E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Pas 6 marsit do të hyjmë në Parlament, bojkoti i dështuar

 Lëvizja për Mendim Ndryshe në PS e konsideron 6 marsin si afatin e fundit kur do të presë të gjithë grupin parlamentar të PS-së që të hyjë bashkë në kuvend, përndryshe ata nuk do të djegin mandatin e tyre. Deputeti socialist Kastriot Islami, gjatë një interviste televizive dje në "Alsat" deklaroi, se do të pritet vendimi i selisë rozë deri në javën e parë të marsit, më pas ky grupim do t'i kthehet Kuvendit. "Gjatë marsit është afati i fundit ku ne qëndrojmë jashtë Parlamentit. Kjo do të thotë se, ne si Parti socialiste, e cila ka ende mundësi që të reflektojë ndaj bojkotit, do futet deri në 6 mars, atëherë edhe ne do të futemi me deputetët e tjerë të PS-së. Në qoftë se PS, nuk do të futet, unë personalisht po dhe një pjesë tjetër nuk e humbim mandatin, pra nuk mund ta fusim veten në një interpretim kushtetues të tillë, që ekziston apo jo mandati, aq më tepër që për mua si frymë është e dështuar", u shpreh Kastriot Islami. Sipas tij nëpërmjet bojkotit, drejtuesi i selisë rozë po tenton të arrijë diçka tjetër. Deputeti socialist kritikon dhe qëndrimin e partisë së tij ndaj përmbytjeve në Shkodër. Për Islamin PS del jashtë karakterit të saj duke u kthyer në një kopje të keqe të PD. "Unë do të thosha që PS po del jashtë karakterit të saj. Jam i shqetësuar që në PS nuk ndërmerren veprime që i takojnë një opozite. Tani shoh simptoma të PS dhe sindromin e Berishës. Sa herë që ka një ngjarje të tillë, tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë që bënte Berisha", vijoi Islami. Përveç Islamit, edhe deputeti tjetër socialist, përfaqësues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Marko Bello është shprehur se nuk do të djegë mandatin e tij dhe do të futet në parlament para afatit të skadimit të tij. Por nga ana tjetër, edhe deputetë të tjerë, si Blendi Klosi është shprehur i bindur se kërkesat e PS-së për transparencën e zgjedhjeve do të zgjidhen para afatit të skadimit të mandatit të deputetëve, duke u shprehur se socialistët do të hyjnë në kuvend para 7 marsit. Ndërsa kreu socialist, Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se mandatet nuk do të digjen, ndërsa nëse nuk hapen kutitë, 7 marsi do t'i gjejë deputetët socialistë jashtë kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›