E Diel, 1 Nëntor 2026

Canaj ia premton titullin Vllaznisë që në 2008-ën

Humbja 0-1 e së shtunës ndaj Dinamos i ka turbulluar disi ujërat në kampin shkodran, por, megjithatë, është trajneri Agim Cana ai që kërkon të "mbysë" çdo lloj dramaciteti dhe garanton të gjithë se edhe në javën e fundit të sezonit 2008-2009 do të jenë ata kampionët. Sipas tij, duhet parë vetëm përpara, duke shpresuar besimin e tij të plotë se shkodranët do të vazhdojnë të jenë të parët deri në javën e fundit të sezonit. "Duhet të shohim përpara. Gjatë pjesës së parë të sezonit kemi pasur një kontingjent të reduktuar lojtarësh, madje një pjesë e tyre nuk kanë qenë në gjendjen e tyre maksimale dhe ju e patë edhe vetë në ndeshjen me Dinamon, por edhe në javët e kaluara, se kemi pasur shumë dëmtime. Mjaft futbollistë nga java në javë kanë sakrifikuar, duke u vendosur në pozicione të ndryshme, jo në atë natyral. Pavarësisht humbjes me Dinamon, së cilës unë ia di vlerat dhe nuk duhet të harrojmë se është kampionia në fuqi e vendit, kjo nuk na i zbeh aspak vlerat tona. Kemi zhvilluar një pjesë të parë të sezonit të shkëlqyer dhe kjo ka rëndësi për ne, që tani jemi në vend të parë dhe të festojmë vitin e ri kështu. Jemi të parët dhe kam bindjen se këtë pozicion do ta ruajmë deri në javën e fundit të sezonit", ka thënë në fillim numri një i pankinës së Vllaznisë. Por për Canaj skuadra e tij ka nevojë urgjente për përforcime në të gjitha repartet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›