Emancipimi që u erdhi grave edhe nga veshja
Kozmetika, arti i të zbukuruarit, është aq e vjetër, sa ç'është e vjetër edhe historia e njerëzimit.
Kozmetika, arti i të zbukuruarit, është aq e vjetër, sa ç’është e vjetër edhe historia e njerëzimit. Ideja dhe dëshira për të qenë i ose e bukur, si dhe i ose e pëlqyer nga të pranishmit ka qenë reale së bashku me njeriun e lashtë. Egjipti është djepi i kozmetikës. Bustet ose skulpturat e gjetura nëpër varret e mbretëreshave ose princeshave egjiptiane, si ai i mbretëreshës Nefertit, i punuar në varovik, i datuar më shumë se 5000 vjet, e ka ruajtur bukurinë. Fytyrën e ka të grimuar me shumë shije dhe kujdes, vetullat janë të pikturuara, pudrimi i fytyrës i mrekullueshëm, tek grimi i syve dominon ngjyra jeshile, për shkak të lëkurës ngjyrë mat që ka pasur.
Enët prej balte të gjetura në varret e të pasurve tregojnë për përdorimin e gjerë të kozmetikës natyrale. Egjiptologët që punojnë pa pushim për zbulimin e antikiteteve nëpër piramida dëshmojnë se tek të gjitha këto varreza ekzistonte era e tamjanit. Kur u gjend mumia e Tutankamonit, kundërmonte era tamjan dhe kishte shumë kripë. Gjithashtu vera e mollës luante rol të rëndësishëm në përgatitjen e mumieve. Në një poçe me verë molle vendoseshin organet e nxjerra nga trupi i njeriut, atje i linin për një kohë të caktuar e më pas e hidratonin trupin dhe lëkurën e mumies, më pas vendosnin përsëri brenda në trup organet. Doktorët që merreshin me balsamosjen e njihnin shume mirë anatominë e trupit të njeriut.
Atje misteri është i pranishëm kudo. Recetat e bukurisë të Kleopatrës janë trashëguar deri në ditët tona. Romaket i kanë kopjuar prej saj, më pas greket e kështu me radhë deri në ditët tona. Kleopatra mbetet figura femërore që u ka rezistuar të gjitha kohërave, mbetet idhulli i padiskutueshëm, jo vetëm nga bukuria por edhe nga mençuria. Legjendat për të janë të pranishme kudo. Filozofi francez, Paskal, thotë: “Nëse hunda e Kleopatrës do të ishte pak më e shkurtër, fati i të gjithë rruzullit tonë do të ishte ndryshe...”.
Por, si ishte pamja e jashtme e Kleopatrës? Fakte të besueshme kanë ardhur nga i madhi Plutark: “Ajo kishte hundë të gjatë, zë magjepsës (shkruante autori grek), nga tingulli të ngjethej mishi dhe ndjehej si nëpër dejet e trupit depërtonte me mister dhe me sharmin magjik. Vështrimi i saj ishte hipnotizues, thonë që përdorte hipnozën kur i duhej. Lëkura e saj ishte ngjyrë qelibari, që e trashëgonte nga të parët e saj sirianë dhe persë, flokët e zinj... Elegancën dhe formën perfekte trupore e mbante duke notuar dhe kalëruar. “Kleopatra notonte si një sirenë dhe kalëronte si një amazonkë e vërtetë”, - shkruante Plutarku. Kishte kulturë të gjerë, i binte lirës dhe këndonte shumë bukur, dinte shtatë gjuhë të huaja. Njihte me rrënjë Euripidin, Homerin, matematikën, astronominë, njihte shkencën dhe mjekësinë. Jo më kot ka marrë mbi vete idhullin e femrës së pavdekshme dhe fatale. Mendohet se është autorja e parë e traktatit të famshëm të kozmetikës, që u dogj së bashku nën flakët zhdukmatare të Bibliotekës së Aleksandrisë. Kleopatra mbetet personazh i rëndësishëm i historive të ndryshme që kanë lidhje jo vetëm me bukurinë, por edhe me mençurinë dhe inteligjencën e gruas. Figura e kësaj gruaje të rrallë është paraqitur shekuj me radhë nëpërmjet romantikes, luftëtares, prijëses, strateges, por edhe erotikës së fshehtë.
