Emergjencat e zjarreve testuan gatishmërinë e forcave të armatosura ndaj emergjencave civile
Nga Arben Imami
Mesazh i ministrit të Mbrojtjes për angazhimin e strukturave të FA në operacionin për shuarjen e zjarreve
Strukturat e Forcave të Armatosura të të gjithë niveleve të komandimit dhe drejtimit, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, janë të angazhuara që nga fillimi në një operacion të gjerë dhe të vështirë për shuarjen e zjarreve në të gjithë Shqipërinë. Që nga data 26 qershor 2012 strukturat e Forcës Tokësore, Forcës Detare, Forcës Ajrore, BrMR, KDS, RM kanë vepruar pothuaj në të gjithë Shqipërinë, në qarqet Tiranë, Berat, Dibër, Lezhë, Shkodër, Kukës, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Durrës, në të gjithë llojet e terreneve dhe në çdo kohë. Në këto operacione kanë marrë pjesë deri tani gjithsej 6 525 forca, 417 mjete dhe 3 helikopterë. Të gjithë strukturat e FA janë në gatishmëri dhe kanë të gatshme forca dhe mjete të tjera shtesë, që në rast nevoje mund të angazhohen kudo që do të jetë e nevojshme.
Gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim të plotë me strukturat e tjera të emergjencave civile dhe ato të pushtetit vendor, efektivat e FA kanë treguar gatishmëri, përkushtim dhe përgjegjësi tepër të lartë, për të kryer detyrat e ngarkuara dhe kanë bërë të mundur izolimin, vënien nën kontroll dhe reduktimin e vatrave të zjarreve në pjesën më të madhe të tyre. Në disa rajone, edhe të vetme, ato kanë kryer detyra të vështira, duke u bërë shembull për të gjithë strukturat e tjera qendrore dhe lokale. Taktikat dhe teknikat efektive të përdorura bën të mundur që të mos ketë asnjë të lënduar si nga radhët e popullsisë ashtu edhe nga strukturat e FA.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe efektive janë kufizuar dëmet në pasurinë natyrore kombëtare, dëmet mbi mjedisin, pronën private, ndikimi mbi jetën dhe aktivitetin e përditshëm si dhe është ulur efekti psikologjik mbi popullsinë. Ky operacion, masiv për nga shtrirja territoriale, kohore dhe për nga pjesëmarrja e forcave, ka rritur autoritetin e FA tek popullsia, e cila shpreh mirënjohjen dhe e vlerëson si një strukturë kompetente, bashkëkohore, të aftë për t’u përballur me vështirësi të larta. Ai testoi njëkohësisht kapacitetet operacionale dhe aftësinë e strukturave të FA për të kryer me sukses edhe këtë detyrë. FA kanë fituar eksperiencë të vyer në menaxhimin dhe përballimin e emergjencave civile, dhe pjesëmarrja dhe përballimi i vështirësive të shkallës së lartë në operacionin për shuarjen e zjarreve tregoi se ato janë transformuar tashmë në një forcë bashkëkohore, e aftë dhe e gatshme për të përballuar emergjenca civile të të gjithë llojeve. Kërkoj që eksperienca e fituar dhe mësimet e nxjerra nga pjesëmarrja në këto operacione të shërbejnë për të përmirësuar planëzimin, koordinimin, kapacitetet operacionale dhe aftësitë reaguese të strukturave të FA ndaj emergjencave civile, për të programuar dhe përmirësuar arsimimin dhe stërvitjen e efektivave për të vepruar në situata të ngjashme apo edhe më të vështira.
Falënderoj të gjithë strukturat dhe pjesëmarrësit në këtë operacion, për shkallën e lartë të përgjegjësisë, për kontributin dhe sakrificat, Shtabin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e strukturave të FA për drejtimin me kompetencë të lartë dhe profesionalizëm, si dhe median elektronike dhe atë të shkruar për pasqyrimin me realizëm dhe në kohë të kontributit të dhënë nga strukturat e FA. Vlerësoj dhe falënderoj në veçanti kontributin e efektivave të Batalionit të Kërkim-Shpëtimit, Batalionit Xhenier, KMR Kukës, Burrel dhe Korçë të Brigadës së Mbështetjes Rajonale; të efektivave të Batalionit të Parë, Dytë, Tretë të Këmbësorisë dhe të Batalionit Komando të Forcës Tokësore; të efektivit të Qendrës së Stërvitjes Individuale të KDS dhe të ekuipazheve të pilotëve të Bazës Ajrore në Farkë.
Pres që angazhimi dhe përkushtimi i deritanishëm të vazhdoj deri në mbylljen me sukses të plotë të këtij operacioni të vështirë.
Ju uroj punë të mbarë!