Elvin Beqiri, tani çështje në Shkodër
Elvin Beqiri tashmë është shndërruar në një çështje për klubin e tij, Vllazninë. Gjithçka rreth mbrojtësit të kombëtares është bërë më e dukshme menjëherë pas ndeshjes së të shtunës ndaj Dinamos. Deri ditën e mërkurë të javës së shkuar, u mor vesh fakti se Elvin Beqiri nuk do të ishte i gatshëm për javën e fundit të pjesës së parë të sezonit 2008-2009, me argumentin se ishte i dëmtuar. Por shumë fjalë dhe mjaft aludime kanë qarkulluar që nga ajo ditë në kampin shkodran dhe më gjerë për këtë çështje. Aludimet kanë arritur deri aty saqë flitet se nga Beqiri ka pasur mungesë dëshire për t‘u aktivizuar në këtë ndeshje, si një presion ndaj drejtuesve të klubit për të rinovuar kontratën, që i mbaron në janar, me një kosto financiare më të lartë se kjo që po mbyllet, ose në të kundërt mund të largohet, por që destinacioni i tij nuk dihet ende: në kampionatin shqiptar apo më larg. Por, nga ana tjetër, burimet zyrtare të klubit shkodran konfirmojnë faktin se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj problemi tjetër në këtë rast, veç dëmtimit të Beqirit, i cili është një dëmtim i vjetër. Por edhe për tifozerinë shkodrane Elvin Beqiri është kthyer në një çështje, nëse do të qëndrojë te Vllaznia, apo do të largohet në janar. Kjo mbetet për t‘u verifikuar dhe për t‘u vërtetuar në ditët e ardhshme.