E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëdhënësi i Fyles: “Rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm drejt statusit”

08-09-2012 / Gazeta 55

Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, Peter Stano u ka tërhequr vëmendjen politikanëve shqiptarë t’i përmbahen pikë për pikë realizimit të marrëveshjes së nëntorit. Sipas tij, tetori është shumë afër, kohë kjo kur Shqipëria do të përballet për të tretën herë me publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, i cili do të shprehet nëse vendi i ka përmbushur 12 prioritetet kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE dhe Shqipëria duhet të përshpejtojë punën për përfundimin e tyre. Në një intervistë për programin në shqip të Deutsche Ëelle, Stano ka folur dhe për çështjen e heqjes së imunitetit, ku iu referuar deklaratës së Fyles, se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur
 
Z.Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?
Në njëfarë pike Shqipëria do ta marrë statusin, kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment, nuk mund t´ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjithë prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.

A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?
Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështu që muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Evropian herën e fundit.
 
Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Evropian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mos-marrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?
Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit unë mund t’i referohem asaj çka Komisioneri Stefan Fyle diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar Panariti gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.
 
Në këtë takim, z.Fyle ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit. A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?
Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Evropian, Komisioneri Fyle vazhdon t´u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëveshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën evropiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe Komisionieri (Fyle) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Evropës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.
 
Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?
Siç ju thashë, Komisioni Evropian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Evropian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negociimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenë gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t´i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.

Së fundmi z. Stano, duhet të presim për një raport pozitiv apo negativ të Shqipërisë në tetor?
Unë nuk mund të shprehem para se të dalë progres-raporti. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë po e shohin se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre politikë. Qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë pret Bashkimi Evropian nga liderët kryesorë politikë, dhe qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë presin ata vetë nga liderët politikë. E kam fjalën, që qytetarët shqiptarë jetojnë atje, po i votojnë dhe po i ndjekin nga afër çdo ditë dhe unë mendoj se ata e kanë ndjesinë se si po performojnë liderët e tyre. Por siç thashë, muajin e ardhshëm publikohet raporti vjetor dhe progres-raporti është shumë objektiv dhe jep një vlerësim të ndershëm se çfarë është bërë, çfarë është bërë mirë, ku ka mangësira. Ne do të themi qartësisht se ku ka nevojë për t’u bërë më shumë. Nuk dua të flas para kohe, para publikimit të progres-raportit. Dua të inkurajoj çdo njeri që të presë për të, dhe në tetor gjithkush mund ta lexojë atë dhe se si i sheh Brukseli përpjekjet e bëra, në mënyrë që të përmbushet perspektiva evropiane. Sepse siç e thashë, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të politikanëve shqiptarë që të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë kriteret e nevojshme, si dhe plotësimin e 12 prioriteteve kyçe!

Ministri Panariti takon ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë

Dialog për reformat, rriten shanset për statusin kandidat

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim pune me ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë. Kryediplomati shqiptar i informoi përfaqësuesit e vendeve të BE mbi takimet që zhvilloi me Komisionerin për Zgjerimin, z. Stefan Fyle dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Parlamentit Evropian, gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Ministri Panariti theksoi se, i njohu ata me ecurinë e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, si dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të plotësuar sa më shpejt edhe detyrimet e tjera që kanë mbetur. Ministri Panariti vuri në dukje mesazhin që iu përcoll gjatë takimeve nga ana e zyrtarëve të lartë evropianë, i cili kishte të bënte me nevojën e angazhimit të të gjitha forcave politike në drejtim të përshpejtimit të ritmit të reformave në vend  çka çon drejt plotësimit të kërkesave për marrjen e statusit. Në të gjitha takimet e zhvilluara është nënvizuar dhe vlerësuar roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe progresi në marrëdhëniet me vendet fqinje. Ambasadorët, nga ana e tyre, shprehën vlerësimin për ecurinë e deritanishme të reformave në vend. Ata vunë në dukje rëndësinë që merr në këtë fazë bashkëpunimi intensiv midis forcave politike për të plotësuar detyrimet në kuadër të përmbushjes së 12 Prioriteteve, para publikimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Kjo arritje e të gjithë forcave politike në Shqipëri do të çoj në marrjen e statusit të vendit kandidat, u shprehën ata.

Bashkia e Tiranës reagon ndaj akuzave politike të Partisë Socialiste

Shpifësit me imunitet, veglat e ndryshkura të konfliktit politik

Bashkia e Tiranës dënon akuzat e përfaqësuesve politik të Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si shpifje dhe mashtrime ordinere. Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës thekson se akuzat adresohen nga shpifës të veshur me imunitet, të cilët edhe kur paditen për shpifjet e tyre, s’paraqiten në Gjykatë. “Akuzat e ngritura sot, ne adresë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe familjarëve të tij janë shpifje dhe mashtrime. Shpifësi i radhës, i veshur me imunitetin e deputetit ricikloi sot trillime për të cilat shpifës të mëparshëm janë paditur por vazhdojnë të mos paraqiten në Gjykatë, në mënyrë që të shmangin verdiktin”- thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës. Shpifjet dhe sulmet personale, vijon reagimi i Bashkisë, janë veglat e ndryshkura të konfliktit politik i cili nuk ka prodhuar asnjë të mirë për qytetarët e Tiranës. “Asnjë shpifje, trillim apo mashtrim nuk do ta ndalë Bashkinë e Tiranës, në marrjen e vendimeve dhe hapave të nevojshëm, në shërbim të qytetarëve të Tiranës”- thuhet ndër të tjera në reagimin e Bashkisë së Tiranës, në përgjigje të akuzave të deputetit socialist, Artan Gaçi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›