E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio ka oreks: Tirana do rimarrë vendin e parë

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-10-2011 15:33

Në Shkodër ishin 90 minuta të bukura, ndonëse Tirana nuk shkoi më larg sesa barazimi. Natyrisht që tifozët bardheblu qajnë dy pikë të humbura, por kjo nuk e demoralizon trajnerin spanjoll të 24 herë kampionëve. Hulian Rubio Saçez ka parë te djemtë e tij atë shpirt gare që ka kërkuar sapo ka shkelur në tokën shqiptare. Ndonëse në disavantazh 2-0, Tirana arriti të rikuperojë një takim që u mendua i humbur, ndonëse ishte ajo që dominoi për më shumë sesa 70 minuta. Dy pikët e lëna janë e vetmja shije e hidhur e një ndeshjeje e ndërtuar për t’u fituar, ndaj edhe Rubio nuk heq dorë nga kjo. “Nuk jam i kënaqur me pikën e marrë. Mund ta fitonim këtë takim. Këtë e bazoj te loja, të cilën, në mbi 70 minuta, e kemi zotëruar totalisht, me rastet e krijuara dhe me lojën e zhvilluar nga ekipi im. Mendoj se kemi humbur shumë raste në pjesën e parë të takimit e po ashtu jemi ndëshkuar nga kualitetet e skuadrës së Vllaznisë. Mund dhe duhet ta fitonim takimin. Por mund të them se në fund edhe mund ta humbisnim atë dhe në këtë drejtim kemi pasur edhe fatin me vete”. Më pas, spanjolli merr nga 90 minutat e “Loro Boriçit” atë që shijoi më shumë sesa pika e fituar: shpirtin luftarak. “Djemtë nuk u dorëzuan. Kjo ishte vërtet diçka për t’u admiruar. Kur kontrollon ndeshjen dhe sheh sesi pëson dy gola të bukur, por të pamerituar, atëherë nuk të bëhet më që të vraposh. Por lojtarët nuk hoqën dorë. Ata besuan deri në fund dhe arritën të barazonin. Dhe të mos harrojmë se në pjesën e parë gjuajtëm shumë drejt portës, ndërsa Vllaznia nuk doli nga mesfusha e saj. Shtyllat dhe traversa nuk na lanë t’i gëzoheshim golit që do të na hapte rrugën drejt fitores, por futbolli është edhe kështu. Ndonjëherë nuk merr atë që meriton. Por të paktën sinjali që dhanë lojtarët ishte vërtet mbresëlënës,” komenton për gazetën Hulian Rubio. Të dielën skuadra bardheblu ka qenë pushim, pasi ishte vetë trajneri ai që ua bëri lojtarëve këtë dhuratë, ndërsa sot në “Skënder Halili” nisën përgatitjet për ndeshjen kundër Bylisit. Ndonëse ballshjotët u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Kastrioti, Rubio mendon se ata janë një skuadër që duhet respektuar dhe se 7 pikët e fituara tregojnë për forcën e tyre. “Nuk duhet ta nënvlerësojmë Bylisin. Ata luajnë mirë dhe mund të na hapin probleme. Megjithatë, unë jam i bindur se kundër tyre Tirana do të dijë ta menaxhojë lojën dhe të sigurojë tre pikët. Në fund, Hulian Rubio Sançez bën edhe një skaner të shpejtë të kampionatit. Atë nuk e shqetëson aspak vendi i parë i Teutës, pasi beson se Tirana do ta rrimarë shpejt kryesimin. “Barazimi me Vllazninë na kushtoi vendin e parë, por është vetëm çështje kohe për ne që ta rimarrim atë. Kampionati ka treguar se ka disa skuadra pretendente për titull. Është shpejt vërtet, por duhet që tani të vendosim njëfarë hierarkie,” përfundon prononcimin e tij trajneri spanjoll i 24 herë kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›