E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-BE, marrëdhënie inkurajuese, zgjedhjet përmbushën shumicën e standardeve

U publikua sot raporti vjetor i Komisionit Evropian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vlerësohen zgjedhjet e 28 qershorit, por inkurajohet klima e dialogut politik. Berisha: Vlerësimet e raportit, program pune për ministritë e kabinetit tim


Progres-raporti i Komisionit Evropian iu dorëzua sot kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori i KE-së, Helmut Lohan. Në raport thuhet se zgjedhjet e 28 qershorit kanë arritur shumicën e angazhimeve ndërsa vlerësohet miratimi në kuvend i Rezolutës për aplikim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë përpjekjet në procesin e liberalizimit të vizave, janë vlerësuar në raport, por komisioneri Rehn në një konferencë të posaçme për shtyp, sot në mesditë, theksoi se duhen bërë ende përmirësime. Komisioneri Europian për zgjerimin Olli Rehn tha në një konferencë për shtyp se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në reformat e kërkuara nga blloku dhe se qeveria e re shqiptare ka një mundësi reale për ta sjellë vendin pranë statusit të kandidatit në Bashkimin Europian. “Shqipëria po bën një progres të mirë në reforma, por duhet të shtojë ritmin e punës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në përmirësimin e kapaciteteve administrative. Qeveria e re ka një dritare të vërtetë mundësie për të përshpejtuar reformat dhe ta sjellë vendin më pranë statusit të kandidatit. Përsa i përket kësaj Këshilli europian po reflekton mbi kohën se kur do t’i kërkojë komisionit opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë”. Rehn garantoi se Bashkimi Europian synon të materializojë perspektivën europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit. Strategjia e zgjerimit është një demonstrim i qartë i përkushtimit tonë për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në këto kohë të vështira ekonomike, aplikimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi thekson rolin e fuqishëm të Brukselit në promovimin e paqes sigurisë dhe begatisë në rajon. Përsa i përket Kosovës, Bashkimi Europian vlerëson qëndrueshmërinë në shtetin më të ri, por thekson se Kosova akoma mbetet e brishtë. Në një dokument të veçantë Komisioni Europian propozon të sjellë qytetarët e Kosovës më pranë Bashkimit Europian nëpërmjet një dialogu vizash me perspektivën e një liberalizimi të mëtejshëm të tyre vetëm kur të ndërmerren reformat dhe të përmbushen kushtet e nevojshme.


Mungesa e dialogut politik vërehet si tonaliteti më i ulët në raportin vjetor të Komisionit Evropian. Në progres-raport vlerësohen përmirësimet e shënuara në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, por vendi nuk ka arritur ende kushtet e vendosura nga Bashkimi Evopian. “Raporti ka vlerësimin e tij më objektiv të bazuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet dhe unë e garantova ambasadorin se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrën të serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare për tu përmirësuar më tej për procesi zgjedhor” deklaroi Berisha gjatë konferences se sotme për shtyp. “Do të doja tani që me audiencën të ndaja njërën nga gjërat që del nga raporti e cila është konkluzioni se marrëdhëniet Shqipëri-KE janë marrëdhënie inkurajuese’ deklaroi sot Lohan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›