana pak ditë më parë publikoi këngën e saj të më re, “Kudo që jam”, një këngë krejt ndryshe nga ato që ka servirur deri më sot. Krejt origjinale! Unike! Kënga e ndarë në dy pjesë, e sjell Elvanën në dy versione, si në muzikë, ashtu edhe në look. Por është koha që Elvana të mos ndalet. Së shpejti pritet albumi i ri i artistes, që pa asnjë mëdyshje ka zgjuar kuriozitetin e fansave të Elvanës! Ilda Lumani