Kozmetika e Kleopatrës
Në varret e pasanikeve të Egjiptit janë gjetur pomada të përgatitura me terpentinë dhe tamjanë që përdoreshin kundër djersës. Mumiet femra kishin flokë të zeza si pendë korbi, me shkëlqim natyral. Për të pasur flokë aq të bukur përdoreshin melheme të përgatitura prej vaj recini dhe dhjam gjarpri. Kishte mumie të lyera edhe me këna që zbusnin ngjyrën shumë të zezë të egjiptianeve.
Për të pasur lëkurë të butë dhe të tejdukshme, egjiptianet përdornin një krem të shndritshëm, të prodhuar nga lulet e lotusit, si dhe qumështin e marrë nga kjo lule magjiplotë. Ndërsa toni i fytyrës ishte përgatitur nga pluhuri i përftuar prej trëndafili të egër të tharë e të bluar të bërë pluhur. Në buzë përdornin buzëkuq ngjyrë rozë.
është fakt i pamohueshëm se vështrimi i ëmbël fshihet në thellësinë e vështrimit të syve. Kleopatra thonë se i lyente sytë me një vizë prej lapsi jeshil, pastaj me pika të vogla prej mjalti e në fund i konturonte me laps të zi. Egjiptiologët dëshmojnë se Kleopatrës i pëlqente parfumi me aromë trëndafili, si edhe esenca e lules së Irisit, që oborrtarët i blinin nga India dhe Arabia. Disa autorë romakë kanë dhënë disa fakte të rreme, se gjoja ajo përdorte erëza magjike për të bërë për vete burrat më potentë të shekullit. Por nuk është e vërtetë, ajo nuk kishte nevojë të përdorte erëza ndjellëse. Kleopatra kishte cilësi të rralla, njihte shumë mirë Euripidin, Sofokliun, Herodotin dhe Homerin. Jo më kot ajo i dha një fizionomi të veçantë personalitetit të saj si gruaja e pavdekshme dhe fatale. Deri më sot ajo mbetet figura grua me të cilën janë marrë më shumë kineastët, regjisorët, shkrimtarët, kronikanët, piktorët, do të thosha arti në përgjithësi.
Recetat e bukurisë që përdorte ajo u përhapën me shpejtësi edhe tek romaket apo tek greket e lashta. E fshehta e bukurisë së saj qëndronte jo vetëm tek pamja e saj e jashtme, por edhe tek besimi që kishte në vetvete e në forcën e saj jo vetëm për paraqitjen, por edhe për inteligjencën që ishte koshiente. Bima e Aloes ishte një nga bimët me të cilat ajo lyente fytyrën dhe trupin. Ky lloj kremi ndalon plakjen e parakohshme, ushqen lëkurën, por dhe i jep asaj një ngjyrë shumë të bukur.
Papirusi i parë me këshilla dhe receta bukurie është quajtur “Papirusi i Ebertit”. është vërtetuar se hartuesja e tyre është Kleopatra e të tjerët me kalimin e kohës i kanë përvetësuar. është e sigurt që këto receta janë të mirëpritura edhe në ditët tona. Efikasiteti i tyre është vërtetuar nga paraardhëset tona. Ato janë përgatitur para 5000 apo 6000 vjetësh. Gruaja e dytë e Neronit, Popeja është autorja e dytë grua pas Kleopatrës që ka lënë këshilla apo receta për gruan. është shumë i rëndësishëm ky fakt, sepse këto gra thyen tabu, sepse për kohën që jetuan ishte gjë shumë e rrallë. Në shkrimet e saj romakja merrte si shembull Kleopatrën dhe sipas tyre: higjiena, uji, dielli dhe ajri janë të domosdoshme për të qenë të shëndetshme. Lanolina dhe qumështi janë nga substancat më të shpeshta që takohen në këto receta. Ndërsa gruaja në botën ilire, ndryshe nga ajo e botës antike greke, ishte më e lirë, madje ajo kishte edhe të drejtën për trashëgimi. Nga zbulimet që janë bërë në Ilirinë e lashtë bukuria e gruas ka qenë në qendër të skulpturave dhe pikturave. Zbukurimet e gjetura janë fakt për nivelin shumë të lartë të gustos dhe shijes, si dhe mënyrën si janë punuar këto bizhu. Ne kemi fatin të kemi bukuroshen e Durrësit, e punuar në mozaik, ku spikat kombinimi i ngjyrave të mozaikut, buzët shumë të bukura të kuqe dhe flokët si kurorë. Spikat bukuria, eleganca dhe freskia e kësaj vajze të re dhe shumë të bukur. Gjithashtu edhe veshjet e grave ilire ishin shumë të bukura dhe nuk ishin më poshtë veshjeve të romakeve apo grekeve.
