E Diel, 1 Nëntor 2026

Po rrisim fondin e barnave dhe cilësinë e kurimit

Intervistë me z. Ilir Dashi, drejtor i Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza”


Më në fund një menaxher i provuar në drejtim të strukturës spitalore më të rëndësishme të vendit, z. Dashi. Si e shikoni këtë detyrë?

Prej disa vitesh, problematika e madhe dhe komplekse bëri që QSUT të përflitej për disa gjëra që nuk ecnin, madje disa edhe regresonin. Por, nuk duhet të mohojmë në asnjë mënyrë të gjithë personelin e qendrës që ka kontribuar dhe shënuar arritje të njëpasnjëshme, pavarësisht se perceptimi publik është që në QSUT ka shumë probleme dhe menaxhimi është i vështirë. Vështirësinë e menaxhimit e jep më shumë madhësia e institucionit, por kjo do të ishte gjysma e së keqes. Vështirësitë gjenerohen nga kompleksiteti i punëve. Në qendër ke të bësh me shumë fenomene, me një qeverisje të gjerë, me një menaxhim të shumë sektorëve, që nga ana mjekësore, akademike, shëndetësore, spitalore, hoteliere (të shtrimit dhe mbajtjes së pacientëve), teknologjike, të impianteve. Praktikisht çdo gjë që ka të bëjë me spitalet. Ky kompleksitet e vështirëson punën. Aq më tepër gjetja në vështirësi e strukturës. Treguesi kryesor i një qendre spitalore duhet të jetë një dhe vetëm një: cilësia e lartë e shërbimit ndaj pacientit. Unë e quaj sfidë. Më mirë të provohesh në një ambient të vështirë sesa të lehtë.

QSUT po ndryshon shumë dhe shpejt. Cilat janë drejtimet e këtij ndryshimi?

Para disa javësh, vetë Kryeministri lançoi konsolidimin e hapave të reformës shëndetësore. Deklaroi se kjo reformë fillon në Tiranë dhe pikërisht në QSUT. Reforma ka të bëjë me një paketë të madhe masash. Dua të përmend një masë të re, sistemi i dixhitalizimit. Nuk mund të ketë reformë në shëndetësi pa informatizimin e saj. Do të kemi një sistem informacioni elektronik spitalor (në anglisht “hospital information system”, shkurt HIS), i cili nënkupton një proces shumë të gjatë, të shtrirë ndër vite, me faza, por jo duke pritur. Pak ditë më parë u mblodh grupi i punës (task-force) dhe vendosëm fillimin e hapave të parë drejt dixhitalizimit. Ky proces do të nisë në shërbimin parësor dhe dytësor mjekësor dhe njëkohësisht në atë spitalor. Dixhitalizimi në spitale nënkupton që çdo trajtim atje të dalë në kompjuter, të regjistrohet në dosjet (fajllet) elektronike. Dixhitalizimi do të përfshijë jo vetëm shërbimet bazale, por do të shtrihet deri në thellësi në dixhitalizimin e diagnozës. Ky proces e bën gjithë trajtimin spitalor shumë transparent, të kontrollueshëm dhe të shikueshëm nga qytetarët. Por kryesorja në drejtim të reformës na jep mundësi për të llogaritur shpenzimet dhe për herë të parë për të pasur kostot. Duke pasur kostot, do të ndërtojmë marrëdhëniet reale midis atij që e shet shërbimin spitalor dhe atij që e blen, qoftë ky edhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore.

A mendoni të privatizoni shërbimet jokryesore të QSUT-së?

Një nga anët e reformës spitalore është fokusimi i shërbimit tonë spitalor në drejtim të trajtimit mjekësor të pacientit. Synojmë që për shërbimet dytësore të japim leje për ta kryer të tretë, ajo që në gjuhën angleze të menaxhimit quhet “outsourcing”. Po privatizohet sistemi i ushqimit në QSUT, i lavanderisë, i hotelerisë. Po flitet sot dhe për privatizimin e asaj që në gjuhën teknike quhet “imazheri”, pra ekzaminimi i figurës nëpërmjet radiografive të ndryshme. Po mendojmë të privatizojmë një tjetër pjesë të sektorit të ekzaminimeve, laboratorët. Këto janë impiante aq të ndërlikuara, saqë një defekt, mungesë e vogël krijon probleme të mëdha, ndërsa kur kontrakton një të tretë, përgjegjësinë e merr tërësisht ai. Nga ana jonë lipset një proces kontraktimi sa më i kujdesshëm, që parteri privat të jetë ai më i miri dhe i besueshëm. Duke privatizuar shërbimet jodytësore, mendoj se cilësia e këtyre shërbimeve do të rritet dhe shërbimi spitalor yni do të fokusohet në trajtimin mjekësor dhe shërimin e pacientit.

