E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatësia: E drejta me qenë vetëm

Në Angli, nga Cleveland Street Scandal më 1889 në skandalin Profumo më 1963, në SHBA nga Kennedy te Lewinsky, në Francë nga vajza sekrete e Francois Mitterrand më 1994 në homoseksualizmin e nipit të tij, ministrit aktual të Kulturës

Ndoshta pas pak vitesh kur Wikipedia në gjuhën shqipe të funksionojë rregullisht, midis ngjarjeve të marsit 2009 do të gjejmë drejtësisht të shkruar “Skandali Pango”, sepse po drejtësisht është e justifikueshme të kujtohet një nga ngjarjet sociale më “të bujshme” të shoqërisë shqiptare, ku për herë të parë, nën reflektorët e fuqishëm të mjeteve të informacionit u vunë përballë e drejta e privatësisë me të drejtën e bërjes publike. Nuk dua të risjell këtë ndodhi që jam e sigurt se është ende e freskët në kujtesën e shqiptarëve e as të gjej emrin e kujt mban ky mëkat. Ngjarje të tilla ka pasur në çdo shtet e ndoshta të tjera do të shtohen. Në Angli nga Cleveland Street Scandal më 1889 në skandalin Profumo më 1963, në SHBA nga Kennedy te Lewinsky, në Francë nga vajza sekrete e Francois Mitterrand më 1994 në homoseksualizmin e nipit të tij, ministrit aktual të Kulturës, pra nga shteti në shtet, nga viti në vit, e drejta për privatësi dhe e drejta për të bërë publike kanë qenë përherë dy rivale të forta ndaj njëra-tjetrës. Por çka dua t’u kujtoj wikipediasve të ardhshëm shqiptarë është që po aq drejtësisht të mos harrojnë të rendisin midis ngjarjeve të të largëtit vit 1890 publikimin e teorisë bazë mbi të cilën u ngrit e drejta e Privacy së individit prej së cilës shoqëria jonë e sotme ka ende shumë e shumë për të mësuar. Më 1890 në faqet e “Harvard Law Rewiew”, avokatët amerikanë Samuel Warren e Louis Brandeis, midis të tjerave do të pyesnin: “E drejta ka njohur gjithmonë se shtëpia e një njeriu është kështjella e tij, shpesh e pahyrshme edhe nga ata që janë ngarkuar të zbatojnë këtë urdhër. Mos duhen vallë gjykatat t’u shembin portën kryesore autoriteteve përkatëse për t’i hapur gjerësisht derën e pasme kuriozitetit gërmues e të pavlefshëm?”

Mos harrojmë se ishte më shumë se një shekull më parë e sot kjo pyetje në situata e vende specifike vazhdon të mos marrë përgjigje.

Në emër të kujt mund të vendoset kufiri ndarës midis privates e publikes? Në emër të kujt duhet respektuar tabela “Ndalohet hyrja”? Në emër të kujt nuk duhet të publikohet një foto, një telefonatë, një moment intim i një “emri të njohur” apo i një personi thjesht “X” pranë tij? E kush e ka koshiencën e duhur për të marrë një vendim të tillë?

Akuza, denoncime, procese gjyqësore, indinjatë, fyerje e përballë tyre koka të varura, portrete profesionale të njollosura, jetë private të shkatërruara dhe të gjitha së bashku kanë vetëm një emërues, “privacy” - “the right to be let alone”, pra e drejta për t’u lënë vetëm.

Publik e privat, jetë personale e profesionale, respekt e fyerje, dinjitet e injorim dhe midis tyre një fill delikatisht i vështirë e kompleks për t’u përcaktuar. Gossip, legjenda metropolitane, foto të vjedhura e më në fund një karrierë politike u gropos, një figurë profesionale u shkua dëm e një jetë personale u dhunua. Po çfarë rëndësie ka? Gazetaria e sotme jeton me super-titujt e lajmet “bombë” dhe bota e politikës apo e spektaklit i shfrytëzon. Individi harrohet duke kënaqur publikun e përpikmërisht ky i fundit injoron mjetet e përdorura për këtë qëllim.