Shekulli i rokokosë dhe i parukeve të mrekullueshme
Po të hedhim një vështrim mbi periudhat e mëvonshme do të njihemi me gra që parfumoseshin me aroma çudiplota. Parfumi u zbulua në atë kohë. Poeti francez, Pol Valeri, thoshte: “Gruaja që nuk përdor parfum, nuk ka të ardhme...”. Ishte moda e parukeve të shumëllojshme dhe “ngjyrosjeve të tepruara me bojëra dhe të kremrave të shumëllojshme. Kishte gjithçka luks në të veshur, në mënyrën e jetesës, por mungonte higjiena. Aristokratet sforcoheshin shumë, zbukuroheshin me paruke të modeleve të ndryshme. Njëherë në një ballo që organizonte një nga Luigjët, një aristokrate kishte vendosur një paruke që kishte të modeluar një kafaz me një kanarinë brenda, shoqja e saj kishte vënë në kokë një frutierë me lloj-lloj frutash, e treta një buqetë me lule shumëngjyrëshe. Në atë kohë kozmetika dekorative pati kulmin e vet. Hunda ishte e kuqe, faqet të kuqe flakë, sytë e dekoruara me laps të zi dhe jeshil, pa harruar nishanet që ishin kulmi i modës. Do të desha të theksoja se nishanet ishin edhe një domosdoshmëri, sepse mbulonin puçrrat e shumta që iu dilnin zonjave nëpër fytyrë nga mungesa e larjes së fytyrës. Ishte koha kur higjiena mungonte plotësisht. Kështu në pallatin e famshëm të Versajës në Paris kishte 2000 dhoma dhe asnjë banjë për t’u larë. Shpesh në paruket e aristokratëve parazitët lëviznin lirisht. Erërat e këqija që mbanin rrobat maskoheshim me aromat e forta të parfumeve. Rokokoja lehtësonte modelet e fustaneve, por vështirësonte modelet e flokëve. Paruket stiloheshin në një mënyrë, ku flokët fryheshin, e u shtoheshin flokë të tjera që gruaja të dukej tre deri në katër kokë më e gjatë. Kjo modë vazhdoi me dhjetëra vjet. Që modeli i parukeve të mos prishej, parukierët vendosnin disa jastëçka të vogla, furketa, karfica, fjongo dhe lule natyrale. Të gjitha këto material peshonin 1 kg, e në fund paruket pudroseshin dhe parfumoheshin. Lulet e zbukurimit ishin edhe natyrale, por më të sigurta për zonjat ishin lulet artificiale të përgatitura prej flokësh të lyera me lloj-lloj ngjyrash, që dukeshin si natyrale. Lulet vendoseshin nëpër shporta të vogla prej atllasi, kështu zbukuronin flokët e stërfryra.
