Elvis Cefa: Toka e lirë rikthehet te pronari
Qeveria “Berisha” synon të rikthejë tokat e lira tek ish-pronarët legjitimë. Në një intervistë për “standard”, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, flet për ndryshimet që do të pësojë ligji i pronës. Sipas ndryshimeve ligjore, deri në fundin e vitit 2011 do të jepet përgjigje për çdo dosje të mbetur pezull, nëse prona do të kthehet ose kompensohet. Aktualisht bëhet fjalë për më se 8 mijë dosje të mbetura pezull pa pasur një vendim. Pas këtij afati, procesi do të vijojë më tej me kompensimin dhe kthimin fizik. Cefa thotë se kthimi fizik i pronës do të jetë prioritet, çka do të thotë se çdo pronë e lirë do të kthehet tek pronari i saj. Njëkohësisht në datën 15 nëntor do të shpërndahet fondi i kompensimit financiar për këtë vit që është 1.2 miliard lekë ose dyfish më shumë se ç’ishte parashikuar duke bërë që këtë vit të ketë rekord kompensimi financiar për ish-pronarët.
Zoti Cefa, Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi disa ndryshime në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ku konsistojnë këto ndryshime?
Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9235 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Ka disa elementë esencialë në këto ndryshime. Së pari shtyrja e afatit të trajtimit të kërkesave që janë gjendje deri në vitin 2011, pra deri më 31 dhjetor 2011 dhe përveç kësaj ndryshimin e procesit të vendimmarrjes në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që konsiston në faktin që vendimet tashmë nuk do të merren më nga zyrat rajonale të AKKP-së, por do të merren direkt nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo, me të drejtën e ankimit gjyqësor menjëherë. Kjo e thjeshton dukshëm dhe praktikisht e përgjysmon kohën e shqyrtimit të një dosjeje të një subjekti pasi eliminon hallkën e një ankimimi administrativ ndaj një vendimi të dhënë. Pra, subjekti tani ka të drejtën që menjëherë pas një vendimi, shkon në gjykatë, nëse nuk është i kënaqur me vendimin.
Çfarë afati përfundimtar ka për të mbyllur të gjithë këtë procedurë?
Afati përfundimtar - dhe këtu dua ta theksoj pasi kam parë në shtyp që është keqkuptuar që AKKP-ja do të shkojë drejt një shkrirje natyrale - procesi i shkrirjes natyrale të AKKP-së fillon në momentin që ka mbaruar së trajtuar edhe dosja e fundit gjendje. Pra, kur subjekti i fundit pretendues për një pronë ka marrë në dorë një vendim. Në këtë moment pjesa e AKKP-së që ka të bëjë me trajtimin fillestar të procesit, pra me disponim për njohje, kthim apo kompensim të pronës, përfundon misionin e vetë, por kjo s’do të thotë që Agjencia mbaron punën e vetë. Agjencia me ligj vazhdon procesin e kompensimit të pronës, pra me procesin e kompensimit financiar që ne po e vijojmë aktualisht dhe jemi në vitin e pestë të këtij procesi dhe po ashtu do të vazhdojë me kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara që kanë marrë më parë një vendim njohje për efekt kompensimi prone, pasi prona e tyre ka rezultuar e zënë sipas akteve të tjera ligjore apo nënligjore.
Është folur për një sasi dosjesh prej 8 mijë subjektesh. Në fund të vitit 2011 do të ketë një vendim për të gjitha këto?
Pikërisht këto janë shkaku i shtyrjes së afatit të përfundimit të procesit, është pikërisht detyrimi ligjor për t’iu dhënë një përgjigje të gjitha këtyre subjekteve, pra rreth 8 mijë, të cilat nuk kanë ende një vendim në dorë. Ata kanë dorëzuar një kërkesë për trajtimin e pronës së tyre të pretenduar, por zyrtarisht titulli i pronësisë që jepet nga AKKP-ja nuk është dhënë. Pikërisht ky ka qenë shkaku që afati ligjor u shty. Në ligjin aktual ishte parashikuar më 30 qershor 2009, tashmë me ndryshimet e reja në ligj që besoj se do të miratohen sa më shpejt në Kuvend, ky afat do të kalojë deri në 31 dhjetor 2011. Ky afat u propozua nga AKKP-ja në bazë të përllogaritjeve tona, pasi ne kemi menduar që në një periudhë 2-vjeçare me punë në intensitet dhe me këtë thjeshtim procedural, besojmë se ky proces do të mbyllet.
Pra, për ta kuptuar më qartë. Pas vitit 2011 nuk do të ketë më shqyrtim dosjesh apo dhënie vendimesh, por do të punohet vetëm me kompensimin?
Pikërisht. Mbas vitit 2011 do të fillojë de facto ekzekutimi i vendimeve të dhëna deri në këtë periudhë gjithmonë për pjesën e kompensimit, pra për pjesën që njohën për kompensim. Në rastet që është vepruar me kompensim fizik atëherë subjekti ka mbaruar punë përfundimisht me AKKP-në dhe drejtohet zyrave të regjistrimit për të regjistruar pasurinë e tij dhe për të bërë atë pastaj atë që çka dëshiron me pronën e vet. Në ato raste, kur nga vendimmarrja fillestare, prona ka rezultuar e zënë, i është njohur subjektit, por me efekt kompensimi, pra me të drejtë kompensimi, do të fillohet të vijohet me këtë kompensim përtej afatit 2011.
Duke marrë të mirëqenë që edhe këto 8 mijë dosje do të marrin një përgjigje pozitive, sa ish-pronarë do të duhen të kompensohen gjithsej?