Sa telefonata bëjmë në ditë të qetë se askush nuk po na dëgjon? Sa email-e dërgojmë të sigurt se password-i që kemi, nuk e di askush? Sa shpengueshëm lëvizim në intimitetin tonë pa imagjinuar se dikush po na përgjon? Edhe në ato pak raste që ndoshta diçka të tillë e kemi menduar, fjala magjike “privacy” na ka qetësuar. Po sikur të mos jetë kështu?

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë në Gjermani ka eliminuar dispozitat e një ligji, i cili në emër të luftës kundër terrorizmit detyronte kompanitë telefonike të ruanin të paktën për gjashtë muaj të dhënat mbi telefonatat dhe përdorimin e internetit nga klientët e tyre. Në Britaninë e Madhe instalimi i 26 telekamerave, pa konsensusin e prindërve e nxënësve, brenda ambienteve të shkollës Grace Acadamy të Birminghamit ka shkaktuar e vazhdon të jetë një polemikë shumë e ndezur. Në shkurt të 2010-s tre menaxherë të Google Video u dënuan me gjashtë muaj burg për një video të hedhur në rrjet në vitin 2006, ku shfaqeshin pamjet e një djali down që rrihej nga shokët e klasës. Robbie Williams dhe Ayda Field sapo zbuluan se media ishte në dijeni të datës së ceremonisë martesore të tyre, anuluan gjithçka në pritje të një momenti intim për të kurorëzuar dashurinë me njëri-tjetrin. Vetëm pak orë më parë Federata Angleze e Futbollit me një komunikatë shtypi ka deklaruar gjetjen e mikrofonave spiunë në dhomat e hotelit ku mikpritjen futbollistët e kombëtares dhe avokatët e saj me një letër të hapur e në emër të ligjit kërkojnë nga gazetat vendase mospublikimin e materialeve të regjistruara në rastin se dikush ua ofron. Gjithçka në emër të së drejtës për t’u respektuar e për t’u lënë vetëm, kur e ku duam ne.

Akuza, denoncime, procese gjyqësore, indinjatë, fyerje, përballë tyre koka të varura, portrete profesionale të njollosura, jetë private të shkatërruara e të gjitha së bashku kanë vetëm një emërues të njëjtë, “privacy” - “the right to be let alone”, pra e drejta për të qenë vetëm. Jetojmë në një kohë kur është e vështirë të mos dëgjosh të flitet të paktën një herë në ditë për fjalën “privacy”. Nevojshmëria për të pasur një hapësirë të shkëputur nga të tjerët e për të përfituar psikologjikisht e materialisht nga ky izolim është një e drejtë dhe biologjikisht e domosdoshme për njeriun, e të cilën ai e ka pretenduar gjithnjë. Nuk është çështja për të përcaktuar se ka ardhur momenti historik për të ndarë kufirin midis të drejtës për privacy e të drejtës për të bërë publike, por thjesht për të kuptuar procesin e transformimit të një të drejte në diskriminim e më pas në një kulluese me vrima që mbyllen e hapen qëllimisht.

Lindja e konceptit “privacy”

