E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvira Diamanti, Ja çfarë gjetëm në arkivat ruse për Shqipërinë

SHKRUAN: Aida Tuci 18-10-2011 14:37

Nga data 8-14 tetor u zhvillua në Moskë “Java e filmit shqiptar”, ku ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, që kishte si mision edhe “gërmimin” në arkivat ruse për Shqipërinë e viteve ‘50-‘60

Shqipëria dhe Rusia dy vende larg gjeografikisht, por që për shqiptarët, kjo e fundit gjithmonë është konsideruar si një vend i afërt për shkak të lidhjes së ngushtë mes dy vendeve në të kaluarën. Por ndërkohë që ne jetojmë akoma në të shkuarën në Moskë në zemër të Rusisë, Shqipëria ka mbetur pas, është thjesht një kujtim nga e kaluara e arkivuar mirë, e bukur në arkivat ruse dhe asgjë më shumë. Këtë ka konstatuar përgjithësisht në “Javën e filmit shqiptar” që u zhvillua në Moskë nga data 8-14 tetor, drejtoresha e Arkivit Shtetëror Qendror të Filmit, Elvira Diamanti. Në një intervistë për MAPO-n menjëherë pas kthimit nga Moska, ajo rrëfen detajet e javës shqiptare në Moskë dhe rreth bashkëpunimit që ka rinisur mes Shqipërisë e Rusisë në fushën kulturore. Një bashkëpunim që do të sjellë në të ardhmen realizimin e një filmi dokumentar mbi Shqipërinë e lashtë dhe turizmin dhe pjesëmarrjen e filmit shqiptar në Festivalin më prestigjioz të filmit me metrazh të shkurtër që zhvillohet në Rusi. Të gjitha këto janë pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes Arkivit Shtetërore Qendror të Filmit dhe Studios Qendrore të Filmit Dokumentar në Moskë.

Si u prit “Java e filmit shqiptar” në Rusi, në kinoklubin “Miqësia e Popujve” në Universitetin e Moskës?

Personalisht mendoj se kishte interes dhe pjesëmarrje, edhe pse ambasadori ynë atje, Sokol Gjoka mendonte se interesi ishte akoma më i madh sesa publiku në sallë. Gjithsesi, për ne rendësi ka që akulli mes dy vendeve u thye. Ditën e parë të “Javës së filmit rus”, kur ne dhamë Skënderbeun në variantin rus, që është një kopje shumë e mirë, kishte shumë publik në sallë. Edhe neve, ky film që e shihnim pas 40 vjetësh na krijoi emocione. Atje është shfaqur disa herë në vitet kur u realizua sepse ky film ka bërë epope në atë kohë, por që prej vitesh nuk ishte dhënë më.

Çfarë publiku ishte prezent? Ishin nostalgjikët apo kishte dhe të rinj që shfaqnin interes për filmin shqiptar?

Kishte publik të kategorive të ndryshme. Për sa i përket nostalgjikëve, mendoj se jemi ne që kemi nostalgji. Gjithsesi, ne shkuam me atë nostalgjinë që kishim dëgjuar nga prindërit tanë për Rusinë, por këtë nostalgji nuk është se e gjetëm të ruajtur tek vetë rusët. Shkëputja ka bërë të veten, por mendoj se është shumë mirë dhe shumë e vlefshme që ne të rilidhim marrëdhëniet tona. Kjo shkëputje kaq shumëvjeçare ndjehej atje, sepse ne nuk ishim më ata vëllezërit e vegjël që dikur na shihnin me dashuri. Kjo nuk ishte më. Por në sallë sigurisht që kishte dhe publik rus. Ishte kryetari i shoqatës shqiptaro-ruso, përfaqësues të institucioneve, studentë rus, të cilët kishin ardhur për hir të shoqërisë që kanë me studentët shqiptarë atje. Si përfundim mund të them se pavarësisht nga puna e madhe që ishte bërë për të reklamuar “Javën e filmit shqiptar” në Rusi, nuk ishte ajo pritshmëri që ne mendonim.

Po për sa i përket arkivave? Një pjesë e misionit tuaj ishte dhe kërkimi në arkivat ruse rreth Shqipërisë?

Na pritën mjaft mirë, edhe pse ata ishin të organizuar ndryshe nga ne. Ajo çfarë ne mund t’u ofronim atyre janë bashkëprodhimet e asaj kohe, që ata realisht i kanë në arkivat e tyre. Por përveç studios qendrore në Moskë, ishte dhe një tjetër studio që kishte të arkivuar punët e studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Moskë në vitet ’50, si Xhanfize Keko e të tjerë kineastë. Ne shfaqëm interes për punët e tyre të diplomës.

