E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvi Fundo, këshilltari i Bodes, fushatist i Olldashit, për të bërë kunatin kryetar PD-je në Korçë

12-07-2013 / Gazeta 55

Në shkelje të statutit, këshilltari i ministrit të Financave po bën fushatë, duke u premtuar postin e kreut vendor të PD-së, dy njerëzve të tarafit; Sorina Kotit, e përfshirë me rekomandimin e zotit Bode në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në Qarkun Korçë, si dhe Ardian Shkëlqimit. Por premtimi i vërtetë është për Miri Petritin, Drejtor i degës së Aluizni-t, fiks kunati i Elvi Fundos

Në garën për kreun e opozitës, në përgjithësi, strukturat po respektojnë parimin e par-condicio-s, të shpallur prej kryetarit në detyrë të PD-së Sali Berisha, që në mbledhjen e parë të kryesisë, pas dorëheqjes së tij. Por një precedent ia vlen të merret në konsideratë, për shkak të karakterit spikatës të thyerjes së këtij parimi. Elvi Fundo, këshilltari historik i ministrit të Financave Ritvan Bode, për ditë me radhë e theu këtë rregull dhe nisi fushatimin publik, për Sokol Olldashin. Ky fushatim u shoqërua me premtime të pandershme për strukturën e re drejtuese të degës vendore të PD-së, dhe e gjithë panorama zhvillohej pa e konsumuar detyrimin statusor të dorëheqjes. Këshilltari i ministrit Bode po e zhvillonte deri pardje lobimin e tij, duke premtuar se me lidershipin e ri do të kishte të drejtën e emërimit të kreut të ri të degës. Ironia e fatit është se e gjithë Korça ka lexuar aspiratën e zotit Fundo, që në krye të degës të katapultohet kunati i tij Miri Petriti, drejtor aktual i degës vendore të ALUIZNI-t. Por lobimi kërkon një front të gjerë, prandaj kësaj dëshire (të mirëkuptueshme) i është bashkëshoqëruar edhe premtimi i pacipë që u është bërë edhe dy personazheve të tjera të jetës politike të djathtë në Korçë, për të marrë të njëjtin shpërblim. Kështu edhe Sorina Kotit, e përfshirë me rekomandimin e zotit Bode në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në Qarkun Korçë, si dhe Ardian Shkëlqimit, një tjetër të afërmi të të njëjtit taraf politik, u është premtuar posti i kreut të PD-së së Korçës, në rast se kontribuojnë në fushatën aktuale lobuese, në favor të Sokol Olldashit.
Pasi shkelja e parimeve statusore, të cilat ishin publikuar prej liderit historik Sali Berisha, u bë tërkuzë, këshilltari i ministrit njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen, por ende s’është e qartë se kur ekzaktësisht ai e ka dhënë dorëheqjen. Gjithashtu, s’e dimë, a e ka dhënë dorëheqjen edhe nga bordi drejtues i Albpetrol-it, ndërmarrje ku ai ka mbaruar shumë punë, por për transparencën e këtyre punëve, ndoshta do të duhet shumë kohë. Gjithsesi, dorëheqja s’është se do ta shqetësojë shumë këshilltarin e Bodes, pasi ai një vend si azilant politik në Greqi e ka gjithmonë të sigurtë, siç e ka pasur qysh nga 1997-a, paçka se realizimi i disa detyrave e la ende brenda kufijve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›