E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlzen Maliqi përballë Baton Haxhiut, një rrëfim 4 dekadash

SHKRUAN: Suadela Balliu 18-10-2011 14:34

Një intervistë dhënë mikut të tij Baton Haxhiu, e përmbledhur dhe botuar nga UET Press, sjell jetën dhe erudicionin e Shkëlzen Maliqit që nga vitet si student në Beograd, deri tek zhvillimet e procesit të Dejtonit

Para vitit 1982, Shkëlzen Maliqin në Kosovë pakkush e ka njohur si njeri të shkrimit. Në jetën e shkronjave dhe debateve por edhe të politikës, thuhet se ju ka futur një letër e hapur e botuar në Revistën Nin të Beogradit. Letra e hapur drejtuar akademikut serb Pavle Iviç ju bëri që të dilni nga gëzhoja e anonimitetit. Pse në të vërtetë e shkruat letrën?

Kjo është pyetja e parë e një bisede-intervistë që gazetari i njohur Baton Haxhiu ka zhvilluar me gazetarin, filozofin, politologun Shkëlzen Maliqi. Ishte pikërisht një replikë me një akademik nacionalist serb, të cilën e shkruajti ndërsa priste një emërim pune pas kthimit nga studimet, ajo që e bëri të famshëm në qarqet akademike të Prishtinës dhe në një farë mënyre përcaktoi të ardhmen e Shkëlzen Maliqit. Kjo bisedë e gjatë mes miqsh të vjetër në formë interviste sillet sot për publikun nga botimet UET Press.

Maliqi rrëfen në këtë bisedë me mikun dhe kolegun Haxhiu, jetën e tij që nga vitet ‘60 si student në Beograd, deri në zhvillimet e vona në Kosovë. Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi e tij, është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi. “Shkëlzen Maliqi ka bërë akte të forta intelektuale në jetën tij: nga debati me nacionalistët serbë në shtypin e Beogradit e deri tek qëndrimet e tij në fund të viteve ‘80 e në vazhdim për Kosovën. Të gjitha këto i japin atij statusin e dikujt që mirëvendoset në rebusin mes universalizmit dhe kozmopolitizmit tipik për intelektualin dhe patriotizmit të tij si shqiptar. Shumëkush tjetër e ka humbur një prej këtyre betejave: Është bërë patriot duke humbur intelektualin apo intelektual duke humbur atdheun”, thotë Henri Çili në parathënien e librit.

Megjithëse ishte i biri i Mehmet Maliqit, ministri i Rendit të asaj kohe në Kosovë, ai tregon se kishte dëshirë të punonte në Bibliotekën Kombëtare si bibliotekist i thjeshtë, dhe që punësimi të bëhet sipas rregullave, duke qenë i detyruar të priste për gjashtë muaj. Por nuk mohon se të qenit biri i tij ka qenë përparësi deri diku për guximin që pati në demaskimin e nacionalizmit serb, të mos kishte menjëherë pasoja. Maliqi rrëfen bisedat me të atin për valën në ngritje të këtij nacionalizmi. Libri i cili do të promovohet sot në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, është i ndarë në periudha kohe dhjetëvjeçare. Aty rrëfehet për Beogradin e viteve ‘60, për Titon dhe Enverin, deri tek filozofia paqësore e Ibrahim Rugovës.

Pjesë nga libri

Intelektuali i parë që reagoi ndaj fushatës antishqiptare

Do të kthehemi më vonë te ‘68-shi.... Tani ju lutem ta vazhdoni rrëfimin për motivin e futjes në polemikë me një akademik serb në të përjavshmen Nin?

... Po, motivi është i qartë. Ishin bërë 15 vjet që unë jetoja në Beograd dhe kisha njohuri relativisht të mira të skenës serbe, dhe se kush është dhe çka përfaqëson akademiku Iviç në Serbi. Me fillimin e fushatës antishqiptare në mediat serbe, unë po zemërohesha gjithnjë e më shumë pse s’kishte kundërreagime ose pse kur reagohej, ato ishin të zbehta, madje më dukeshin edhe kundërproduktive. E dija se garnitura e udhëheqësve serbë, pas vdekjes së Titos, kishte marrë kursin radikal ndaj Kosovës. Ma kishte thënë këtë edhe babai im, më 1981, pasi që ishte emëruar në detyrën e vështirë dhe delikate të Ministrit të Punëve të Brendshme në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, që ishte Qeveria në atë sistem. Më kujtohet se diku nga fundi i vitit 1981, ne po ktheheshim me makinë nga Prizreni për në Prishtinë, dhe diku te Qafa e Dulës, Mehmeti ma bëri me dije se udhëheqësit serbë, sidomos ministri i brendshëm, - nuk më kujtohet më emri i tij - janë më radikal në çështjen e Kosovës se edhe vetë Aleksandar Rankoviçi famkeq! Më la të kuptoj se në takimet mes dy udhëheqësive, të Serbisë dhe të Kosovës, ka tensione të jashtëzakonshme, deri edhe kërcënime për likuidime nga mujsharët e ri të Beogradit, të cilët po shfrytëzonin vakuumin e autoritetit pas vdekjes së Titos dhe demonstratat e Kosovës të vitit 1981. Unë e pata pyetur Mehmetin për organet federative jugosllave, si qëndron puna me pushtetin dhe disponimin e tyre, se a ka “federata” fuqinë për t’ia ndalur hovin pretendimeve serbe. Por nuk pata marrë ndonjë përgjigje të qartë për raportin real të forcave në federatë. Mehmeti më pat thënë se kuadrot kosovare po rezistonin në shumë nivele. “Nuk do të lejohet zhbërja e autonomisë së Kosovës. Ne i kemi të gjitha të drejtat e republikës, pos emrit, dhe nuk do të lejojmë kthimin mbrapa”. Pra, në vitin e fundit të qëndrimit në Beograd, më 1981, e ndiqja me vëmendje skenën dhe prapaskenën e politikës serbe. Isha i informuar për trendët në publicistikën dhe qarqet intelektuale serbe. Në rastin konkret, për të cilin më pyet, fakti është se unë në atë kohë zihesha përbrenda nga mllefi dhe pakënaqësia me fushatën antishqiptare. Gjithnjë e më shumë më preokuponte kjo, sidomos kur shihja edhe indolencën dhe pafuqinë e inteligjencës kosovare që t’i përgjigjet fushatës. Dhe erdhi një ditë kur nuk mund të përmbahesha…

Të gjithë heshtnin e Shkëlzen Maliqi i ra hise të reagojë?! Po si të lindi kjo ide?

