Selmanllari ngre padi penale për shpifje: Kam blerë tokë të hipotekuar
Z. Selmanllari sqaroi dje për mediat të vërtetën për pronën e tij, duke pohuar se ajo është konform ligjit, e certifikuar në Hipotekë dhe ndryshe nga sa pretendohet, nuk ka ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë, ia ka dhënë pronën e blerë, me përqindje, një kompanie të njohur ndërtimi.
I gatshëm të ballafaqohet për çdo akuzë të ngritur ndaj tij, z. Rahman Selmanllari paralajmëron se ditën e hënë do të ngrejë padi penale ndaj shpifjeve që i janë bërë për të ashtuquajturat ndërtime në Orikum. Ai sqaroi dje për mediat të vërtetën për pronën e tij, duke pohuar se ajo është konform ligjit, e certifikuar në Hipotekë dhe ndryshe nga sa pretendohet, nuk ka ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë, ia ka dhënë pronën e blerë, me përqindje, një kompanie të njohur ndërtimi. Dyshimet e ngritura në shtyp se po kryen ndërtime me dokumente false në Orikum, sollën pikërisht dje reagimin e Rahman Selmanllarit. Ai foli përmes një daljeje publike për akuzat sipas të cilave ka vjedhur, zaptuar apo zbuar njerëz nga tokat e tyre. “Pa dashur të polemizoj me mediat që kanë bërë këto publikime, dua të sqaroj publikun se unë njëlloj si pronarët e mediave që më sulmojnë, kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në Hipotekë e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës”, - u shpreh z. Rahman Selmanllari. Ai bëri dje të ditur përmes një deklarate për shtyp se toka që ka blerë brenda të gjitha rregullave, është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë. “Ndryshe nga sa pretendohet, - shton z. Selmanllari, - nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë ia kam dhënë pronën e blerë, me përqindje, një kompanie të njohur ndërtimi. Që nga momenti që unë e kam blerë pronën në fjalë e deri tani ku aty ka përfunduar ndërtimi (i referohem pronës time) askush nuk më ka kontaktuar apo ngritur pretendimin as në rrugë ligjore e as në forma të tjera, qoftë dhe për një metër katror të pronës që unë disponoj”, - vijon deklarata e Selmanllarit. Në këtë rast ai bën një sugjerim: “Nëse ju si media gjeni qoftë dhe një person që pretendon se ka qoftë dhe një centimetër tokë në përdorim brenda pronës sime, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me të, me letra dhe dokumente”. Selmanllari akuzoi: “Qëllimi dhe dëshira për të përfshirë emrin dhe pronën time në një histori konflikti, ndërkohë që ajo zhvillohet jashtë tokës dhe interesave të mia, janë dhe mbeten manovra politike të mediave mercenare, pronarët e të cilëve janë në fakt zotëruesit më të mëdhenj të pronës në bregdet”.