E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Edvini s’di as ç’program do ketë kabineti i tij

12-07-2013 / Gazeta 55

Edhe pse kanë fituar zgjedhjet Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë pa një program qeverisës të strukturuar dhe të llogaritur në fatura financiare. Edi Rama është në pritje të marrjes së detyrës së kryeministrisë. Shtatori po afron dita-ditës dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama nuk jep garanci publike se do të mbajë premtimet. Dhe premtimet e tij për një sistem shëndetësor falas, pa pagesë, janë hedhur poshtë nga partneri i tij strategjik në koalicionin e majtë. Lëvizja Socialiste për Integrim me eksponentët e saj deklaroi haptazi kundër kësaj nisme. Ish-zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto që është i deleguari LSI-së për të negociuar një program të përbashkët me Partinë Socialiste, ka theksuar se nuk ka një shëndetësi falas dhe se për të duhet të paguajmë taksat si gjithmonë. Edhe  pse “Shëndetësia falas për të gjithë” ka qenë një nga premtimet më të mëdha të socialistëve gjatë fushatës elektorale, në fakt ajo nuk është e realizueshme.
Megjithatë nuk është vetëm premtimi për “shëndetësi falas për të gjithë” që nuk është një projekt prioritar i qeverisë re, por edhe ndryshimi i sistemit fiskal është vënë në pikëpyetje nga Banka Botërore. Sipas Bankës Botërore, ndryshimi i sistemit fiskal  “përbën një rrezik kryesor për çdo qeveri të re, e cila vjen me një axhendë ambicioze, duke mbivlerësuar kapacitetet për të lëvizur në të gjitha drejtimet njëherësh”. Pra, Banka Botërore thekson se sado ambicioze të jetë axhenda e çdo qeverie, nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja të rëndësishme. Po ashtu, Banka Botërore këshillon se, “Është shumë e rëndësishme të hartohet një program i dedikuar dhe i besueshëm për të krijuar gradualisht hapësirën fiskale”. Me fjalë të tjera, Banka Botërore po thotë se qeveria e re nuk mund të ulë taksat.
Kuptohet vetiu, programi i Edi Ramës për të taksuar 5 % të popullsisë duke ulur taksat për 95% të tjerët është një program ambicioz, por nuk ka asnjë lidhje me realitetin faktik shqiptar. Me fjalë të tjera institucionet ndërkombëtare po japin mesazhin se Edi Rama duhet të jetë më i kursyer në deklarata populiste.
Ndërkombëtarë janë të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektive me Shqipërinë dhe ishin shumë të interesuar për klimën e biznesit, për domosdoshmërinë  e një sistemi të qëndrueshëm fiskal. Në fakt, edhe në takimin që patën ambasadorët e BE me dy përfaqësuesit e PS-LSI përgjegjës për programin e përbashkët u theksuar ndërkombëtarët janë të interesuar që Edi Rama atë respektojë ligjit dhe shtetin e së drejtës, pra, duke dekurajuar veprime të nxitura që do të dëmtonin padyshim edhe klimën kundrejt investimeve të huaja. Nuk bëhet fjalë për vendosjen e taksës progresive, por për rrezikun e gjuetisë së qeverisë ndaj investitorëve të huaj.  Ka një shqetësim në rritje të sipërmarrjeve të huaj për deklaratat kërcënuese të kreut të PS, Edi Rama, që ka thënë se do të rishqyrtojë të gjithë koncesionet, lejet dhe licencave e dhëna tetë vitet e fundit, kryesisht edhe nga ministritë e LSI-së në qeverisjen Berisha. Këto deklarata të Edi Ramës kanë alarmuar kancelaritë europiane dhe padyshim ky takim reflekton një shqetësim në rritje të këtyre kancelarive. Nuk ka asnjë arsye tjetër që përfaqësitë e huaja në Tiranë  të takojnë një grup pune për programin qeverisës.
Sidoqoftë ajo që bie në sy në këto ditë është fakti që Edi Rama nuk është i qartë për ditën e tij të parë të punë si kryeministër. Një ditë thotë se do të merret me breshkat, ndërsa ditën tjetër deklaron se do të lexojë të gjithë CV-të për të bërë administratën nga e para. Padyshim, mungesa e programit qeverisës është një sinjal për mediokritetin e tij. Edi Rama pati 8 vjet kohë në opozitë të ndërtonte një plan veprimi, por këto vite i kaloi duke protestuar, me greva urie dhe demonstrate të dhunshme për të marrë pushtetin me dhunë. Edhe kur fati u buzëqeshi përsëri Edi Rama është i papërgatitur të qeverisë një shtet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›