Do të ndryshojnë edhe ambientet e spitalit?

Që me marrjen e kësaj detyre, e konsiderova atë në dy drejtime: atë të funksionit dhe të imazhit. Me imazh kuptoj tërësinë e kushteve të mirëpritjes së pacientit në spital. Jo thjesht një figurë që ka prapa një realitet ndryshe, sikurse disa herë perceptohet tek ne imazhi. Kushtet spitalore do t’i përmirësojmë në mënyrë urgjente. Ende sot, po të hyni në ambientet e QSUT-së, nuk e dalloni nëse është spital apo jo. Ka ende kaos në lëvizjet e makinave, qytetarëve dhe vizitorëve. Nuk ka rregull, nuk ka sinjalistikën e duhur. Unë këto i kam në një plan veprimi dhe shumë shpejt do të kemi një ambient më të rregullt, më të sistemuar, me lëvizje të kontrolluara brenda në spital. Me një fjalë, qytetari, ndryshe nga të gjitha këto vite, kur do të hyjë në QSUT këtej e tutje, do ta ndiejë që ka hyrë në një spital, pse jo, edhe bashkëkohor. Do të përdorim të gjithë elementët e spitaleve moderne, me recepsionin dhe pritjen e rregullt, me sinjalistikën, pse jo, dhe me fasadën e duhur. Plani i veprimit tani është në procesin e prokurimit dhe zbatimit, por nuk po presim për të rregulluar ambientin, pastaj të vendosim rregulla. Punojmë paralelisht. Përpara pak ditësh kam nxjerrë një urdhëresë të rregullimit të fluksit të pacientëve që vijnë në disa pika kontakti të QSUT-së. Bëhet fjalë për konsultat, urgjencat etj. Mediat kanë folur për një ngarkesë jo të merituar dhe të pakëndshme që i krijohet personelit mjekësor në urgjencat e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, ashtu dhe në reanimacionet. Janë të lidhura zinxhir: konsultë-urgjencë-pavijon. E trajtova bashkë me stafin tim. Kemi një ekip shumë të mirë, të vendosur për të bërë progres në QSUT. Nxorëm një urdhër që normalizon të gjithë atë ngarkesë të madhe. Gjithçka vinte nga mosfunksionimi mirë i sistemit të referimit. Që kur u vendos përpara pak kohësh, ky sistem kontribuoi në normalizimin e fluksit të vizitorëve nëpër konsulta. Por vizitorët, duke ndeshur këtë sistem shtrëngues të referimit, gjetën një rrugë tjetër dhe kaluan tek sistemi i urgjencave. Duhej vendosur një filtër dhe urdhër që të normalizohej situata dhe në urgjenca. Janë urdhra që nxjerrim përditë dhe ky rregull shkon kur zbatohet në një ambient më të sistemuar.

A ju ndihmon buxheti i shtetit me fonde?

