Emergjenca në veri,shtyhet Këshilli Kombëtar i PD-së
Partia Demokratike vendos të shtyjë për në fund të janarit mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën "Panorama" se shkak i ndryshimit të axhendës është pikërisht situata emergjente në veri të vendit prej përmbytjeve të Shkodrës dhe Lezhës. Ndryshe nga sa kishte deklaruar kryeministri në fund të dhjetorit, Këshilli pritet të mblidhet pas më shumë se dy javësh. "Këshillin kombëtar do ta mbledhë në javën e dytë të muajit janar, ku do të zgjidhet kryesia, do zgjidhen sekretarët. Do ketë një numër të zgjeruar sekretarësh. Do të ketë risi. Siç pati ripërtëritje të Këshillit, vota do të përcaktojë edhe ripërtëritje të tjera", tha Berisha në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëve të kabinetit qeveritar. Këshilli Kombëtar i PD-së do të mblidhet për të zgjedhur kryesinë e PD-së, sekretarin e përgjithshëm, dy nënkryetarët dhe sekretariatin. 100 anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi i fundit kombëtar, i mbajtur më 14 dhjetor dhe 40 anëtarët e kooptuar do të zgjedhin 25 anëtarët e kryesisë, nga 37 kandidatë që do të jenë në garë. Ky numër anëtarësh është i parashikuar në nenin 37 pika 2 e statutit të miratuar nga delegatët në muajin dhjetor. "Këshilli Kombëtar zgjedh nëpërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së Partisë nga një lisë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që krijohen", thuhet në statut. Por me ndryshimet e bëra në Kuvendin Kombëtar, edhe për kryesinë është sanksionuar detyrimi që kryesia e partisë të ketë 30% të anëtarëve femra. Kjo do të thotë se 8 anëtarë do të jenë zonja dhe nëse ky numër nuk plotësohet në 25 kandidatët e parë, do të zbriten nga fituesit kandidatët meshkujt derisa të plotësohet 30% kuota e grave.