Ampir, fundi i shekullit të XVIII e fillimi i shekullit të XIX
Klasicizmi ishte rryma e re që përshkoi njerëzimin e shekullit XIX. Revolucioni i madh francez dhe realizimi i parullës së madhe: “Liri, vëllazërim dhe barazi”, solli ndryshime edhe në kozmetikë. Ky revolucion si dhe revolucioni anglez apo amerikan i frymëzuan popujt me ide demokratike dhe përparimtare. Këto ide ndikuan edhe në emancipimin e grave. Zhorzh Sand, Elena Gjika Dora d’Istria etj. Edhe gratë filluan të udhëtojnë e të bëhen udhëtare në të gjithë botën, ato u bënë pararendëse të shumë fenomeneve social-kulturore. Por edhe në modë u ndje një përparim, veshje më të lehta, më praktike. Në modë filluan të hynin tendencat antike. Gratë flakën korsetë, paruket e rënda dhe shumëngjyrëshe. Në vend të këpucëve me taka të larta filluan të përdornin sandale me rripa që vinin kryq deri tek gjuri, si edhe këpucë të sheshta. Filluan të zbulonin krahët deri tek supet. Flokët i zbukuronin me fjongo dhe e shumta me lule natyrale. Prerja e fustanit ku modeli vinte i prerë tek beli, tani vinte poshtë gjoksit. Ishte koha e elegancës, e burrave galantë, fundet nuk ishin aq të gjatë sa të pastronin tokën, u shkurtuan deri tek kyçi i këmbës. Vajzat ishin shumë lozonjare dhe shumë elegante. Filloi muzika klasike, ku vajzat fisnike, aristokrate filluan të kompozonin nëpër shtëpitë e tyre pjesë për piano dhe i luanin ato për shoqërinë dhe për familjen tyre. Kështu Muzika e Dhomës nuk ishte më vetëm për disa njerëz. U zmadhua orkestra dhe filloi interpretimi i muzikës simfonike dhe nga katër instrumentistë që iu binin veglave në Muzikë Dhome u rritën në nëntë, pastaj orkestrat u bënë shumë të mëdha. Pra edhe muzika po përjetonte ndryshime. Dëgjohej me ëndje muzika e Moxartit, Bethovenit dhe e Hendelit. Gustoja filloi të ndryshojë vajzat dhe gratë filluan të mbanin dieta që të dukeshin fine dhe të holla. Dieta që përdorte rëndom gjinia femërore e asaj kohe ishte pirja e një gote të madhe uji prej 250 gr, plot me uthull para buke.
Romantizmi, mesi i shekullit XIX
Gjatë viteve 20 të shekullit XIX moda ndryshoi përsëri, por këtë herë mesi ose beli i fustanit ishte shumë i theksuar me qëllimin që beli i hollë të binte në sy. Zonjat dhe zonjushat shtrëngonin belin me ndihmën e dy shërbëtoreve, të cilat shtrëngonin rripat e korsesë. Tregojnë njëherë se një zonjushë e kishin shtrënguar aq fortë saqë ajo kishte mbetur pa frymë dhe i kishte rënë të fikët nga mungesa e ajrit. Rrobaqepësit për kontra-punt të belit të hollë përdornin mëngët e fryra guf, si dhe fundet e gjera. U kthye përsëri krinolini. Pasi përpunohej mirë kthehej në një tip jastëku të vogël që vendosej nën bel mbi vithet. Bukuroshet romantike kishin shumë kujdes për mënyrën e ecjes, moda ishte për ecje me hapa të vegjël. Zhuponet dolën në modë po ashtu edhe çadrat. Verdi, operat e tij dolën shumë në modë, muzika operistike nuk ishte tashmë kënaqësi vetëm për një grup të vogël njerëzish, por për të gjithë popullin. Sepse Verdi bazën e muzikës e merrte nga muzika popullore e vendit të tij. Ngjyra e fytyrës duhej të ishte e zbehtë. Që të ishin sa më të zbehta “sipas modës”, madamat e asaj kohe përdornin pudër orizi, por kishte edhe nga ato që përdornin kremra të përgatitur prej pluhur plumbi. Nga studimet e bëra ka dalë se ky lloj pluhuri jo vetëm që ua shkatërronte lëkurën, por ishte edhe vdekjeprurës.
Fillimi i shekullit XX
Gjatë fillimit të këtij shekulli u shfaq në botë moda e lartë, e cila filloi të zhvillohej me një shpejtësi kozmike. Stilistët iu hapën luftë rrobave të brendshme të përdorura deri atëherë sipas gustove të inkuizicionit, e në vend të korsesë së tmerrshme rekomanduan trupin e bukur e të lirë të femrës. Sipas tyre, në harmoni me të shkonte lëkura e bardhë e lëmuar si mëndafsh, buzët e holla e vështrimi misterioz. Dekolteja zbriste gjithmonë e më shumë, ndërsa gjatësia e fundit u shkurtua dhe dilnin çorapet e holla të tejdukshme me vizë mbrapa. Gratë fituan të drejtën të mbanin në dorë pipë të hollë me cigare dhe ta pinin atë edhe para burrave, në ambiente të hapura, lokale apo restorante. Tashmë pirja e duhanit nuk ishte e ndaluar për gratë. Zonjat apo zonjushat nuk kishte nevojë të pinin duhanin fshehtas nga meshkujt. Filluan të përdoren dendur bizhuteritë, në qafë mbanin disa radhë me perla, flokët e prera si djalë çapkën. Truku ishte mbresëlënës, çdo grua apo vajzë mund të trukohej si të donte dhe sa të donte. Zonjat përdornin parfume të forta, ndërsa zonjushat përdornin parfume më të buta. Mund të na duket e çuditshme, por është e vërtetë se pirsing është përdorur që në atë kohë. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm është se në atë kohë gratë e shumë vendeve evropiane fituan të drejtën e për të votuar. Finlanda ishte një nga vendet e para që gratë e fituan këtë të drejtë. Më pas filluan të fitojnë të drejtat themelore edhe gratë e shteteve të tjera të botës.
Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore
Gratë tashmë kanë mundësi të informohen dhe të informojnë për të gjitha të rejat e modës. Gazeta, revista me faqe të tëra për modën. Artistet e famshme të Hollywood-it, tradhti, thashetheme etj. Pra një numër i madh botimesh që flisnin hapur për botën e gruas. Ka shumë gra që duan t’i ngjasin Marlen Ditrih, Greta Garbos. Ato ishin të bukura vishnin kostume burrash me këmishë të bardhë dhe kravatë madje edhe kapele-borselinë. Atëherë ishin shumë në modë gjyzlykët e diellit, nga ku dilnin vetullat shumë të holla dhe të gjata. Era e luftës ndjehej gjithë andej, madje edhe në ajër. Një epokë solli ndryshime si në çdo fushë të jetës edhe tek gratë si edhe tek moda e veshjes. Në këtë kohë edhe emancipimi i gruas shqiptare nuk kishte ndalur. Ishin motrat Qirjazi u shquan për angazhimin e tyre të suksesshëm për emancipimin e femrës shqiptare. Parashqevia u quajt Zhan D’Ark e Shqipërisë. Ato hapën shkollën e parë të vashave në Korçë. Shkollat e para laike femërore u hapën në Shkodër si ajo e Kushe Micës. Po të shohësh fotot e asaj kohe mund të dallosh fare qartë se motrat Qirjazi dhe zonja të tjera të kulturuara të asaj kohe ishin veshur me veshje shumë elegante dhe shumë moderne. Gratë u bënë luftëtare, të cilat luftonin për krah burrave. Por edhe gratë shqiptare kishin shtypin e tyre. Në faqet e tyre aktivistet gra të asaj kohe ngritën probleme që shqetësonin femrën shqiptare. Kërkuan njohjen e të drejtave dhe lirive të saj, bënë thirrje edhe për luftë ndaj zakoneve të vjetra. Në këtë lëvizje, një vend të rëndësishëm zë intelektualja Ikbal Cika, ndër femrat e para në historinë e shtypit shqiptar. Ajo ka qenë kryeredaktore e gazetës “Arbëria”, pronare e revistës “Java”, gazetar e revistës “Minerva” etj. Në organet që ajo drejtonte do t’i kushtonte një vend të rëndësishëm luftës kundër pabarazisë dhe shkallës së inferioritetit të gruas në familje dhe shoqëri. Nga fotot e saj, veshjet që ajo përdorte ishin shumë moderne, të stiluara prej stilist italian të kohës. Kapele të vogla, fustane me prerje poshtë belit dhe me pala korrenti. Palat ishin të mëdha dhe të vogla, kordelet ishin në modë, flokët e ngjitura pas kokës dhe të shkurtra. Dekoltetë nxirrnin në pah hijeshitë femërore. Më pas pllakosi kriza e madhe që solli edhe shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Kristian Dior ka thënë: “Sa më mirë të jetë gjendja ekonomike e një vendi aq më të pasura janë modelet, sa më të varfra të jenë shtetet aq më të varfra do të jenë modelet... funde të shkurtra do të thotë gjendje e mirë ekonomike...”.
Ishte koha e grave me tik dhe veshje sportive. Kulti i trupit të fortë lulëzoi edhe në Rusi. Ruset visheshin me pantallona ku u dilnin në pah kofshët me muskuj dhe këmishat që nxirrnin në pah shpatullat dhe krahët me muskuj. Para se të fillonte lufta, moda femërore konsistonte në kostum që dukej si uniformë ushtarake.