Sa herë që flitet për fonde të buxhetit, më kujtohet shprehja e një menaxheri slloven të spitaleve, që tha se fondet për spitalet nuk mjaftojnë asnjëherë. Por, nëse themi që nuk mjaftojnë, kjo nuk nënkupton se nuk shpresojmë të përmirësojmë gjendjen. Në të kundërt, fondet nga shteti janë rritur. Në shkallë kombëtare, nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Kombëtare Shëndetësore, me 9 për qind këtë vit dhe vetëm në një zë tek ne, në shpenzimet operative kemi rritje me 7 për qind. Këtë rritje të buxhetit unë do t’ia kushtoj rritjes së shpenzimeve për barna. Kemi dhe një rrugë tjetër, krijimi i të ardhurave dytësore për spitalin. Vjet doli një ligj që na mundëson t’i përdorim në masën 100 për qind të ardhurat vetjake të spitalit. Sipas rregullit, 40 për qind të këtyre të ardhurave mund të kalojnë në shpenzimet operative të spitalit dhe synoj që pjesën më të madhe të këtij 40-përqindëshi t’ia kaloj blerjes së barnave. Kemi dhe një rrugë tjetër, e cila të bën optimist për gjetjen e fondeve shtesë. Shpeshherë problemet janë krijuar edhe nga mosplanifikimi i duhur. Do të arrijmë me planifikim të saktë të shpenzojmë mirë dhe aty ku duhet dhe sidomos të mos tejkalojmë shpenzimet në zëra të caktuar.

Mediat kanë folur për raste kur QSUT-së i kanë munguar barnat për trajtime të ndryshme mjekësore. është e vërtetë kjo?

Kjo nuk është e vërtetë në tërësi. Mirëpo mosplanifikimi i mirë ka bërë që ndërkohë që në spital ka gjendje barnash të shtrenjta të gjeneratës së dytë e të tretë të antibiotikëve, ngandonjëherë nuk gjenden antibiotikët bazë, ata të gjeneratës së parë. Kjo nuk ka kuptim. është krijuar nga një planifikim i pakujdesshëm. Do të cilësoja edhe një planifikim të papranueshëm. Fondet nuk mungojnë. Ato janë dhe na sigurojnë një furnizim të rregullt me barna që ato të mos mungojnë asnjë ditë, madje as edhe një orë gjatë gjithë vitit në spital. Nevojitet vetëm ky planifikim i saktë dhe i kujdesshëm, që situata kur ka me shumicë barna të shtrenjta dhe nuk gjenden ato bazë të mos vërehen më. Këto ditë na u hap buxheti dhe po punojmë për përcaktimin e një pakete me barna bazë, në mënyrë që të jemi transparentë përpara njerëzve dhe t’u themi: Kjo paketë bazë është dhe nuk ka nevojë për panik. Rastet e përsëritura të mungesës së disa barnave bazë kanë krijuar psikozën se në spital mungojnë barnat. Kjo nuk është e vërtetë. Madje, po punojmë që për barnat e shtrenjta të kategorive të tjera të rrisim sasinë që mund të sigurojmë. Kuptohet, në opinion kujtohen rastet e mungesave. Por kemi me dhjetëra e dhjetëra raste të pacientëve që janë trajtuar e kuruar tek ne për problemet akute që kanë pasur, duke përdorur barna shumë të shtrenjta të ofruara nga spitali.

Shumë pacientë tregojnë raste kur të afërmit e tyre janë detyruar t’i blejnë vetë barnat nga farmacitë pranë spitalit. Keni hasur ju raste të tilla?

Keqmenaxhimi i barnave në të shkuarën ka lënë hapësirë edhe për abuzime. Këto raste kanë ndodhur. E rëndësishme është që unë me ekipin tim kemi kuptuar që kontrolli, qëndrimi i rreptë dhe marrja e masave deri në largime nga puna, përjashtime apo ulje në detyrë mund të sjellin kufizimin e këtij abuzimi. Konstatoj se rastet që raportohen tani, qoftë nga mediat apo vetë qytetarët, janë më të pakta. Jam shumë i hapur dhe i ndjeshëm ndaj këtyre rasteve. Falënderoj dhe nxis të gjithë ata që më japin informacion për praninë e këtyre abuzimeve dhe garantoj se do të veproj menjëherë. Për mua kjo ka përparësi absolute dhe organizoj të gjitha strukturat përkatëse për t’i shkuar deri në fund ndodhisë, për të kuptuar shkaqet dhe marrë masat e duhura. Besoj se me këtë frymë do të zvogëlojmë gjithnjë e më shumë mundësitë abuzive që krijon keqmenaxhimi i barnave.

Si e gjykoni reformën mjekësore në tërësi? A po ecën ajo si duhet?

