Xhulian Rrudho, në stol ndaj Milanit

Një tjetër shqiptar pritet të aktivizohet në rradhët e skuadrës së Kievos në ndeshjen e rradhës me Milanin dhe ai është pikërisht talenti 19-vjecar, Xhulian Rrudho. Ndonëse ai ende nuk është përfshirë deri tani në skuadrën e parë të trajnerit Del Neri, mungesat e shumta në rradhët e veronezëve e bëjnë të nevojshme praninë e tij ditën e shtunë. Bogdani, i cili po kalon një formë të shkëlqyer, momentalisht, me tre gola të shënuar në dy javë për fatin e tij të keq dhe skuadrës, nuk do të jetë në ndeshjen me Milanin, për arsye pezullimi me kartona të verdha. Në ndeshjen e fundit, "Er-Bomber" ka marrë kartonin e tretë të verdhë, i cili ka qenë fare i panevojshëm për sulmuesin, për një ndërhyrje ndaj kundërshtarit në mesfushë. Reparti i sulmit do të ketë edhe të tjera mungesa të sulmuesve, si Kosato e Obina të dëmtuar, të cilët nuk do të jenë nën urdhrat e trajnerit Luixhi del Neri ditën e shtunë. Të gatshëm për të në sfidën e rëndësishme, ndaj kuqezinjve të Milanit, do të jenë sulmuesit Kocolino e Pelisier që do të jenë titullar që nga minuta e parë e takimit. Një nevojë e tillë ka sjellë edhe përfshirjen e shqiptarit tjetër të sulmit Rrudho, i cili do të jetë i vetëm në stol i gatshëm për repartin ofensiv. Nëse debuton, atëherë do të shijojë emocionet e një prej kampionateve më të bukura të botës, sic është Seria A dhe një sfidë përballë një skuadre të madhe që është Milani.