1950, xhentëlmenët preferojnë biondet
Pas shkatërrimit, vuajtjeve si dhe urisë së tejskajshme që shkaktoi Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Njerëzve u lindi dëshira për elegancë, ndjenjë që filloi t’i pushtojë dukshëm gratë e pas luftës. Në modën e atëhershme sunduan ngjyrat e forta dhe veshjet me silueta të dukshme. Stili filloi të diktohej nga Kristian Dior. Krijimet e këtij stilisti të famshëm jepnin tek gratë format që ngjanin me sahatin e rërës. Beli shumë i hollë, shpatullat e rrumbullakosura e të gjera dhe fundet me përmbajtje shumë të ngarkuara. Për qepjen e një fundi të tillë duheshin 10 m. copë. Një përdorim të gjerë patën çadrat, dorezat, çantat, kapelet dhe këpucët me taka të larta e të holla. Pudra dhe ruzhi, të zhdukura deri në atë kohë, filluan të shfaqen përsëri. Merlin Monroe ishte femra idhull e asaj kohe dhe e shumë kohëve që mundoheshin ta imitonin të gjitha gratë dhe vajzat. Nuk mohohet fakti që ajo ishte një femër plot hire, por edhe trukatorët e Hollywood-it i bënin asaj një grim të rrallë. Lëkurën e saj të zbehtë e pudrosnin me pudër ngjyrë të rrallë, mbi buzët e holla vendosnin dy-tre lloj të kuq buzësh kremoze, qerpikët ia kuronin, ia lyenin dhe ia zgjatnin deri tek vetullat. Mos flasim për ngjyrën e flokëve. Prej një ngjyre kafe të zakonshme në bionde platin. Në këtë mënyrë Hollywood-i prodhoi një idhull që mbetet e pavdekshme deri në ditët tona. Akoma kur shfaqet në TV të gjithë mahnitemi prej bukurisë së saj. Përdorte përherë parfumin e saj të preferuar “Channel 5”, të cilin e përdori deri në fund të jetës. Shumica e njerëzve nuk e dinë se pas korsesë së shtrënguar fort, pas flokëve, ngjyrës së tyre dhe të lëkurës fshihej një femër fare e zakonshme e me ca kilogramë më shumë. Megjithatë, ajo mbetet shembulli i bukurisë në historinë e sotme të njerëzimit.
Seks, narkomani, rock & roll & minifund, 1960-1970
Vitet ‘60 dallohen si vite që karakterizohen nga revolta të rinisë, që nuk do jenë besnike të rregullave strikte dhe traditave të vendosura prej prindërve. Për herë të parë moda e rrugës hyri në jetën e secilit. Kjo lloj mode u ndoq edhe nga klasat e pasura të shoqërisë. Në atë kohë moda dhe jeta sociale pësoi një revolucion. Burrat u çliruan nga moda e rreptë zyrtare e kravatës, kostumit dhe e këmishës së bardhë. Filluan të shkonin në zyrë të veshur sportiv. Kostumet u përdorën shumë rrallë. Moda femërore e atyre viteve u ndërthur me shumë shije, kombinimi i modernes me klasiken, traditën, folkun etj. Në të mund të gjeje një kombinim kombesh që nga lindja e largët, tiroleze, cigane etj. Kjo mënyrë e të veshurit e bëri gruan më të lirshme, më natyrale, më të pavarur. U largua njëherë e përgjithmonë moda strikte e veshjes, rregullat e rrepta të sjelljes. Në Angli për herë të parë me ligj lejen e lindjes nuk ishte e detyruar ta merrte vetëm e ëma e fëmijës, por edhe i ati. Kështu babai mund të qëndronte në shtëpi dhe mamaja të shkonte në punë. Gruaja u bë fuqiplotë, zgjidhte të gjitha problemet jashtë mureve të shtëpisë, ndërsa burri qëndronte në shtëpi dhe merrej me të gjitha punët brenda shtëpisë.