Praktikisht këtë përgjigje mund ta japim në janar të vitit 2012, për arsye se nga kjo vendimmarrje ne do të shohim se sa subjekte do të marrin direkt pronën e tyre, pra e kanë të lirë dhe u kthehet fizikisht. Do të shohim se sa subjekte nuk kanë dokumentacion të mjaftueshëm për vërtetimin e pronës dhe që marrin një vendim negativ për mosnjohje të pronësisë dhe në ato subjekte që marrin përgjigje pozitive, do të shohim se sa subjekte do të jenë gjithsej dhe se sa sipërfaqe prone do të njihet për efekt kompensimi. Në këtë pikë mund të arrijmë të bëjmë një bilanc përfundimtar, për të parë situatën faktike, për të parë se sa pronë duhet dhe sa është detyrimi faktik i shtetit shqiptar ndaj ish-pronarëve për kompensim.
Nga fjala juaj dëgjuam kthim fizik. Do të jetë prioritet kthimi i pronës nëse ajo është e gatshme dhe e lirë?
Absolutisht po. Prioriteti kryesor i Agjencisë është që atje ku është e mundur, të bëhet menjëherë kthimi fizik. Për rastet kur parashikohet në ligj kur kthim fizik është i pamundur për shkak të akteve të tjera nënligjore apo ligjore, atëherë ne detyrimisht e njohim subjektin si pronar, por nuk e kthejmë pronën fizikisht, por ia njohim të drejtën e kompensimit në një nga mënyrat e kompensimit që parashikon ligji, qoftë financiar, qoftë fizik. Kjo është e drejta e subjektit në momentin e caktuar që ai ta zgjedhë vetë, pronë fizike me vlerë të barabartë ose kompensim financiar me para.
Pra, ekziston zgjedhja për mënyrën e kompensimit?
Sigurisht që po. Ligji i ka lënë të hapura këto mundësi.
Kthehemi në një çështje dite. Mendoni se do t’ia arrini që në datën 15 nëntor të kompensoni financiarisht subjektet që janë kualifikuar?
Në datën 15 nëntor ne do të shpallim fituesit e procedurës së kompensimit financiar për vitin 2009. Dua të theksoj që me një vendim të datës 14 tetor të këtij viti kemi vendosur në bazë të Kodit të Procedurës Administrative dhe të ligjit tonë organik shtyrjen edhe për 30 ditë të afatit të përpunimit të kërkesave për kompensim financiar. Ky vendim u mor për arsye sepse nga qeveria u hap një dritë jeshile për shtimin e fondit nga 600 milionë lekë, në 1.2 miliardë lekë. Është dyfishuar. Në këtë pikë edhe numri i subjekteve përfitues nga ky fond këtë vit do të jetë më i madh sesa parashikimet tona. Për këtë arsye u pa e nevojshme shtyrja e afatit të verifikimit të kërkesave të subjekteve në mënyrë që ne të klasifikojmë sa më shumë subjekte që të kemi sa më shumë fitues. Pra të arrijmë që të harxhojmë të gjithë fondin prej 1.2 miliard lekësh.
Të gjitha këto para do të ndahen këtë vit?
Po. Me ligjin e ri për rishikimin e buxhetit, pra nga burime të tjera të ardhurash nga privatizimet nga sektorët strategjikë nga Këshilli i Ministrave është vendosur shtimi i këtij për efekt kompensimi për këtë vit. Agjencia po synon që ne të arrijmë të shpërndajmë të gjithë këtë fond në kohë. Pra, në datën 15 nëntor, unë besoj se do të shpall fituesit e 1.2 miliard lekëve.
Në këtë periudhë ju po shqyrtoni më shumë kërkesa se nga 521 subjekte që u kualifikuan fillimisht?
Në i administruam fillimisht 510 kërkesa. Nëse ishim të gatshëm, shpallnim fituesit më 15 nëntor me 600 milionëlekëshin dhe fituesit do të ishin rreth 100 deri në 120. Me dyfishimin e fondit, na del e nevojshme në kërkimin e pjesës tjetër të kërkesave të subjekteve aplikues për të seleksionuar fituesit për të harxhuar të gjithë fondin. Subjektet fitues nuk do të jenë më tashmë 100 apo 120, por do të jenë më shumë ose ndoshta dyfish.
Kjo përbën një rekord në kompensimin financiar?
Po. Ky është një rekord absolut, pasi fondi i vënë në dispozicion nga qeveria është rekord. Nuk ka pasur asnjëherë më parë një fond të tillë për subjektet e shpronësuara për kompensim financiar.
Zoti drejtor, nga informimet tuaja a po bëhen përpjekje për shtimin e fondit fizik për të kompensuar ish-pronarët?
Fondi i kompensimit fizik përbëhet nga të gjitha tokat me zë të ndryshëm kadastral që janë në pronësi të shtetit. Përfundimisht fondi i kompensimit fizik mbetet për t’u përcaktuar përfundimisht në fund të procesit të njohjes së pronës. Pra, vetëm atëherë kur ne të kemi përfunduar të gjitha kërkesat e subjekteve të shpronësuara, mund të verifikojmë dhe të azhurnojmë se sa nga sipërfaqja e Republikës së Shqipërisë është në pronësi private dhe sa në pronësi shtetërore. Në këtë pikë kjo përbën të gjithë fondin total për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara. Pavarësisht se ne në vazhdimësi azhurnojmë këtë fond në pasuri që tani e dimë që nuk ka pretendime private për ato. Gjithsesi, fjala e fundit do të thuhet kur të mbarojë i gjithë procesi i trajtimit të kërkesave fillestare të subjekteve.