E Shtunë, 31 Tetor 2026

Embargoja, Kosova: Tani jemi barabar me Serbinë

PRISHTINE- Vendimi i qeverisë së Kosovës për masa të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë e Bosnje e Hercegovinën ka për synim kthimin e palëve në dialog dhe pranimin e ndërsjelltë të vulave doganore, ka deklaruar zv/kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari Lila.

“Kosova me këtë akt nuk është duke e përjashtuar veten, por është duke e vendosur veten në një rrafsh të barabartë me vendet e tjera”, tha ajo në një konferencë shtypi dje pas dite.

“Qeveria e Kosovës nuk ka zbatuar embargo, por masa të reciprocitetit ndaj veprimeve të ngjashme të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës të marra kohë më parë. Kosova ka marrë një vendim të tillë pas më shumë se 3 viteve”, theksoi Kusari Lila.

Ndërsa rreth reagimeve të Beogradit, zv/kryeministrja Kusari Lila tha se është një absurd pohimi se, Serbia nuk do të ndërmarrë masa reciproke ndaj Kosovës.
“Në fakt, Serbia i ka bllokuar mallrat e Kosovës prej dhjetorit të 2008 dhe veprimi i Kosovës është reagim ndaj kësaj bllokade të Serbisë”, theksoi ajo.

Zv/kryeministrja dhe ministrja Kusari Lila bëri të ditur se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për zbatimin e masave të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar është në koordinim me strukturat tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Bëhet e ditur se sot pasdite zv/kryeministrja e ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila, zv/kryeministri Behgjet Pacolli dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, do të vizitojnë pikën kufitare në Merdar.

Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e të mërkurës së kësaj jave ka miratuar vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›