Emergjencat Civile: Këtë verë, 400 zjarre më pak se në 2007
TIRANE – Në përfundim të sezonit veror, shefi i Emergjencave Civile Alfred Olli, bëri dje bilancin e situatës së zjarreve duke pohuar se, në të gjithë vendin këtë vit ka pasur 400 vatra zjarri më pak se vitin e kaluar. “Gjatë stinës së verës në të gjithë territorin e vendit kemi pasur 1050 shfaqje zjarresh, afërsisht 400 raste më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, është shprehur dje shefi i emergjencave civile Alfred Olli. Sipas tij, numri i zjarreve problematikë, që shkaktojnë dëme të mëdha në ekonomi, mjedis dhe prona publike e private, ka qenë 95, rreth 5 herë më pak se vitin e kaluar kur janë shënuar 500 raste të tilla. Kreu i Emergjencave Civile evidentoi se “suksesi më i madh në këtë rast ishte shmangia e dëmtimit nga zjarri të pyjeve të larta dhe parqeve kombëtare. Dëmtimet nga zjarret janë shkaktuar kryesisht në bimësinë e ulët e të mesme dhe në ullinj e dru frutorë”. Sipas analizës së Emergjencave Civile, strukturat e Ministrisë së Brendshme kanë ndërhyrë me efikasitet të plotë në të gjitha rastet e rënies së zjarreve, në të gjithë territorin e vendit, duke kryer 980 operacione në terren dhe 70 të tjera në banesa e objekte të ndryshme. Gjatë këtij sezoni veror janë djegur banesa në të gjithë vendin, ndërsa Olli tha dje se ky numër dëmtimesh ka pësuar rënie këtë vit, pasi është sa gjysma e shtëpive të djegura nga zjarret gjatë vitit të kaluar. Në analizën e Emergjencave Civile, drejtuesi i këtij institucioni tha se kanë qenë efektive 32 operacione për shuarjen e zjarreve nga ajri me mjete të specializuara nga Italia dhe Greqia, në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier, Korçë dhe Dibër. Sipas Alfred Ollit, Ministria e Brendshme ka parashikuar një program masash dhe fondesh, që kanë për qëllim parandalimin e zjarreve dhe pasojave që mund të sjellin ato.