E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi i Perëndimit: Shqipëria ka armë bërthamore

Pjesë nga takimi i Ramiz Alisë me Ambasadorin e Finlandës në Tiranë, Jussi Montonen, i cili është pritur në pallatin e Brigadave dhe dorëzoi kredencialet.

Biseda e Ramiz Alisë me Ambasadorin e Finlandës në Tiranë më 1984-ën, ku lihet të kuptohet se ndaj Shqipërisë kishte dyshime që zotëronte armë bërthamore. Cili qe qëndrimi i atëhershëm i Alisë dhe çfarë mendonte Shqipëria për armët bërthamore? A u vendosën ndonjëherë raketa bërthamore sovjetike në Shqipëri dhe a kishte një plan për t’i sjellë ato?

Përagtitën: Vladimir Karaj/Klevisa Deçja

Gjatë një pranimi letrash kredenciale në vitin 1984 Ramiz Alia gjendet përballë ambasadorit të Finlandës dhe në tavolinë biseda është “bërthamore”. Dokumenti rreth kësaj bisede edhe sot konsiderohet sekret (nuk ka mbushur numrin e viteve për tu nxjerrë nga arkiva) por gazeta standard ka siguruar një pjesë të tij. Bëhet fjalë për një bisedë të gjatë me një ambasador perëndimor të cilit Alia i jep garanci se Shqipëria nuk kishte pranuar që sovjetikët të vendosnin raketa bërthamore në vend. Se si kishte lindur dyshimi se Shqipëria mund të kishte armë bërthamore dhe pse ishte e nevojshme që Alia të sqaronte ambasadorin e Finlandës se vendi ynë nuk i pranonte këto armë nuk është ende shumë e qartë, por diskutimi që vërtitet rreth armëve bërthamore, duket se merr shtysë nga një deklaratë në Rumani. Rumunët atëherë pjesë e Traktatit të Varshavës nga i cili Shqipëria kishte dalë, kishin hedhur dyshime se në Ballkan kishte armë bërthamore. Po kush i kishte?

Misteri

Misteri i armëve bërthamore në Shqipëri, nëse ka pasur të tillë, duket se ka ngjallur kuriozitet edhe për shumë vende Perëndimore, në kohën kur Shqipëria ishte krejt e izoluar dhe e ngjashme me Korenë e Veriut sot. Në bisedën e Alisë me ambasadorin Finlandez, Shqipëria deklarohet si vend kundër armëve bërthamore. “Po kush i ka këto armë? Shqipëria? Jo, ajo nuk i ka”, thotë Alia sipas protokollit të mbajtur me këtë rast. Duket se ky deklarim ishte i shtyrë nga pohimet rumune dhe Alia donte të sqaronte përfaqësuesin e Finlandës dhe kuptohet përmes tij edhe vende të tjera në Perëndim se Shqipëria nuk zotëronte armë të shkatërrimit në masë. Madje Alia mburret se vendi ynë ishte “prishur” me Bashkimin Sovjetik pikërisht se ky i fundit tentonte të sillte armë të tilla në Shqipëri. Sipas Alisë që kishte filluar të zëvendësonte Hoxhën në krye të shtetit qëndrimi i Shqipërisë kundër armëve ishte edhe arsyeja se pse vendi kishte dalë nga Traktati i Varshavës. “...për t’u mbrojtur nga Armët Atomike i përzumë sovjetikët nga baza e Vlorës,” thotë Alia. Po duket qartë se kjo deklaratë më shumë se sa nevoja e pohimit të një të vërtete, vinte nga nevoja për të bindur mikun se vendi i vogël në Ballkan nuk zotëronte armë të shkatërrimit në masë. Një nevojë e tillë mund të lindte vetëm për të përmbysur dyshimet, këto të fundit ishin mëse të ligjshme mbi një vend ku gjithçka ishte e kontrolluar dhe mjaft pjesë të vendit ishin krejt të izoluara nga çdo mundësi për të marrë informacion. Për më shumë Shqipëria kishte trashëguar pjesërisht një bazë luftarake të ndërtuar nga sovjetikët të cilën Nikita Hrushov ishte zotëruar publikisht se do ta pajiste me raketa me rreze të mesme.

