Shkrimtari Balliu pritet në takim të posaçëm nga zv/kryeministri i Izraelit, Dan Meridor
Zëvendëskryeministri i Izraelit, i cili është edhe ministër i shërbimeve të inteligjencës si dhe i mbrojtjet atomike ka pritur në një takim të posaçëm, drejtorin e gazetës “55” Fahri Balliu. Zoti Meridor ka vlerësuar suksesin e reformave që po regjistrohet këto vite në Shqipëri dhe ka shprehur shpresën për një intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në sektorin ekonomik
Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, është pritur para pak ditësh në Izrael, në një takim miqësor, nga zv/kryeministri dhe ministri për shërbimet inteligjente dhe mbrojtjen atomike, Dan Meridor.
Botuesi dhe publicisti Balliu e njohu zv/kryeministrin izraelit me vizitën e afërme që ai kishte patur në Institutin MEMRI, për takimin me themeluesin dhe drejtorin Yigal Carmon, si dhe për perspektivën e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Zoti Balliu u ndal tek kontributi i gazetës “55” dhe i Shtëpisë Botuese me të njëjtin emër, në botimin e këndvështrimeve dhe të librave të disa prej historianëve e autorëve më të mirë bashkëkohorë, si librin “Jeruzalem” të Simon Sebag Montefiores. Gjithashtu, në ligjëratën e botuesit Balliu, vëmendja u përqendrua tek dhjetëra artikujt e studimet e botuara në të përditshmen që ai drejton, të cilat përpiqen të hedhin dritë mbi realitetin e Lindjes së Mesme, por edhe mbi sfidat që paraqiten aktualisht për dialogun mes qytetërimeve.
Ndërkaq, në ekspozenë e tij, zv/kryeministri Dan Meridor vlerësoi deklaratën e paradisaditëve të kryeministrit Berisha për domosdoshmërinë e ndaljes së dorës së Asadit, i cili po shuan popullin sirian dhe për nevojën e një aksioni më të fortë të faktorit ndërkombëtar për të ndalur këtë tragjedi. Deklarata është vlerësuar nga zoti Meridor si një kontribut në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, si dhe një rreshtim i qartë kundër çfarëdolloj tentative për rehabilitimin e qeverisjeve që janë sponsore të regjimeve terroriste.
Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, gjatë takimit bëri gjithashtu një tablo të zhvillimeve politike e kulturore në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht tek suksesi që po regjistrojnë prej disa vitesh reformat e ekzekutivit “Berisha”, në një sërë sektorësh strategjikë për ekonominë e vendit.
Zv/kryeministri izraelit Meridor shprehu kënaqësinë e tij për suksesin që po regjistrohej në kursin e reformave në Shqipëri dhe kujtoi impresionet e paharrueshme që kishte nga vizita e paradokohshme që kishte mbajtur në Tiranë. Ai tha se mbështet përpjekjet për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Përballë historisë, të dy popujt kanë një të kaluar të përafërt dhe aktualisht vlerësoj maksimalisht rolin e shqiptarëve në rajon, theksoi zv/kryeministri Meridor. Në të ardhmen shpresoj që do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes të gjitha segmenteve të shoqërive të të dy vendeve, duke nisur nga institucionet e mendimit dhe organet mediatike e deri tek njësitë e biznesit”.
Në fund të takimit, zv/kryeministri izraelit Meridor si dhe shkrimtari e publicisti Fahri Balliu realizuan foton që memorizon këtë bashkëbisedim.