Emergjencat, plan për ndërhyrje gjatë dimrit
Shtabi i emergjencave në prefekturën e Elbasanit u paraprin situatave të motit për të qenë të lira akset rurale dhe ato që historikisht paraqesin vështirësi qarkullimi e premisa aksidentesh. Në prani edhe të prefektit Shefqet Deliallisi, dje është diskutuar më tepër për masat konkrete të marra, sesa për atë se çfarë duhet bërë. Sipas referuesve, problem për këtë Qark mbeten akset rrugore Elbasan-Qafëthanë, Elbasan-Tiranë, (Qafë Krrabë), Elbasan-Gramsh dhe Librazhd-Peshkopi që mund të bllokohen nga dëbora dhe ngricat gjatë periudhës së dimrit. Aktualisht, në aksin rrugor nga Librazhdi drejt Peshkopisë, në vendin e quajtur Shkalla e Lunikut që pre tri ditësh ka pasur vështirësi në qarkullim, për shkak të reshjeve të dëborës dhe akullit. Premisa për bllokim, sipas informacioneve nga shtabi i emergjencës në prefekturë, ka pasur edhe në rrugët rurale të Gramshit dhe në pjesën ngjitëse drejt Qafë Thanës, por reshjet e këtyre dy ditëve kanë bërë që të shkrihet dëbora e rënë. Ndërkohë është konsideruar se rrezik për Elbasanin përmbytja nga përroi i Zaranikës dhe të lumit Shkumbin në segmentin Elbasan-Papër, për të cilat është kërkuar ndërhyrja financiare e qeverisë qendrore. Në drejtim të riparimit të argjinaturës së përroit të Zaranikës në qytet është premtuar se në vitin 2009 do të jetë një nga prioritetet e qeverisë për investime në shuma të mëdha.