E kisha idenë për këtë edhe më herët deri sa isha në Beograd, por mendoja se nuk më takon mua reagimi. Ka të tjerë atje në Kosovë që janë më të informuar, më pranë detyrës dhe obligimit për të kundërshtuar fushatën antishqiptare...Vetëm kur u ktheva në Kosovë, duke qëndruar disa muaj në Prishtinë dhe duke u futur në disa qarqe intelektuale, kuptova se mos-reagimi ndaj fushatës nuk i kishe burimet vetëm në represionin e shtuar dhe pasigurinë dhe frikën e njerëzve nga pasojat, nga ndjekja, burgosja, përjashtimi nga puna etj. Kuptova se intelektualëve në Prishtinë u mungonte jo vetëm guximi por edhe informimi dhe qasja e duhur për çështjen, po mendoj në rrethanat e atëhershme dhe mundësitë që ekziston për reagime. Atëherë vendosa që të reagoj vetë, t’i them ato kundër-argumentet ndaj fushatës që prej kohësh i vloja nëpër mend. E pata bërë këtë me shpresën se mund të shërbente si model edhe për të tjerët. Ndoshta kam qenë naiv, s’di, por disi e kisha bindjen, dhe vetëbesimin, se ekzistonte hapësira e mjaftueshme edhe brenda sistemit dhe ideologjisë së atëhershme jugosllave, për demaskimin e nacionalizmit serb, i cili po e dirigjonte ashtu ashiqare fushatën denigruese antishqiptare.

Por, kur e kujtoj sot pozicionin tim të atëhershëm, mendoj se kam pas deri diku një përparësi, ose fat, që guximi im në demaskimin e nacionalizmit serb, të mos kishte menjëherë pasoja. Thjesht, unë kam qenë një intelektual shqiptar jashtë kategorive të zakonshme, pasi që kam qenë deri diku i mbrojtur, me disa favore relative, të cilat të tjerët nuk i kanë pasur. E para përparësi ka qenë që isha i biri i Mehmet Maliqit, që në atë kohë mbante detyrën e Ministrit të Rendit të Kosovës dhe po e luftonte irredentizmin shqiptar, siç etiketohej në atë kohë lëvizja për Republikën e Kosovës ose më parë ajo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë lidhje të ngushtë familjare unë kam pasur probleme me patriotët dhe nacionalistët shqiptarë, dhe jo aq me pushtetin që ende ishte komunist. E dyta përparësi ishte që unë nuk i kisha frikë kacafytjeve publike me nacionalistët serbë ngase isha i bindur se e kam gjetur formulën e polemizimit me ta. Kjo formulë ishte e thjeshtë: kujdesesha që të mos paraqitem nga pozitat e nacionalizmit shqiptar, çka nuk e kisha të vështirë sepse për nga bindja nuk isha nacionalist. Kjo pikënisje ime jo-nacionaliste sot mund të tingëllojë si pozicionim nga ana e “integrizmit jugosllav”, siç më kanë perceptuar disa qarqe në Kosovë, p.sh. Mehmet Kraja, por nuk ka qenë as ashtu. Unë vetëm besoja se arma më e fuqishme e konfrontimit publik me nacionalizmin serb ka qenë shfrytëzimi i legatit të komunizmit jugosllav, të titizmit, që parimisht përjashtonte dominimin e ideologjive nacionaliste, sidomos të nacionalizmit serb. Në themelet e atij sistemi, sado që nuk ka qenë krejtësisht konsistent, ka qëndruar vlera e luftimit e të gjithë nacionalizmave, sidomos të atij serb. Dhe kjo është dashur të shfrytëzohet si një mjet për demaskimin e koalicionit që kishte arritur Lidhje Komuniste e Serbisë me forcat ultranacionaliste dhe serbomëdha. Në diskursin publik të asaj kohe ende ekzistonin fusha të tëra të pakontrolluara nga lëvizja serbomadhe. Ekzistonte hapësira dhe mënyrat e ndryshme të demaskimit legjitim të dyfytyrësisë së pretendimeve serbomëdha. Forcat reaksionare në Serbi angazhoheshin gjithnjë e më hapur dhe në mënyrë ultimative për ndryshimin e kushtetutës të vitit 1974 dhe kthimin e hegjemonisë serbe. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ato kërcënoheshin se do të heqin dorë nga Jugosllavia për të krijuar Serbinë e Madhe, që pos Kosovës do të përfshinte edhe Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, më shumë se gjysmën e Kroacisë me pothuajse tërë bregdetin e Adriatikut dhe, më në fund, nuk hiqnin dorë as nga Maqedonia. Dhe kjo edhe do të dalë sheshit shumë shpejtë pas hartimit dhe botimit, kinse “ilegal” të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, që u pat kuptuar menjëherë si një ultimatum i adresuar ndaj federatës jugosllave: o do të rivendoset hegjemonia e Serbisë në Jugosllavi, o Serbia do të kërkojë rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes serbe...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›