Shekulli XIX është shekulli i lindjes së këtij koncepti. Sot kur flitet për privacy shpesh i referohet vetëm privacy së të dhënave, duke harruar se ky është vetëm një përkufizim i pjesshëm i saj. Kjo fjalë e ardhur nga latinishtja “private” nën kuptimin e diçkaje, ku nuk lejohet hyrja, u teorizua si një e drejtë nga dy avokatë të Bostonit, Samuel Warren e Louis Brandeis. Qe viti 1890 kur në faqet e të famshmes “Harvard Law Rewiew” dy avokatët e rinj publikuan teorinë e titulluar “Privacy, the right to be let alone”. Ky artikull qe një kundërpërgjigje ndaj shtypit lokal që kishte nisur të vëzhgonte manjakërisht jetën e shfrenuar me para e në festa të avokatit Samuel Warren, i cili qe martuar me vajzën e një senatori të rëndësishëm të Kongresit Amerikan. Në esenë e tyre, Samuel Warren e Louis Brandeis shprehnin konceptin e privacy si një e drejtë për t’u lënë vetëm, duke përjashtuar çdo ndërhyrje të huaj brenda mureve fizike e morale të individit. Vëmendja e tyre u përqendrua në dhunimin konstant e të përhershëm të shtypit kurioz e të pandjeshëm nga principit “pacënueshmëri e personalitet”, të cilin autorët e konsideronin si pjesa më e rëndësishme e të drejtës së personit, “the right to one's personality”. Por mbi të gjitha ata kishin vëzhguar se në “common law” mungonte sistemi legjislativ që tutelonte të drejtën e privatësisë. Kjo e drejtë qe e pamundur të mbrohej me predispozita kontratash, gjë që degjeneronte lajmet false dhe shpifjet. Gjithashtu, duke ekzaminuar ligjin për “copyright” (mbrojtja e publikimit të veprave akoma të pashpërndara), ata kishin vëzhguar se si ai që i jepte individit të drejtën e pronësisë, ashtu dhe e drejta e pronësisë duhej të shkëputeshin nga logjika e pronësisë dhe të fitonin dinjitetin e të drejtës autonome. Kjo analizë fillestare e Samuel Warren e Louis Brandeis dhe tezat e mëvonshme e të larmishme të juristëve amerikanë konkretizuan më 1903 lindjen e ligjit të parë për “privacy” në SHBA, i cili u publikua fillimisht nga shteti i Nju Jorkut e u rishikua më 1911 e 1921 dhe ekziston deri më sot. Nga ky moment “the right to privacy” mund të përdorej për mbrojtjen e interesit të individit në linja të ndryshme mbrojtjeje si për të kundërshtuar publikimin e lajmeve mbi shëndetin, gjendjen ekonomike, moralin, përdorimin e imazhit pa konsensusin e personit etj.

Rreth viteve ’60, falë ndryshimeve teknologjike e sociale, u bë një rishikim i konceptit të privatësisë, e kuptuar tashmë si një e drejtë e individit për të kontrolluar qarkullimin e materialeve informative që i takon.

Në Angli, ndryshe nga SHBA-ja, mungesa e Kartës së Kushtetutës çoi në kërkimin e mbrojtjes së privatësisë me anë të renditjes së shumë normave juridike mbrojtëse. Të tilla qenë:

-“Breach of confidence”, mbrojtjen e aktivitetit të përdorimit të paautorizuar të lajmeve të marra në rrugë konfidenciale ndaj të cilave je i detyruar të heshtësh.

-“Trespass”, mbrojtjen e mbledhjes së informacionit privat të individit nga shkelja apo dhunimi i të drejtave të tij.

-“Nuisace e Defamation”, mbrojtja ndaj akteve fizike, nga molestiet telefonike e ndaj çdo aktiviteti tjetër që shkakton vuajtje në dëm të individit.

