Korçë, dy të vdekur nga i ftohti brenda një nate
Dy persona kanë humbur jetën, natën duke gdhirë e mërkura, për shkaqe që lidhen me të ftohtin. Policia e Korçës ka raportuar se dy persona janë gjetur të vdekur, njëri në fshatin Pojan dhe një tjetër në hyrje të qytetit. Ka qenë ora 9:30 e mëngjesit të djeshëm, kur policia është njoftuar për një 39-vjeçar të vdekur në fshatin Pojan të Korçës. Edison Sala, sipas policisë, nuk kishte dëmtime trupore apo shenja dhune. Burime pranë policisë lokale kanë bërë të ditur se 39-vjeçari ka qenë endacak dhe përdorues i pijeve alkoolike. Ai është gjetur i vdekur nga banorë të zonës tek ish-stallat e ndërmarrjes bujqësore, ndërkohë që nga këqyrja e kufomës ekspertët kanë arritur në përfundimin se endacaku ka vdekur për shkaqe natyrore. Viktima kishte kaluar natën jashtë dhe për shkak të të ftohtit ka ndërruar jetë, ndërkohë që kishte konsumuar edhe pije të forta alkoolike. Sipas policisë, shkaku i vdekjes ka qenë pushimi i zemrës dhe mendohet se kjo është shkaktuar nga i ftohti. Ndërkohë një tjetër person është gjetur i vdekur gjatë natës, në hyrje të qytetit të Korçës. 52-vjeçari Agim Najkolli është gjetur i pajetë brenda një kamioni që transportonte lëndë drusore. Ai ka qenë duke drejtuar mjetin e tij, kur ka ndërruar jetë nga një atak kardiak. Policia, që ka shkuar në vendin e ngjarjes, e ka gjetur 52-vjeçarin, nga fshati Starje, brenda në mjet të shtrirë, ndërkohë që një prej kolegëve të tij, shofer kamioni, ka deklaruar se kanë qenë në udhëtim së bashku dhe 52-vjeçari ka ndaluar papritur. Kolegu ka shkuar në makinë dhe ka konstatuar se Najkolli kishte ndërruar jetë. Policia ka thënë se nga veprimet e kryera as për këtë rast nuk janë konstatuar shenja dëmtimesh apo dhune, ndërkohë që mjeti me targa të Ersekës ka qenë i ndezur, por shoferi kishte vdekur. Burimet e policisë kanë deklaruar se nga hetimet rezultoi se drejtuesi i mjetit kishte vdekur nga një atak kardiak, ndërsa në makinë u gjetën edhe disa medikamente. Sipas policisë, në vdekjen e të dy viktimave mund të ketë ndikuar edhe i ftohti.