E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili: Shkumbinin e dua në Evropë

Fundi i pjesës së parë të sezonit i detyron të gjithë të bëjnë një bilanc dhe për Shkumbinin ky bilanc është i kënaqshëm. Këtë e konfirmon vetë presidenti i peqinasve, Xhavit Ismali, i cili në një intervistë për "Shqip" ka folur jo vetëm në lidhje me zhvillimet në ekipin e tij, por edhe mbi ata që kanë prekur së fundmi sportin shqiptar në përgjithësi. Ndërkohë që na rrëfen edhe dëshirën e tij të madhe: Shkumbini në Kupat e Evropës.

Cili është qëllimi juaj në këtë sipërmarrje te Shkumbini?

Prej rreth dy vjetësh në krye të Shkumbinit, qëllimi im është të formoj një "ekip". Megjithatë them se deri diku ia kam arritur qëllimit: kam formuar një grup, nuk e di në kam formuar akoma një ekip, sepse të formosh një ekip duhet ende shumë punë. Për këtë jam munduar të ndërtoj infrastrukturën e duhur dhe të punoj me njerëzit e përshtatshëm. Qëllimi im është ta çoj Shkumbinin në kupat e Evropës, të kënaq gjithë publikun e zjarrtë të këtij qyteti dhe më gjerë. Besoj se do ta realizoj këtë.

Një qëndrim tuajin në lidhje me financimet në futbollin shqiptar.

Biznesi im është ndërtimi dhe dua të merrem vetëm me pjesën time. Sigurisht, i bëj thirrje shtetit dhe gjithë dashamirësve të futbollit, që të mbështesin bizneset që sponsorizojnë sportin. Është e pamundur të vazhdohet kështu, pa ndihmën e shtetit.

Qeveria po diskuton ligjin për "Shoqëritë aksionere" në sport...

Jam i interesuar për çdo gjë që është ligjore. Kur ka ligje, gjërat shkojnë mirë, sepse do të kemi një situatë më stabël. Duke qenë biznesmen, mund të them se një gjë funksion kur kthehet në biznes. Nëse futbolli kthehet në shoqëri aksioniere, atëherë zhvillimi do të jetë më i madh. Në të kundërt, këta sponsorë do të harxhojnë ato para që kanë dhe do të largohen.

Cilat janë pikat e dobëta e të forta të skuadrës suaj?

Pika e dobët është mungesa e besimit te vetvetja. Shikoj se lojtarëve u mungon ky besim. E kanë të vështirë të besojnë se një qytet i vogël mund të bëhet i fortë. Sado që jam përpjekur ta injektoj këtë besim, nuk ia kam arritur akoma që t‘i bëj të ndihen të barabartë me ekipet e kryeqytetit, pasi ende kundërshtarin e shikojnë nga fanella. Nuk jam dakord me këtë mendësi. Mendimi im është: kush punon fiton. Ky është parimi im bazë në çdo lloj fushe, i vlefshëm edhe për futbollin. Ndërsa pikë e fortë është shpirti i fortë i garës, që tregojnë kur luajnë në fushën e tyre dhe mbështetja e madhe e një publiku të zjarrtë, më të zjarrtit në të gjithë futbollin shqiptar.

Cili është objektivi i Shkumbinit në këtë sezon?

Pretendimi i Shkumbinit për këtë sezon është të arrijë një vend nderi në klasifikim, për t‘u përfaqësuar në Kupat e Evropës dhe trofeu i Kupës së Shqipërisë.

Mendoni se e keni organikën për ta arritur këtë objektiv?

Na duhen disa përforcime në janar. I kemi evidentuar pikat e dobëta të pjesës së parë të kampionatit. Tani do të riparojmë defektet.

Cilat janë repartet ku ju do të bëni përforcime?

Na duhet një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues.

Puna e trajnerit Magani a i ka përmbushur kriteret tuaja?

Kemi një trajner shumë dashamirës, që ka punuar goxha në ngritjen e tij profesionale. Jam shumë i kënaqur me punën e tij.

Një gjykim për pozicionin aktual në renditje...

Nuk jam i kënaqur, duhet të ishim më lart. Kjo për faj të mungesës së besimit te vetvetja.

Pse thuhet gjithmonë që Peqini është fusha më e vështirë?

Fusha e Peqinit është e vështirë më shumë për shkak të tifozerisë së zjarrtë, e cila është mjaft e mobilizuar në raste ndeshjes. Dhe skuadra e ka një pikë të fortë, ndeshjet brenda. Vitin e kaluar ka pasur disa fenomene jo të hijshme, të cilat ne i kemi dënuar me forcë, të tjerat i ekzagjerojnë kundërshtarët.

A mendoni se kampionati është i pastër?

Si në çdo fushë tjetër, edhe futbolli mund të mos jetë 100% i pastër, por mund të them se në krahasim me vitet e tjera, është më i pastër. Për pastërtinë nuk ka njësi matëse. Ekziston opinioni për një futboll jo të pastër, por është pak i ekzagjeruar. Të gjithë, në bashkëpunim me FSHF-në dhe MTKRS-në, duhet të insistojmë të ngremë mekanizmat kontrolluese dhe ndëshkuese në sport për minimizimin e fenomeneve të këqija.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›