E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Bisedë kriminelësh

08-09-2012 / Nga Luan Myftiu

Atë natë që firmosi aktakuzën, e pandehura, Nexhmije Hoxha, dëgjoi brenda vetes zërin e të shoqit të vdekur. Ishte po ai zë i dashur e madhështor, pranë të cilit Shqipëría i qe dukur gjithmonë një vend i vockël.  
- Mbahu ! - i tha Tarasi me atë cinizmin e ëmbël djaloshar.
- More, kanë nxjerrë ca ligje të reja, se me ato tonat, do të kisha kërkuar shtatë herë në ditë të vija pranë teje ! - iu përgjigj ajo zërit, duke shkrifur flokët me tharëse.  
- Të kanë kërcënuar se do të të fusin maçok të uritur në çitjane ? - pyeti disi i shqetësuar zëri i komandantit suprem.
- Jo, sepse i kam kërcënuar unë me “Helsinkin”, ndërsa “socialistët” po i akuzojnë si revanshistë. 
- Domethënë, sipas parimit “sulmi është mbrojtja më e mirë” ? - i shkeli syrin gjeneral-koloneli, që iu fanit i tëri në këmbë.
- Lëri mburrkat, se më duket sikur unë po e hedh lumin pa u lagur ! - u nxé anëtarja Komitetit Qëndror. 
- Vërtet, përse të kanë akuzuar ? - pyeti “nastradini” me atë madhështinë mospërfillëse.
- Për vjedhje ! - tha hipokritja me një zë, ku nuk ndihej ajo krekosja e gruas së Xhinxhiskanit.
- Si !? Fole gjë për árin !? - ulëríti zëri i piratit. 
E pandehura i bëri shenjë të mos e ngrinte zërin.
- Të paskan futur frikën ! - protestoi fort diktatori.
- Mbylle gojën ! - ia ktheu Ledi Makbeth.
- Ky milet e do me frikë ! - ngriti tonin ish - banakieri i kafe “Florës”.
- Ky popull na paska fërkuar kokën, që të na dilnin trutë ! - mërmëriti e pikëlluar drejtoresha e studimeve marksiste.
- Ti e ke fajin ! Përse më fryje në vesh t’ua merrnim shpirtin ngadalë ?! Hë, taní ! T’ua kisha vënë mitralozin sheshit, do të më bënin hosaná në shtatë breza !
- Shyqyr me kaq ! Mileti nuk di as një të qindën e atyre, që u kemi punuar njerëzve dhe ta hoqën monumentin zvarrë si ndonjë qen të ngordhur ! - tha me gjysmë zëri kryetarja e Frontit Demokratik. 
- Ramizi gjallë është ? - u kujtua “themeluesi” i partisë.
- Lëre Ramon, se ka luftuar si toreador ! Paske pasur nuhatje zagári që e caktove zëvendësin tënd ! Ditën qeratai firmoste pluralizmin, natën shkruante “Enveri ynë”. Pastaj, me “gogolin” e luftës civile, i stërviti “çunat” e përbetuar si ta kërcënonin demokracínë.   
- Rezultati ?! - pyeti me padurim Stalini pa mustaqe.
- Enveristët, pra, veshën “tubolare” ( pantallona të ngushta ) dhe u shpallën “socialistë”. Pastaj iu lutën Europës humanitare të mos e ndihmojë Shqipërínë e uritur. 
- Bravo Ramizi ! - klithi diktatori - Taní ku ndodhet ?
- Në arrest, urithi ! - tha si me përçmim “delikatja”. 
- S’po të marr vesh ! - Foli me habí Dulla.
- Enver! - gjëmoi e pandehura - Ramua ka nisur të shtiret si shumë naiv ! Dhe artikuloi : i thonë “vrima e miut pesëqind grosh”!?!...
Fjalët e fundit i dëgjoi gardiani i burgut.
- Groshë keni për darkë, kupton?! - tha ai, nervoz.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›