Për sa i përket modës nëpër garderobat e tyre u shfaqën veshje me dizajno grafike, geta me figura gjeometrike, këpucë dhe çizme me takë katrore. Natyrshëm nga Meri Kuant dhe Kurezh lindi minifundi. Hyri stuhishëm në mënyrën e të veshurës dhe ende qëndron në krye edhe sot në ditët tona. U vesh nga vajzat e moshave të ndryshme, por edhe nga gra që e pëlqenin. Ndërsa Merlini dhe Tuini i treguan botës rëndësinë e kësaj mode që nxirrte në pah bukurinë e femrës. 17-vjeçarja londineze me peshë 40 kg, iu imponua vajzave të moshës së saj dhe ato e imituan si në veshje, në mënyrën e krehjes dhe në peshën trupore. Për një kohë relativisht të gjatë ajo u bë idhulli i vajzave adoleshente dhe grave të reja. Psikologë dhe gastro-entirologë akoma deri më sot nuk janë në gjendje të zbulojnë dëshirën e vetësakrifikimit deri në vdekje për hir të elegancës dhe përmasave të trupit të shumë vajzave të reja. Aq e madhe ishte dëshira për t’u bërë si Merlini saqë ato për hir të modës të duronin shumë lloje sëmundjesh si anoreksia apo neuroza e rëndë. Nuk kanë qenë të pakta rastet që këto vajza arrinin deri në vdekje dhe asnjë mjek nuk iu shpëtoi dot.
Vitet ’80, koha e “Vajzave me material”
Në këtë periudhë në modë janë gratë punëtore, të shkathëta, novatore, nëna të mira që punonin shumë, fitonin shumë, por edhe harxhonin shumë. Motivi që ishte karakteristikë për atë periudhë ishte: “Unë jam vajzë e ndjeshme, nga ana materiale, jam vajzë materiale dhe jetoj në një botë materiale...”. Nëse mund të kujtoni Madonën në rininë e saj, një vajzë e veshur pa gusto, e bëshme. Por sot Madona është një nga gratë më elegante dhe ekstravagante të botës. Në vitet ‘80 ishte moda e grave me flokë bionde, të mbledhura bisht dhe me balluke. Aerobia e Xhejn Fondës, shndërrohet nga të gjitha gratë në mani të vërtetë. Në veshje spikasnin elemente të detajuara sportive të ndërthurura me elemente ekstravagante. Mbaheshin shumë getat ngjyra-ngjyra, fjongot apo zbukurimet masive në ballë, xhupa me ngjyrë floriri, florishente dhe argjendi. Syzet e diellit mbahen nga mëngjesi deri në darkë, si në verë dhe në dimër. Një vëmendje të veçantë iu kushtua aksesorëve të ndryshëm, pra ngjyrat e ndezura, pantallonat me manshetë, fundet dhe xhupat e lëkurës, por edhe pantallonat në formë shallvaresh. U duk se po kthehej një nostalgji e shumë stilistëve që arritën me shumë mjeshtri kombinimin e modës mes të kaluarës dhe të tashmes.
Pas 1990-ës, uniseksi
Nga vetë fjala del kuptimi: barazimi mes sekseve. Kjo fjalë gjeti kuptimin teh veshja si p.sh., blu xhinsi, T-shirt-i, atletet, parfumi etj. Në fillim të viteve ‘90, një modë e tillë provokoi një shok të vërtetë. Ligjvënësi Calvin Klein përdori një armë të fortë dhe mori si shembull vajzën e bukur Kate Moss, që ishte bërë idhulli i të gjitha vajzave. Ajo i përngjante një djali si nga veshja, ashtu edhe nga flokët. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit të shekullit XX, kishte të rinj që shëtisnin rrugëve të metropolit dhe dalloheshin nga modeli i flokëve, vajza me flokë të shkurtra dhe djemtë me flokë të gjata. Të dyja sekset përdornin të njëjtat parfume, çorape të bardha. Po t’i shihje në kurriz dalloheshin me shumë vështirësi. Kjo modë ishte edhe një revoltë e uniseksit, pra për të drejta të barabarta mes gjinive, ndaj sistemit social që shprehej në këtë mënyrë nga të dyja sekset. Kjo ishte një tip “revolte” që i shkundi gratë e asaj epoke, duke i paralajmëruar për ndryshime... por feminiteti përsëri paralajmëronte ardhjen në modë të shumë aksesorëve.
