Adelajda spostohet nga “E diell”, nuk do jetë prezantuese me Krastën dhe Xhemin
Redona Sadiku
Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Sipas disa burimeve tona brenda “Top Channel”, Adela është spostuar nga vendi që iu premtua publikisht nga Adi Krasta pak muaj më parë. “Ti do të jesh në krahun tim bashkë me Xhemin” kanë qenë fjalët e Krastës në transmetimin direkt të një prej puntatave të programit “E diell”. Madje ky propozim iu bë dy herë, një herë gjatë surprizës kur Adela ishte akoma në shtëpinë e “Big Brother”, dhe një herë tjetër kur sapo doli prej andej, duke u renditur e dyta mbas Qetësorit me një diferencë prej 100 votash.
Ndërkohë, tani që ka mbetur vetëm një javë për të startuar ky program në edicionin e tij të dytë, duket se vetë stafi organizues ka ndërruar mendje. Adela, vajza që bëri për vete me qindra mijëra fansa, me të drejtë u zgjodh nga Adi për të qenë pjesë e programit “E diell”. Ne shqiptarët, duke parë shumë televizion italian, kemi kuptuar se të rinjtë e “Grande Fratello” vijojnë të jenë shumë aktivë në televizione mbas mbarimit të 90 ditëve mbyllur në shtëpi, madje ata futen aty pikërisht për të bërë më pas televizion, prandaj dhe “Grande Fratello” quhet me të qeshur “zyra që promovon dhe punëson yjet e ardhshëm të televizionit”. Në momentin kur shikuesi familjarizohet me ta, ka një tjetër mënyrë për t’i ndjekur, nëpërmjet programeve që zgjasin shumë si p.sh. programet e të dielave në drekë, të cilat vijojnë për orë të tëra. Dhe pikërisht në këto programe ne shohim këta djem dhe vajza të reja në angazhime serioze, në talk show, rubrika të posaçme etj. E nuk diskutohet që audienca në këto raste rritet, pasi gjithë qëllimi i një programi është që ai të ndiqet nga sa më shumë shikues.
Natyrisht nuk mund të bëjë televizion gjithkush që del nga dera e shtëpisë së “Big Brother”, por mjaftojnë disa të dhëna që duken me sy të lirë e më pas mjaft punë për të fituar eksperiencë, që të ‘fabrikohet’ një personazh televizioni i mirëfilltë. Dhe në fakt Top Media e ka dhënë një shembull të tillë me djem dhe vajza që kanë filluar të bëjnë televizion aty pa marrë akoma pasaportën, por që sot konsiderohen si drejtues të vërtetë të programeve të tyre. E kush mund të pretendojë edhe në rastin e Adelës, që ne të shohim që ditën e parë të saj, një show girl të klasit të parë. Përkundrazi, do të jenë ato defektet e mosdijes, që do ta bëjnë akoma më të këndshme qenien e saj në ekran. Kjo është analiza që natyrshëm bëhet, në rast se stafi i programit “E diell” ka konkluduar në idenë se Adela nuk është gati për të marrë rolin e një prezantueseje. Në fakt fansat e saj mendojnë ndryshe. Në forumet e pafundme në internet, diskutimet janë ndezur në argumentin “Adela dhe televizioni”. Ka një kuriozitet të papërmbajtuar që të ritakohen me të preferuarën e tyre, ashtu siç atyre iu është premtuar, në pozicionin e një drejtueseje, paçka se mund të ketë një peshë të vogël në prezantim e cila do të rritet me kalimin e kohës.
Po çfarë do të bëjë konkretisht Adela? Lajmi është befasues dhe shumë shumë zhgënjyes. Diku nga ora gjashtë mbasdite, është parashikuar të futet një rubrikë e re e cila ka ngjashmëri në format me programin italian “Ballando con le stelle”. Adela, Bjordi dhe disa figura të tjera të njohura, do të kërcejnë për disa minuta me balerinë profesionistë. Dhe diku nga janari do të zgjidhet çifti fitues. Gjatë programit Adela nuk do të ketë as edhe një mini rubrikë të sajën, të paktën ndonjë kuiz apo ndonjë hapësirë që ka lidhje me muzikën, fushë që ajo ka treguar se e njeh dhe e pëlqen. Përkundrazi, ajo do të presë e ulur, njëlloj si dhe Bjordi që dy balerinë t’i ftojnë në kërcim, do mbarojnë kërcimin dhe kaq. Pra për asnjë moment ajo nuk do të thotë asnjë fjalë, dhe aq më pak të jetë në krah të Adit dhe Xhemit si prezantuese.
Po të logjikojmë si shqiptarë 24 karatë, do të thoshim se sot fjalën nuk po e mbajnë burrat që drejtojnë shtetin e jo më një staf i një programi argëtues, por gjithsesi ne menduam ta bëjmë paraprakisht me dije këtë lajm duke parë padurimin e madh që fansat kanë për ta parë Adelën në rolin që ata prisnin dhe ku ata besonin se ajo do të jepte më të mirën. Tek “E diell” ka një Adelë që kërcen dhe një staf që mesa duket mendon se është e mjaftueshme për një personazh që edhe pse ishte super coveri i të gjitha mediave të shkruara të verës, mund të jetë fare mirë faqja e fundit e programit “E diell”. Të shohim nëse do të funksionojë.
Bjordi jo edhe aq i interesuar për televizionin
Personi i cili duket se nuk është në zonën komfort të tij, pra në televizion, është Bjordi. Ai asnjëherë nuk ka shprehur idenë për të qenë pjesë e tij, paçka se ka të dhëna të mira nëse i përkushtohet. Është një fushë që ai nuk e pëlqen posaçërisht dhe mbi të gjitha nuk mund të bëjë televizion në Shqipëri për momentin, në një gjuhë të cilën ai po e mëson përditë. Bjordi gjithmonë ka rrëfyer se pëlqen kinemanë dhe në “Big Brother” ka hyrë vetëm me këtë synim. Në tetor do të jetë prova e premtuar nga regjizori italian, ndërkohë që mbetet në pritje të serialit në Shqipëri i cili mesa duket nuk ka përcaktuar akoma një ditë të saktë xhirimi. Bjordi është menduar të përfshihet tek “E diell” edhe ky në versionin e balerinit amator, por si një personazh Vip edhe pse ai program iu premtua vetëm Adelës. Ka shumë që mendojnë se arsyeja pse Bjordi dhe Adela pëlqehen kaq shumë, është sepse ata janë bashkë. Nëse do të ishin veç e veç nuk do të kishin këtë famë. Mbase të këtij mendimi kanë qenë edhe organizatorët e programit “E diell” të cilët kanë menduar të mos e ndajnë Bjordin nga Adela. Një ide që në fakt nuk ka një bazë logjike për t’u besuar