Mund t’ju them se reforma ka marrë ritmin e duhur me konsolidimin e hapave të filluar. çdo ditë ndodh diçka, bëhet diçka në konsultimin e këtyre hapave. Jemi përpara një plan të përgjithshëm veprimi për dixhitalizimin, për sistemin e referimit dhe për shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me reformën. Ndiej se ka një këmbëngulje dhe vendosmëri që nuk është vënë re më përpara në qeverisje.

Në QSUT ju keni shumëfishuar tarifat e shërbimeve tuaja për ata që nuk kanë sigurime shëndetësore. E gjykoni një masë të marrë në kohën e duhur?

Faktikisht, tarifat u vendosën me sistemin e referimit, me udhëzimet dhe urdhrat e rinj të nxjerrë në muajin tetor të vitit të kaluar nga Ministria e Shëndetësisë. E quaj një masë shumë pozitive, jo vetëm unë, por i tërë opinioni dhe ata që e kuptojnë sistemin shëndetësor. Kjo, e parë në dy këndvështrime: në atë që shërbimi mjekësor kushton dhe që tarifat e këtij shërbimi edhe jashtë vendit janë shumë më të larta për të pasiguruarit. Tarifat shërbejnë dhe si një masë shtrënguese për ata që nuk janë siguruar që të futen në sistem. Kjo shtrëngesë e detyron qytetarin ta mendojë dy herë përpara se të vijojë të ngelet i pasiguruar. Numri i të siguruarve në muajt e fundit tregon se po rritet shumë më fort sesa përpara vendosjes së këtyre tarifave dhe mendoj se kjo politikë ka sukses. Sigurimet shëndetësore të shtrira gjerësisht në popullsi do të na krijojnë mundësinë të modernizojnë shërbimin mjekësor spitalor dhe të rrisim cilësinë e trajtimit mjekësor tek ne, pikërisht me kontributet e qytetarëve. Pra, kemi një sistem miks të kontributit nga ana e shtetit dhe e qytetarëve.

A është e nevojshme të akreditohen dhe standardizohen spitalet tona publike?

E quaj një rrugë të domosdoshme. Nga i gjithë sistemi ynë gradualisht po kuptohet se pa standardet moderne të shëndetësisë evropiane nuk mund të shkëputesh nga niveli i fjetur i të gjitha aspekteve të shëndetësisë sonë. Ne po fusim metoda menaxhimi që e ngrenë pa dyshim nivelin e spitalit dhe gradualisht do ta bëjnë atë të aftë për të siguruar standardin e kërkuar dhe të pranuar në shëndetësinë evropiane. Kërkesat e këtij standardi po i pasqyrojmë që tani në kontratat që mbyllim me stafin mjekësor, në shërbimet e ndryshme mjekësore që i kërkojmë sipas pikëve dhe kredive që aplikohen në spitalet moderne sot në Evropë.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me poliklinikat shtetërore apo me spitalet private në Tiranë?

Ne presim pacientët e tyre dhe pak kthejmë. Por, këto marrëdhënie do të ishte mirë të kuadrohen në sistemin e referimit për të cilin fola më parë. Në bazë të këtij sistemi duhet të kalojnë të gjitha hallkat. Normalisht, ky sistem thotë që çdo qytetar shqiptar duhet të kalojë tek mjeku i familjes. Pas mjekut të familjes, tek poliklinika e specializuar dhe specialisti përkatës, pastaj tek spitali i qytetit ose i rajonit dhe më pas të drejtohet tek ne. Kjo vlen për të gjithë republikën si shërbim terciar. Por, nga ana tjetër, ne ofrojmë shërbim dytësor dhe për Tiranën, derisa së shpejti të ngrihet dhe spitali rajonal i Tiranës. Ruajtja e këtyre raporteve të sistemit të referimit do të bëjë që një mjek i familjes të mos e dërgojë qytetarin pa përgjegjësi drejtpërsëdrejti tek ne në QSUT për diçka që mund t’i shërbehet fare mirë në poliklinikën e qytetit apo spitalit rajonal ku është. Kjo do të bëjë po ashtu që një epikrizë e ardhur nga një spital rrethi apo rajoni, apo edhe spital privat të jetë më e argumentuar dhe e përgjegjshme.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›