Atëherë, konsistuat atje ndonjë material arkivor që na intereson dhe që nuk është në fondin e arkivit?

Kryesisht bëhet fjalë për dokumentarë të viteve të fundit, kur marrëdhëniet tona me Rusinë kanë qenë të ndërprera, që u përkasin viteve ‘85-‘90. Në këta dokumentarë është Shqipëria e parë me syrin e tyre, që besoj se ka interes për ne pasi bëhet fjalë për dokumentarë dhe kronika të Shqipërisë komuniste pas vdekjes së Enver Hoxhës. Këta dokumentarë janë shumë interesantë. Por ajo që është më interesante në këtë vizitë tonën është fakti se ata na shfaqën interes për të realizuar një dokumentar për Shqipërinë. Dhe ky do të jetë hapi i parë i bashkëpunimit konkret, ku sigurisht fondi në pjesën më të madhe do të financohet nga ata, meqë edhe dëshira dhe kërkesa ishin të tyret.

Në çfarë do të konsistojë ky dokumentar?

Lashtësia dhe turizmi në Shqipëri. Për ta kishte shumë interes për ta njohur Shqipërinë ndryshe përmes historisë, por dhe natyrës së bukur qe ne kemi.

Po përse ata shfaqën interes pikërisht për këtë?

E para, sepse për ta ka shumë interes që të bëjnë një dokumentar për një vend si Shqipëria, që njihet pak në këtë këndvështrim. E dyta, kjo edhe në kuadër të bashkëpunimit, dhe e treta lehtësirat që ata do të kenë në Shqipëri nga ana jonë për ta realizuar këtë dokumentar.

Por çfarë materialesh do të blejmë ne nga lista që na ofrojnë ata?

Nuk bëhet fjalë për të blerë. Ne thjesht do të përpiqemi të shkëmbejmë materialet tona me materialet e tyre. Ne u kemi dërguar listën tonë, që kryesisht edhe ata e kishin, sepse pjesa më e madhe janë bashkëpunime. Por siç thashë, ne kemi interes për punën e diplomave të studentëve tanë atje dhe e dyta, janë dokumentarët e 5 viteve të fundit para rënies së komunizmit. Ata pranuan që të na i jepnin. Por ky bashkëpunim nuk është vetëm në interes të arkivit, por dhe të kineastëve tanë.

Përse është edhe në interes të tyre?

Sepse pala ruse u tregua shumë e hapur për t’i hapur dyert kinemasë shqiptare që të jetë pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit me Metrazh të Shkurtër “Kino Art Festival”, i cili është një forum i hapur ku shfaqen dhe diskutohen filmat me metrazh të shkurtër të të gjitha kategorive; dokumentar, artistik dhe filmi i animuar nga vende të ndryshme të botës. Kjo mendoj se është me shumë interes për kineastët tanë. Falë këtij bashkëpunimi, kineastët shqiptarë mund të përfaqësohen në këtë festival në të gjitha kategoritë e filmit me metrazh të shkurtër. Pra ne, këtë marrëveshje bashkëpunimi nuk e kemi parë kaq ngushtësisht vetëm në interes të arkivit, por edhe më gjerë. E kemi parë dhe në interes të kineastëve tanë, por edhe si krijim të një imazhi pozitiv për Shqipërinë, siç është projekti për realizimin e dokumentarit promovues mbi lashtësinë dhe turizmin e vendit tonë.

Një kuriozitet: Si i kishin magazinat ku mbanin arkivat e së shkuarës?

Në fakt, ne nuk na lanë të futeshim të shihnim magazinat ose vendin ku i mbajnë arkivat e tyre, qoftë dhe thjesht për të parë sesi i ruanin, në çfarë kushtet dhe në çfarë teknologjie. Megjithatë, na ofruan gjithë listën e arkivit që kishin për Shqipërinë dhe këtu ishin shumë të hapur. Por bashkëpunimi mes nesh do të mbetet në bashkëprodhime për dokumentarë të ndryshëm dhe shkëmbimin e atyre materialeve që nuk i kemi shkëmbyer deri tani. Gjithsesi, ky është hapi i parë i këtij bashkëpunimi që kohë pas kohe do të ketë frytet e veta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›