E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk është koha për të drejtuar gishtin, por për të gjetur zgjidhje

Agim PICAKU Fjala katastrofë në gojën e një kryeministri është shumë më e rëndë se  kuptimi i saj i vërtetë. është paksa e dyshimtë se pse Berisha e përdori këtë fjalë, kur fare mirë në vend të saj mund të përdorte një eufemizëm tjetër, që do ta përmbante kuptimin pa e tragjedizuar atë.  Ndoshta një prej arsyeve do të ketë qenë ideja për të bërë  të qartë se rreziku është shumë afër dhe nuk ka vend për të kundërshtuar evakuimin e banorëve.Pyetja ime si qytetar është e drejtpërdrejtë: Pse ndodhemi në prag të një katastrofe, kur asgjë e jashtëzakonshme nga një dimër i zakonshëm nuk ka ndodhur?Pa dashur të luaj rolin e prokurorit, pa tentuar të marr rolin e avokatit dhe duke u përpjekur të qëndroj në anën  e atyre që janë të dëmtuarit në këtë panoramë të frikshme në këtë fillim viti jo dhe aq i mbarë për shqiptarët, do të përpiqem të rendis disa prej faktorëve që na çuan në prag të kësaj gjendje të jashtëzakonshme, që unë nuk do të preferoja ta quaja siç e quan kryeministri im.1-Mungesa e politikave shtetërore.2-Kaosi i ndërtimeve nga qytetarët në zona të rriskuara.3-Faktori Natyrë.Së pari.  Mungesa e politikave shtetërore për menaxhimin e atyre pak veprave madhështore që ne kemi mundur të trashëgojmë nga e kaluara, siç janë hidrocentralet.është një gabim në menaxhimin e pakujdesshëm që nuk ka lidhje me një qeveri apo një tjetër, por me të gjitha qeveritë që janë ngjitur në pushtet që nga viti ‘92  e deri sot.Përpjekja e opozitës apo e ndonjë medie të caktuar për të drejtuar gishtin me emra konkret tregon papjekuri politike dhe papërgjegjshmëri për detyrën që duhet të luajë secili faktor në situata të tilla.Me katër muaj qeverisje askush nuk mund të bëhet një mrekullibërës dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ata që ia hedhin fajin, sa drejtorit të KESH-it, sa Ministrit të Energjetikës.Te mungesa e politikave ka lidhje direkte dhe planifikimi i parandalimit të situatave të tilla, jo vetëm duke ngritur argjinatura, por duke mos lejuar ndërtimin e fshatrave të tëra në zona me rrezikshmëri përmbytjeje.Së dyti.  Kaosi i ndërtimeve në zona të rriskuara.Vetë banorët duhet të kishin qenë më të vetëdijshëm, kur kanë ndërtuar shtëpitë dhe bizneset e tyre në zona që jo për herë të parë janë ndeshur në situata të tilla. Pra, në një farë mënyre ndërtimi i pakontrolluar dhe i pastudiuar prej vetë atyre, duhet pranuar si faktor jo i vogël.Të parët tanë nuk kanë qenë arkitektë dhe as inxhinierë ndërtimi, por ama jeta ju ka imponuar ndërtimin e shtëpive të tyre, që më vonë u bënë lagje e lagjet u bënë qytete, buzë kodrave apo maleve, larg ultësirave dhe kjo nuk është bërë për të kursyer tokën e bukës, por për t’u mbrojtur nga ai që është e vështirë të mbrohesh, qoftë edhe me sofistikime moderniste.Së treti. Faktori Natyrë. Nuk është një element që duhet anashkaluar, kur kujton faktin se çdo njëri prej nesh është dëshmitar i një dimri, ku temperatura ka qenë shumë pak e ndryshme nga një stinë tjetër, duke favorizuar një qarkullim uji jo normal nga avulli në shi, nga shiu në borë, nga bora në ujëra e nga ujërat prapë në avull. Nëse në zonat malore, ku reshjet e shiut dhe të borës në dimër janë të bollshme, në vitet e shkuara të ndikuara nga temperaturat e ulëta kanë bërë të mundur derdhjen e tyre graduale në kaskadën e Drinit, këtë vit ky proces ka ndodhur pothuajse menjëherë për shkak të ndryshimit të shpejtë të temperaturës dhe kjo nuk duhet marrë si një justifikim qesharak, siç e kanë artikuluar disa gazetarë në emisionet e tyre televizive, por si një të vërtetë të pamohueshme që duhet ta pranojmë të gjithë. Ajo çfarë ndodhi ka ndodhur dhe nuk ka pse të vëmë kujën. Tani duhet të gjendet zgjidhja afatshkurtër dhe afatgjatë për atë që do të ndodhë.Kur them për atë që do të ndodhë, nuk e kam fjalën për çarje digash e përmbytje qytetesh, sepse nuk mund ta çoj nëpër mend se ZOTI do të jetë  kaq i padrejtë me një racë njerëzore tejet të vuajtur, por e kam fjalën për të ardhmen e këtyre banorëve që kanë derdhur mundin e një jete të tërë në ato shtëpi, që kanë pasurinë e vetme ato kafshë e shpezë  të cilat nuk pranojnë t’i braktisin kurrsesi, pasi është i vetmi burim jetese i mbetur tashmë pas përmbytjes së  tokave nën ujërat e kripura të deteve.Dhe nuk janë një apo dy shtëpi, nuk janë një apo dhjetë banorë, por fshatra të tëra, qindra shtëpi, mijëra banorë, që presin dhe kërkojnë zgjidhje të shpejtë e afatgjatë nga kjo qeveri, që më shumë se kurrë kërkon mbështetjen e çdo qytetari në radhë të parë, duke ngjallur besim e shpresë se çdo vështirësi mund të kalohet. Kjo qeveri që kërkon mbështetje nga opozita, që duhet të ndodhet pranë jo duke akuzuar, por duke ofruar rrugë e mundësi zgjidhjeje të daljes nga situata dhe jo përhapje paniku e hedhje balte mbi këdo e kurdo, që gjen mundësinë.Shqiptarët në ditë të vështira kanë ditur të jenë bashkë ndaj apeloj për të qenë të gjithë pranë atyre njerëzve që kanë humbur shumë, por nuk duhet t’ua vrasim shpresat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›