Dyshimet

A ishte arsyeshme që Perëndimi apo edhe vendet fqinje të dyshonin se Shqipëria kishte armë bërthamore?! Në fakt raketat që nga Greqia ishin mbajtur për vite me radhë drejtuar Shqipërisë, tregojnë pikërisht këtë. Nëse Greqia mbante armë bërthamore në drejtim të Shqipërisë arsyeja ishte e qartë: dyshohej se si pjesë më vonë ish pjesë e Traktatit të Varshavës Shqipëria ishte pajisur me armë të tilla nga Bashkimi Sovjetik. Moska kishte premtuar një arsenal raketash me rreze veprimi 400 kilometra dhe Perëndimi nuk shihte arsye se pse ato të mos kishin mbetur në Shqipërinë diktatoriale. Një fakt i tillë ka bërë publik në një artikull pronësorja e historisë Ana Lalaj në një të përjavshme. “Po të kihen parasysh premtimet e S. Zhukovit në tetor të vitit 1958, se në vitin 1962, BS do të sillte në Shqipëri raketa me rreze veprimi 400 km, del qartë se marrëveshja për bazën e Vlorës do të shndërrohej në pjesë të politikës MAD (Mutually Assured Destruction) ose “Shkatërrimi i Sigurt Reciprok.” Sipas politikës MAD. të dy superfuqitë kishin qindra raketa të cilat ishin instaluar, duke pasur në shënjestër njëra tjetrën. ShBA kishte më shumë se BS, por në të vërtetë avantazhi nuk kishte rëndësi, sepse kishin armë të mjaftueshme për të shkatërruar përfundimisht njëra tjetrën”, shkruan Lalaj. Në të vërtet Shqipëria nuk i pati asnjëherë këto armë, megjithatë që bota të besonte se ato ekzistonin do kishin mjaftuar fjalimet e Hrushovit në kohën që ai vizitoi Tiranën. Lalaj citon nga këto fjalime se lideri i BRSS kishte premtuar gjatë fjalimeve në disa qytete të Shqipërisë se ishte gati të pajiste vendin tonë me armë bërthamore. Një presion i hapur ndaj Amerikanëve dhe bazave të tyre në Itali dhe Greqi. Presioni në fakt ishte pjesë e Luftës së Ftohtë, por këto fjalime ishin të mjaftueshme për t’i bërë Amerikanët dhe bashkë me ta edhe pjesën tjetër të perëndimit dyshues.

Qëndrimi shqiptar

Nga ana tjetër pa u prishur me BRSS, Shqipëria kishte qenë e gatshme të pranonte armë të tilla në territorin e saj. Në mbledhjet e byrosë politike të asaj kohe Hoxha citohet të ketë thënë: “Sa jemi në gjendje të gjykojmë ne, rrezja e luftimeve të bazuara në Sazan dhe në Vlorë do të bëjë të mundshme që t’iu presë hovin të gjitha furnizimeve të armikut në Adriatik. Prandaj unë mendoj se neve duhet t’iu hapemi shokëve sovjetikë dhe ndoshta ata presin një kërkesë të tillë nga ana jonë, t’iu themi se ne jemi gati të pranojmë një gjë të tillë. Për ne një punë e tillë është e pranueshme, sepse nuk ka asgjë parimore. Jeta jonë është e lidhur shumë ngushtë me jetën e BS, mbrojtja e vendit tonë është e lidhur shumë ngushtë me mbrojtjen e gjithë kampit tonë.” (Prof. Ana Lalaj). Duket qartë se qëndrimi i Hoxhës ishte krejt i ndryshëm nga ai i Alisë vite më vonë, kur ky i fundit i shprehej ambasadorit të Finlandës: “Ajo e ka sanksionuar dhe në Kushtetutë, që në Shqipëri nuk lejohet të ketë as ushtri, as baza të huaja. Kjo është politikë aktive, jo pasive”. Amerikanët dhe perëndimi do ta kenë pasur të vështirë të besonin një gjë të tillë. Shqipëria për vite me radhë ishte një vend i izoluar dhe armik dhe mundësia që Sovjetikët ashtu siç lanë nëndetëset të kishin braktisur në Shqipëri edhe raketa të shkatërrimit në masë nuk ishte pak e besueshme. Këta të fundit kishin atëherë të dhëna se Hrushovi kishte vizituar baza ushtarake shqiptare sipas prof. Ana Lalaj, nuk ishte e çuditshme që ai të donte ta kthente gjithë Shqipërinë në një bazë të madhe ushtarake.

