E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greta Koçi - Për dashurinë? Do rrëfehem pas disa vitesh

 

Klotilda Harka

Sapo ka mbyllur një sezon intensiv koncertesh dhe po bën planet për më tej. Këngëtarja 18-vjeçare Greta Koçi tregon se është në momentin më të mirë dhe se nuk mendon për rivalet në muzikë. Marrëdhënia me motrën këngëtare dhe si ndihet me veten:  
Si ka qenë kjo verë për ty Greta, në se do të bëje një bilanc?
Kjo verë ka qenë e mrekullueshme për mua. Edhe pse ngarkesa çdo natë me koncerte, kënaqësinë që të jep publiku nuk ta jep asgjë tjetër. Kam qenë e pranishme për fansat e mi në të gjithë bregdetin shqiptar. T’ju them të drejtën më vjen keq që ka mbaruar tashmë ky sezon, pasi vërtet ka qenë një nga sezonet verore më të këndshme për mua.
Ke mundur të pushosh, të bësh plazh?
Kemi bërë pushime familjarisht vetëm një javë para fillimit të koncerteve të verës.
Dimë që je duke u përgatitur për konkurrim në “Kënga Magjike”. Ç’mund të na thuash për këtë rikthim pas tre vitesh mungesë?
“Kënga Magjike” është një nga eventet më të rëndësishme në këtë “Show Biznes”. Eshtë një konkurrim i një niveli të lartë, me një organizim të shkëlqyer, me pjesëmarrje tepër të mirë, me konkurrencë të fortë dhe të këndshme. Kështu që më pëlqen. Edhe pse tre vite unë i kam munguar “Këngës Magjike”, kjo nuk do të thotë që nuk e kam ndjekur dhe simpatizuar. Kësaj here nuk e di në do të kem një material të mirë për të konkurruar. Nëse do të kem diçka të bukur, do marr pjesë me kënaqësi.
Ndërkohë ti këndon bashkë me motrën e vogël Enin, ju ndodh të grindeni?
Jo, me Enin shkojmë shumë mirë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të grindemi dhe s’besoj se do të ndodhë duke qenë se kuptohemi mjaft mirë dhe duhemi shumë.
E ndien konkurrencën e këngëtareve të tjera, dhe cilën prej tyre e sheh si rivale?
Unë nuk kam frikë nga konkurrenca. Megjithatë Shqipëria ka këngëtarë shumë të mirë, të cilët i japin muzikë të mirë publikut. Në garë janë të gjithë. Eshtë publiku ai që zgjedh më të mirin.
Ke bërë plane konkrete për karrierën, cili është një projekt i afërt?
Ka shumë projekte. Nuk kam dëshirë të deklaroj gjëra që ende janë në mendje ose në letra, pasi asnjëherë s’i dihet. Gradualisht do t’ju zbuloj të gjitha projektet dhe surprizat që kam.
Në lidhje me dashurinë, a ka diçka Greta për të cilën mund të rrëfehet?
Sa herë do të më drejtoni këtë pyetje duhet të dini që edhe për disa vite me radhë, nuk do ta merrni kënaqësinë e “rrëfimit” (qesh).

Si do ta përshkruaje Gretën, një vajzë të pjekur apo të llastuar?
Nuk kam qenë ndonjëherë “e llastuar”. Megjithatë përkufizimi e “llastuar” ndoshta mund të qëndronte nëse do të isha në një moshë më të vogël, ku llastimet kanë edhe lezet, por edhe pranohen. Unë tashmë jam 18 vjeç, kështuqë “e pjekur” është më me vend në përshkrimin e Gretës në këto momente.
Kur ke qarë për herë të fundit?
Nuk mbaj mend të kem qarë. Këto kohë kam qenë shumë mirë dhe t’ju them të drejtën jam duke kaluar një nga periudhat më të mira dhe më të suksesshme. Gjithsesi unë jam shumë e ndjeshme edhe nga një film i bukur dhe prekës mund të përlotem. Kjo edhe mund të ketë ndodhur, por që nuk e kujtoj në këto momente.
Ka ardhur koha që Greta të jetojë në një apartament e vetme, larg prindërve?
Unë kam shkollën përpara, karrierën dhe çfarë është më e rëndësishmja nevojën për familjen. Nuk mund ta konceptoj këtë pyetje, pasi duhet të kesh fatkeqësi të mëdha të jetosh vetëm. Njeriu jeton në familje. Jetesa vetëm presupozon një aventurë apo traumë psikologjike.
Je e fiksuar pas mesazheve telefonike?
Unë nuk mbaj celular.
Cila është fjala përkëdhelëse që përdor më shpesh?
Nuk kam fjalë konkrete, të përcaktuar. Sigurisht pjesëtarët e familjes sime i përkëdhel, por ashtu siç e ndiej në një moment ashtu e them. Kur ke një fjalë “shabllon”, besoj se të krijohet instikt dhe ja thua të gjithëve. Unë nuk jam “shabllon”, them ato që ndiej.
Ke menduar që nga brune të bëhesh bjonde?
Në imagjinatë e mendoj. Por nuk besoj se do të dukesha shumë mirë. Jam mësuar ta shoh veten gjithmonë zeshkane unë dhe publiku, pasi unë brune jam në të vërtetë. Nëse do e bëja një ndryshim do e bëja për shkak të karrierës, por unë jam e bindur që fansat e mi s’do ishin shumë dakord me Gretën bionde. Si thoni?...
Të pëlqen nata apo dita më shumë?
Secila ka bukurinë e vet. Ashtu siç e ka krijuar Zoti. Rëndësi ka që të jesh e lumtur dhe të bësh një jetë të qetë, si natën po ashtu edhe ditën.
Ndonjëherë nuk ndiejmë moshën reale që kemi, ti sa vjeç ndihesh?
Aq sa jam në të vërtetë.
Je kopja e mamit, apo e babait?
Unë kam marrë më të mirën nga të dy prindërit e mi.
Ajo që mendojnë vajzat ndonjëherë është martesa, ti e mendon?
Jo, nuk e mendoj. Martesa është ligj i natyrës. E ka krijuar Zoti që çdo grua dhe çdo burrë do të martohet, por njeriu duhet të realizojë të tjera gjëra në jetë përpara se të krijojë një familje, e cila mendoj se është gjëja më e shenjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›