E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet shtyjnë protestat e opozitës

 Aristir LumeziPërmbytjet në veri të vendit shtyjnë axhendën e protestave të opozitës për hap-jen e kutive. Kryetari socialist Edi Rama mblodhi dje pasdite në hotel Tirana kryetarët e partive opozitare të majta dhe të djathta. Ishte parashikuar që në këtë takim, i pari për këtë vit, do të diskutohej dhe miratohej agjenda dhe strategji e re e opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Protesta në të gjithë vendin nën sloganin "Hap kutitë ose zgjedhje të parakohshme", kishin parashikuar drejtuesit e PS-së duke kërkuar dhe mbështetjen e partive të tjera aleate. Por fokusimi tek përmbytjet dhe rreziku i një katastrofe, ka bërë që opozitarët të heqin dorë përkohësisht nga protestat për hapjen e kutive dhe të veprojnë si opozitarë pranë banorëve të dëmtuar. Ata janë shprehur se protestat do të nisin sapo situata në qytetet e prekura nga përmbytjet të normalizohet. Madje sipas tyre, përmbytjet, që janë cilësuar si keq menaxhim, janë një arsye më shumë për të vazhduar protestat.EmergjencaSipas një plani të detajuar, opozitarët, do të gjenden të organizuar më pranë banorëve dhe zonave të dëmtuara. Kështu sot paradite drejt Shkodrës do të nisen dy kamionë me veshmbathje, ushqime, ujë të pijshëm, kontribute këto të partive opozitare që do të shoqërohen nga vetë kryesocialisti Edi Rama, kreu i G99 Erion Veliaj dhe deputetë socialistë të qarkut Lezhë e Shkodër. Gjithashtu në qytetin e Shkodrës do të ngrihet shtabi i emergjencave të opozitës, ku do të ketë një zyrë që do të merret vetëm me çështjet e përmbytjeve. Krerët opozitarë janë shprehur për hartimin e një dosjeje nga juristët e saj për ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti të cilin e akuzojnë për neglizhencë. Vullnetarë socialistë por dhe banorë të zonës do të marrin dhe bëjnë publikë çdo lloj informacioni rreth situatës në këtë zonë, duke nisur që nga evidentimi i banorëve, bagëtisë, orendive, kompensimit që do të marrin nga qeveria dhe çdo nevoje që do të kenë. Nga shtabi i opozitës nuk do të mungojnë dhe thirrjet për evakuim të popullsisë që rrezikohet nga përmbytjet. Ndërkohë që kryetarët e partive opozitare do të nxisin me strukturat e tyre grumbullimin e fondeve dhe ndihmave sipas mundësive të qytetarëve për të kontribuar për zonat e përmbytura. Me këtë organizim krerët e opozitës shprehen se kërkojnë të ndjehen pranë të dëmtuarve në një situatë kur mungon kujdesi i qeverisë. DeklaratatPas tryezës së krerëve të partive opozitare, nuk munguan dhe prononcimet e tyre për mediat. Kreu i PLIDr, Spartak Ngjela akuzoi qeverinë si përgjegjëse për përmbytjet dhe i kërkoi presidentit të republikës të krijojë një komision ekspertësh për të parë zbatimin e rregullores së digave të hidrocentraleve. "Nuk jemi përballë një fatkeqësie natyrore, sepse ka dyshime që rregullorja teknike nuk është zbatuar normalisht. Cilat janë arsyet, është një diskutim që do të vazhdojë. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës, që urgjentisht të mbledhë dhe të krijojë një komision, për të parë ecurinë dhe dinamikën e respektimit të rregullores teknike, e cila ka të bëj me jetën e një numri shumë të madh qytetarësh. Sipas të dhënave që kemi, kjo rregullore është shkelur. Aspekti i dytë është që për faktin që nuk është vetëm fatkeqësi natyrore, por më tepër është një neglizhencë. Dëmi i qytetarëve që është krijuar nga ky shkak duhet të riparohet nga qeveria 100 %", u shpreh Ngjela.Kreu i G99 Erion Veliaj, tha dje se opozita do të luajë rolin që i takon në këtë situatë. "Nëse qeveria dështon dhe nuk merr përgjegjësitë e saj ne ju themi se këto përgjegjësi do t'i marrë opozita, duke filluar që nga nesër me dërgimin e ndihmave dhe ngritjen e një shtabi operacional. Kërkojmë gjithashtu që disa autoritete, si Prokuroria e Përgjithshme nuk duhet të rrijë, por të duket, sepse kjo ka vend më shumë se kurrë. është koha që me të mbaruar kjo situatë zoti Dritan Prifti, zoti Sali Berisha, kushdo qofshin, të gjejnë vend ku të futen, jo nga dhuna e opozitës por nga ligji. Kjo që thashë, të gjejnë vend të futen nuk është kërcënim, por premtim, sepse me të mbaruar kjo situatë ata do të mbajnë përgjegjësi", u shpreh Veliaj pas takimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›