E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvin Beqiri: “Jam në gjendje të shkëlqyer”

Nga Dash Frashëri
EKSKLUZIVE- Ky është deklarimi i pak minutave më parë nga Ukraina, i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare dhe i Metalurg Donjeck, Elvin Beqirit posacërisht për Albania-sport.com. "Në fazën e parë nuk u aktivizova shumë për shkak të dëmtimit, por tani që jam rikuperuar plotësisht ndihem në formë optimale", shprehet Beqiri. "Jemi përgatitur shumë fort, për më tepër që tashmë prej një muaj e gjysmë drejtohemi nga një trajner i ri, Ko Adriansen që ka drejtuar më parë Porton, dhe në karrierën e tij kanë qenë edhe Ajaks dhe AZ Alkmaar në Holandë. Është një trajner me përvojë të madhe dhe shumë kërkues", shton Elvini, që nga ana tjetër pohon se me trajnerin e ri ka krijuar raporte të shkëlqyera si pune ashtu dhe njerëzore. "Kemi shumë shpresë që të ngjitemi në klasifikim, pasi aktualisht ndodhemi në vendin e 7 të kampionatit ukrainas ku synojmë si zakonisht një vend në Kupën UEFA. Metalurg merr pjesë cdo vit në kupat europiane", pohon Beqiri, që mezi pret rifillimin e kampionatit më 4 mars. Beqiri thotë se ka kontakte të shpeshta me Armend Dallkun dhe Debatik Currin, kundërshtarët e tij te Vorskla Poltave por miqtë e tij të mirë në Kombëtaren kuqezi. "Edhe ata shpresojnë ta mbyllin sezonin në një vend të mirë, pasi renditen në vendet e fundit në kampionat". Elvin Beqiri shprehet edhe për ndeshjen e Kombëtares kundër Sllovenisë, më 24 mars 2007, në qytetin e Shkodrës: "Ende nuk e kam marrë veten nga humbja me Maqedoninë (0-1), por shpresojmë se ndaj Sllovenisë do të marrim një rezultat pozitiv, ku së pari synojmë fitoren, aq më tepër që luajmë në fushën tonë para sportdashësve tanë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›