E Diel, 1 Nëntor 2026

Ridvan Bode zyrtarizon lidhjen me një pedagoge Juridiku

Historia e tyre e dashurisë, nuk është aspak e panjohur në rrethin e të djathtëve. Ata janë shfaqur publikisht shpesh e më shpesh krah njëri-tjetrit, ndërsa janë parë gjithashtu edhe në ambiente të ndryshme të kryeqytetit, në restorante dhe bare, ku kanë rënë në sy dhe kanë tërhequr vëmendjen e kureshtarëve. Por gjithçka që është thënë më parë ka qenë në kuadrin e thashethemeve; “ministri në darkë me një bukuroshe?”, “kush është kaçurrelsja në krah të ministrit?”, etj… Por ja që pëshpëritjet do të marrin fund tani e tutje, pasi ministri i Ekonomisë, Ridvan Bode, dhe pedagogia simpatike e Fakultetit të Drejtësisë kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre. Ajo quhet Jola Xhako dhe është pedagoge e Penales në Fakultetin Juridik. Jola është Asistent Profesore, ndërsa në rrethin e kolegëve në universitet gëzon simpatinë e të gjithëve, si dhe e vlerësojnë mjaft profesionalisht. Nuk është e njohur mediatikisht, por gazeta “Mapo” ka arritur të sigurojë disa imazhe të vajzës së suksesshme në karrierën akademike, që ka rrëmbyer zemrën e ministrit simpatik të kabinetit qeveritar. Nuk dihet nëse ministri vetë ka qerasur kolegët e tij për këtë gëzim të jetës personale, por vetë Jola e ka bërë. Thuhet se ajo u ka çuar llokume studentëve të saj, ndërsa ka marrë urime edhe nga kolegët. Ridvan Bode është i ve, pas martesës së parë me zonjën Eglantina, e cila u nda nga jeta në gusht të vitit 2008, pas një sëmundjeje të rëndë. Pas kësaj kohe, shpesh ministri është përfolur për jetën e tij, por deri më tani asnjë gjë nuk ka qenë zyrtare. Gjithçka është thënë ka mbetur në kuadrin e thashethemeve, ndërsa marrëdhënia me Jolën duket se është e vërteta, për ministrin më të spikatur të kabinetit qeveritar. Ne u urojmë jetë të lumtur krah njëri-tjetrit!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›