Ishte viti 1993, në pasarelat e modës në Paris, Vivjan Uestud demonstronte veshjet e saj. E veçanta ishin takat shumë të larta me dekolte dhe me rripa të lidhura zik-zak deri tek kyçi i këmbës. Këpucët ishin të larta edhe në platformën e përparme. Përdoreshin këpucë ngjyra-ngjyra, por edhe ato llustrafinet, kamosh etj. Përdoreshin dendur getat e bardha edhe nëse nuk shkonin me veshjen. Kishte edhe kombinime të tilla si p.sh., veshje bojëkafe, geta të bardha dhe këpucë shumë të larta lejla.
Në vitin 1997, stilisti irlandez, Lejini Keo, bëri të qartë pas shumë kohësh se bukuria e një femre nuk qëndron në faktin e dobësisë së saj. Në këtë sfilatë sfiloi në pasarelë Dall, e cila kishte masën 52 të veshjes. Kritikët më të rreptë të modës e mbështetën sepse ishte hera e parë që në pasarelë dilte një vajzë me këtë përmasë. Ajo theu tabu dhe vërtetoi se bukuria vjen nga shpirti.
Përherë të parë në pasarelën e vitit 1998 stilisti i famshëm, Alizandër Makkuin, realizoi sfilatën e tij të parë me vajza dhe djem me aftësi të kufizuar. Dantellat, palat, frutat ishin karakteristike për modën e atij viti. Sfilata u organizua me moton: “Bukuria e brendshme është më e rëndësishme se pamja jashtme...”. Kjo pasarelë u ndoq me shumë interes dhe gratë zgjodhën shumë veshje. Stilisti pati vlerësime shumë të larta, sepse deri në atë kohë ishte i pari që kishte organizuar një sfilatë të tillë.
Viti 2000, mijëvjeçari i ri
Kam arritur në një përfundim të vetëm, për tiparet e veçanta që karakterizohet moda e mijëvjeçarit të ri. Kombinimi i klasikes me modernen si dhe kombinimi i modeleve të orientit me klasiken. Ne jemi dëshmitarë të fantazisë së pasur pa kufi të stilistëve të mrekullueshëm që po tronditin botën e modës. Nga çfarë frymëzohen ligjvënësit e modës? Stefano Pilati thotë: “Mora ide nga dorëshkrimet flamengo, ku përzihen asketizmi i linjave të rrepta dhe luksi i floririt, e purpurta si dhe argjendi”.
Zhan Pol Gotje: “Në koleksionin tim të fundit tek frymëzimi im ishte e pranishme Rusia në fund të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Me kaloshinat në mes të borës me tre kuaj, muzikën cigane dhe Anna Karenina. Ato më shtyn të kombinoi tuid me saten, lëkurë të butë dhe mëndafsh, cincilla dhe shifon.
Alber Elbaz: “Vendosa të tregoj virtuozen dhe mjeshtërinë që duhet të ketë një mjeshtër për t’i krijuar dhe qepur një zonje. Një mbresë të thellë më lë xhaketa me bel të theksuar me supe të rrumbullakosura - këto nxjerrin në pah linjat e bukurisë femërore dhe kësisoj gratë më duken me bukurinë e statujave. Elegancë, dhe ekuilibër”. Koleksioni dimëror për të ftohtin, përpunuar nga stilistët më të mëdhenj të botës, kanë parasysh disa prioritete si komforti, feminiteti, nostalgjia për të kaluarën, ekuilibri mes novatorizmit dhe klasikes. Tashmë asgjë nuk është e ndaluar, gjithçka varret nga ne gratë se cilën nga tendencat e modës do të ndjekim. U kthyen xhaketat prej lëkure. 2006 tregoi kthimin e fustaneve të Merlin Monroe-s por edhe tunikat me pala të Greta Garbos, mantelet e shkurtra të Uma Truman të Anzhelin Zholis etj. Fundet e 2006, jo më kot janë quajtur balona apo tullumbace, por pa lënë mënjanë supet që janë si moda e viteve ‘80, që imponojnë tipin e gruas së fortë, autoritare, që nuk i toleron asgjë mashkullit. Pa harruar mantelet me gjatësi deri tek gjuri me volum të madh ku na kujton artin e futurizmit të Kaerdenit në vitet ’60, pasarelave të modës, të stinëve shumëngjyrëshe të vitit për 2010 dhe 2011.