E vërteta

Dukshëm si shumë vende të tjera të lindjes dhe të Perëndimit Shqipëria ju fut një gare armatimi shumë të rëndë për shpinën e saj. Armët dhe municionet sidoqoftë u prodhuan në masë në të gjithë vendin. Tonelata të pafundme digjeshin çdo vit në zboret dhe stërvitjet e ushtrisë. Madje kinezët i sollën Shqipërisë një sasi lëndësh kimike që dyshohet si e vetmja armë e shkatërrimit në masë që kishte vendi. Sidoqoftë Shqipëria duket se nuk pati asnjëherë armë të mirëfillta të shkatërrimit në masë dhe miti, nëse ka ekzistuar një i tillë u rrëzua menjëherë pas hapjes së vendit me Perëndimin. Atëherë kur u zbulua se gjithçka që ky vend kishte trashëguar nga gara e armatimeve dhe fobia e udhëheqjes se do të sulmohej nga dita në ditë, ishin mijëra të vdekur dhe të persekutuar, qindramijëra bunkerë dhe tonelata municionesh e kallashnikovësh (apo armësh të tjera) që vendi tani i duhet t’i shkatërrojë.

Pjesë nga takimi i Ramiz Alisë me Ambasadorin e Finlandës në Tiranë, Jussi Montonen, i cili është pritur në pallatin e Brigadavedhe dorëzoi kredencialet.

Tiranë më 9 prill 1984

“Ne kemi respekt për Rumaninë, por nuk kemi kemi respekt për propozimet e shumta që bën sepse më shumë janë propagandistike sesa politike. Ne nuk jemi për këto propozime. Po marr çështjen e çatomizimit të Ballkanit. Ideja e çatomizimit në vetvete është e mirë, asnjë popull nuk e do luftën atomike. çdo popull dëshiron të jetë i lirë nga rreziku i armëve atomike. Po kush i ka këto armë? Shqipëria? Jo, ajo nuk i ka. Dhe jo vetëm kaq, por për t’u mbrojtur nga Armët Atomike i përzumë sovjetikët nga baza e Vlorës. Ajo e ka sanksionuar dhe në Kushtetutë, që në Shqipëri nuk lejohet të ketë as ushtri, as baza të huaja. Kjo është politikë aktive, jo pasive. Kush të diskutojë për çatomizimin e Ballkanit, dy vendet pjesëtare të Traktatit të Varshavës dhe dy vendet pjesëtare të NATO-s, të cilat i kanë armët atomike ose mund t’i kenë në çdo moment që të vendosë Moska apo Uashingtoni? Në qoftë se duan të tregojnë se janë kundër armëve atomike etj.. le ta tregojnë hapur, ashtu siç ka vepruar Shqipëria, që nuk pranojnë vendosjen e raketave në vendet e tyre, këtë mund ta bëjë secili. Pse nuk e ka bërë Rumania? Pse nuk e ka bërë Greqia apo Jugosllavia”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›