E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-deputeti i PD, presion anëtarësisë për të votuar Sokol Olldashin

12-07-2013 / Gazeta 55

Reagim i themeluesve të PD në Pukë

Një ditë pas prezantimit në Pukë të platformës nga ana e kandidatit për kryetar të PD-së, Sokol Olldashi, themelues të degës Pukë të Partisë Demokratike ngrenë shqetësimin se procesi zgjedhor brenda PD-së po tenton të manipulohet, duke ju kërkuar demokratëve të Pukës të votojnë në favor të Olldashit. Tre nga ish-themeluesit e PD-së, Dedë Qafa, Brahim Myftaraj dhe Gjovalin Prendi akuzojnë ish-deputetin e Pukës nga radhët e PD-së se po u kërkon anëtarëve të PD-së që të votojnë në favor të Olldashit. “Po tentohet nga ish deputeti i Pukës që të manipulohen struktura të caktuara të PD, për të votuar ministrin e tij, Sokol Olldashin çka do të thotë se kjo bie ndesh me frymën dhe vullnetin e lirë të demokratëve. Bie ndesh me sloganin për një “fillim të ri”- thuhet në reagimin e themeluesve të PD në Pukë. “Anëtarësia e PD duhet të votojë sipas dëshirës së saj”, vijojnë më tej ish themeluesit e PD. Themeluesit e PD-së në Pukë e cilësojnë këtë si një akt qe kërkon uzurpimin e Partisë duke e lënë në gjendjen ku është pa i dhënë mundësi hapje dhe riorganizimi. Për themeluesit e PD-së në Pukë sa kohë lideri historik i PD, Sali Berisha dha dorëheqjen anëtarët e oborrit qeveritar nuk kanë të drejtën morale të kandidimit për këtë post pasi janë përgjegjësit direkt të humbjes. Qafa, Myftaraj e Prendi kërkojnë që anëtarët e PD në rrethin e Pukës të mos ndikohen nga presionet e ish-deputetit, i cili sipas tyre në katër vite nuk denjoj të mbledh një herë strukturat e PD duke shmangur në të gjithë aktivitetin politik anëtarët e degës. Po ashtu denoncohet dhe shtimi i anëtarëve të PD me njerëz përmes të cilëve po kërkohet vetëm shtimi i votave dhe jo shtimi i radhëve të anëtarëve të PD. Nëse PD duhet të vazhdoj si forcë e fuqishme tashmë është moment i bashkimit dhe jo i kulisave, presioneve e manipulimeve shprehen ish-themeluesit e degës Pukë të PD të cilës shprehen shqetësimin e tyre për mënyrën se si po zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD, pas dorëheqjes së zotit Berisha.
Ndërkaq, themeluesit e PD në rrethin e Pukës i kërkojnë z.Basha që përkundër situatës së krijuar brenda anëtarëve të mos e shmangë Pukën nga axhenda e takimeve të tij, pasi ka shumë mbështetës dhe do gjejë mikpritje.
Reagimi -Topalli: S’jam e përfshirë në fushatën për kreun e PD – akuzat, mashtrime e trillime të Ramës/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje të saj në fushatë për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Nëpërmjet një deklarate në faqen e saj në Facebook, Topalli akuzon kreun e PS-së, Edi Rama për krijimin e situatave të tilla, duke ftuar demokratët që të hedhin poshtë me përçmimin insinuatat e stisura nga Edi Rama me mediat e tij. “Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në disa media të shkruara, të dirigjuara kryekëput nga Edi Rama, për përfshirjen time në fushatën për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike, dua të sqaroj opinionin publik dhe, veçanërisht demokratet, se ky është një mashtrim dhe trillim. E konsideroj të padenjë, të papranueshme dhe të ulët përdorimin nga kushdo të emrit tim. Ftoj demokratët të hedhin poshtë me përçmim insinuatat e stisura nga Edi Rama me mediat e tij”- u shpreh Topalli. Ajo ftoi demokratët të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për atë që besojnë se do t’i çojë në fitore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›