Aksioni “Tifozët” kap 4.3 kile heroinë
Trazhgim Sokolaj
“Po shkojmë në Tiranë për të parë ndeshjen e Kombëtares shqiptare me Suedinë”. Ky ka qenë justifikimi i tre “tifozëve” shqiptarë nga Maqedonia për hyrjen në Shqipëri, përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës, me 4.3 kilogramë heroinë në makinën e tyre. Që në momentin e kalimit në doganë, pak orë pas mesditës së shtunë, policia ka pasur dyshime për makinën në të cilën ndodheshin tre shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë lejuar të udhëtojnë drejt Tiranës e më pas Durrësit, “me urdhër nga lart”. Strukturat lokale të policisë në Qafë-Thanë janë lajmëruar se Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar kishte organizuar operacionin për kapjen e tre të dyshuarve në momentin që ata do të bënin këmbimin e heroinës me paratë. Në këtë mënyrë, agjentët e policisë kanë ndjekur lëvizjet e makinës tip “Golf” në të cilën ndodheshin tre shqiptarët e Maqedonisë. Pas dy ndalesave të shkurtra rrugës dhe një qëndrimi në Tiranë, mbrëmjen e të shtunës, kur prozhektorët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” janë ndezur për fillimin e ndeshjes Shqipëri-Suedi, tre shqiptarët e Maqedonisë, që ndiqeshin nga policia, kanë tradhtuar justifikimin që kishin paraqitur në doganën e Qafë-Thanës. Ata kanë lënë pas ndeshjen e Kombëtares dhe me makinën e tyre janë nisur në drejtim të Durrësit, ku sipas policisë kishin lënë takim me pritësin e heroinës, i cili pasi të paguante do të vazhdonte transportin e drogës më tej për në Itali.
Aksioni “Tifozi”
Por agjentët e policisë kanë qenë të dijeni për të gjitha veprimet e tre shqiptarëve nga Maqedonia, të cilët mbaheshin në përgjim prej disa ditësh. Nën ndjekjen e policisë, tre të dyshuarit kanë mbërritur në Durrës dhe pasi janë takuar me ndërmjetësin ai i ka çuar ata në një banesë pranë plazhit në lagjen 13, ku do të bëhej këmbimi i drogës me paratë. Në këtë kohë, agjentët e policisë kanë vendosur të ndërhyjnë. Sipas një deklarate të shpërndarë dje nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, policia shqiptare arrestoi në Durrës tre persona: Isein Nasufi, 41 vjeç, lindur e banues në Strugë të Maqedonisë, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase, Dritan Gjura, 33 vjeç, lindur e banues në Strugë të Maqedonisë, me profesion mësues dhe Madrit Istrefi, 30 vjeç, lindur e banues në Strugë të Maqedonisë, me arsim 8 klasë. Të informuar mirë për sasinë e drogës që ata mbanin me vete, agjentët e policisë u kanë vënë prangat tre të dyshuarve, ndërsa në makinën e tyre kanë gjetur të paketuar në 9 qese me letër natribani plot 4.3 kilogramë heroinë të pastër. Ka qenë ora 19:20 kur agjentët e policisë i kanë nxjerrë tre të arrestuarit nga banesa ku kishin lënë takim me blerësin e heroinës dhe i kanë nisur në drejtim të Tiranës, bashkë me 4.3 kile heroinë të sekuestruar, makinën tip “Golf” dhe 4 celularë të përdorur nga të dyshuarit gjatë komunikimit me pritësit e drogës në Shqipëri. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj të arrestuarve, policia u ka gjetur atyre një sasi prej 30 mijë e 500 euro si dhe 6 mijë franga zvicerane. Burimet zyrtare të policisë thanë se kjo shumë financiare ishte 2/3 e çmimit që do të paguhej në total për blerjen e drogës së bllokuar.
Trafiku
Rruga që vjen nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë ka qenë prej vitesh një nga linjat më problematike për trafikimin e drogës. Grupet e trafikut të narkotikëve shfrytëzojnë këto rrugë kalimi për transportin e drogës që vjen nga Turqia deri në Maqedoni, e më pas tentohet të trafikohet në Perëndim përmes Portit të Durrësit apo rrugëve të tjera tokësore nga Mali i Zi. Sipas hetimeve të policisë, mësohet se ka qenë njëri prej shqiptarëve nga Maqedonia që u arrestua në Durrës, ai që ka mbajtur prej më tepër se dy muajsh kontakte me personat që kishin porositur heroinën dhe prisnin mbërritjen e saj në Durrës. Pikërisht përmes përgjimit të këtyre telefonatave nga Maqedonia në Shqipëri dhe anasjellas, policia shqiptare ka organizuar aksionin për bllokimin e 4.3 kileve të heroinës, sasia më e madhe e bllokuar gjatë muajve të fundit në Shqipëri.
Të arrestuar
1. Isein Nasufi, 41 vjeç
lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase.
2. Dritan Gjura, 33 vjeç
lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me profesion mësues.
3. Madrit Istrefi, 30 vjeç
lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me arsim 8 klasë.
Sekuestruar
4.3 kilogramë heroinë
Automjeti tip “Golf”
30.500 euro
6 mijë franga zvicerane
4 telefona celularë
Pranë portit
Sipas burimeve nga policia e Durrësit, mësohet se arrestimi i tre shqiptarëve nga Maqedonia është bërë vetëm 3 kilometër larg portit të qytetit bregdetar. Blerësit e lëndës narkotike, që nuk përjashtohet mundësia të kenë qenë persona të infiltruar, kishin lënë takim me të arrestuarit në plazhin e Durrësit, lagjja nr.13, sektori “Apolonia”. Kjo zonë ndodhet vetëm 3 kilometër larg portit, dhe blerësit gjatë telefonatave me tre të arrestuarit u kanë thënë atyre se vendtakimi në këtë zonë ndihmon kalimin e heroinës në port për në Itali.