Pra, dhe ky historik i sipërfaqshëm i lindjes së konceptit privacy na kujton se nevojshmëria për të pasur një hapësirë të shkëputur nga të tjerët e për të përfituar psikologjikisht e materialisht nga ky izolim ka qenë dhe është një e drejtë dhe biologjikisht e domosdoshme për njeriun, të cilën ai e ka pretenduar gjithnjë. çështja bazë është përherë e njëjta: gjetja e pikës së ekuilibrit midis vlerave legjislative dhe atyre sociale në situata konkrete. E historikisht, raporti midis njohurisë e privatësisë manifestohet nën rrënjët e një tensioni të fortë në sistemin e informacionit. E drejta e informacionit e ka themelin në lirinë e shprehjes së mendimit, në lirinë e komunikimit e si e tillë nuk mund të konsiderohet vetëm si një interes gazetaresk. Kjo e drejtë gjen vend në të drejtën e informimit të publikut, në transparencën që duhet të karakterizojë çdo shtet demokratik. Por, liria e komunikimit, e drejta për t’u njohur, transparenca nuk munden kurrë të eliminojnë nevojshmërinë e intimitetit, domosdoshmërinë për të ndenjur “pas skenës” e, mbi të gjitha, të drejtën për të ndërtuar lirisht sferën tënde private, zhvillimin e lirshëm të personalitetit e respektimin kur e kudo qoftë të dinjitetit tënd. E pikërisht respekti i dinjitetit të individit është baza e cdo ligji mbi mbrojtjen e privatësisë së individit në çdo shtet.

Ja si e mbyllin më shumë se një shekull më parë esenë e tyre “Privacy, the right to be let alone”, avokatët e rinj Samuel Warren e Louis Brandeis: “E drejta ka njohur gjithmonë se shtëpia e një njeriu është një kështjellë shpesh e pahyrshme edhe nga ata që janë ngarkuar të zbatojnë këtë urdhër. Mos duhen vallë gjykatat të shembin portën kryesore autoriteteve përkatëse, për të hapur gjerësisht derën e pasme kuriozitetit gërmues e të pavlefshëm?”

E pra, mbrojtja e një shoqërie e brishtë apo e fortë duhet të vijë paraprakisht nga rinjohja e të drejtës së individit, respektimi i asaj çfarë ai kërkon të respektojë e mbi të gjitha, e drejta për t’u ndier i lirë në privatësinë e tij.

Privacy nën kronikën rozë shumëvjeçare të politikës ndërkombëtare

Skandali Cleveland Street 1889. Këtë emër mori nga gazetat skandali i zbuluar më 1889, ku u përfshi një numër i konsiderueshëm aristokratësh që frekuentonin një shtëpi publike meshkujsh në Londër, në një epokë kur homoseksualizmi konsiderohej një krim edhe ndaj të rriturve.

Skandali Profumo 1963. Zbulohet marrëdhënia sekrete midis John Profumo ministrit konservator anglez e showgirl Cristine Keeler pothuajse një vit pasi kjo marrëdhënie kishte marrë fund. Profumo jep dorëheqjen e kjo gjë përcakton dhe krizën e qeverisë së Mac Millan.

Eduard VIII 1936-1937. Mbreti anglez dashurohet me amerikanen e divorcuar dhe e rimartuar Wallis Simpson. Braktis fronin mbretëror, duke i lënë vendin vëllait të tij të vogël, për t’u martuar me Wallis në Francë. Në ceremoninë e martesës nuk merr pjesë familja mbretërore.

Francois Mitterand 1994. Në faqet e “Paris Match” publikohen disa foto të Francois Mitterrand me vajzën e tij sekrete Mazarine Pingeot.

J. F. Kennedy 1964. Marrëdhënia intime e J. F. Kennedy me aktoren Marylin Monroe zbulohet e ushqen për shumë kohë faqet e shtypit të shkruar.

Bill Clinton - Skandali Lewinsky. Stazhistja 22-vjeçare e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky bën publike marrëdhëniet e saj intime me Presidentin amerikan, e zgjatur në kohë nga viti 1995-1997.

Skandali Savoja 2006. Vittorio Emanuele di Savoia, trashëgimtari i fronit mbretëror italian përfundon në burg nën akuzën e favorizimit të prostitucionit ofruar klientëve në kazinonë “Kampionët e Italisë”.

Frederic Miterrand 2009. Ministri aktual i Kulturës në Francë dyshohet për pedofili, shkak bëhet homoseksualizmi i tij e botimi para disa viteve i një libri pothuajse autobiografik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›