Reshjet shtojnë rrezikun e aksidenteve në rrugën e Arbrit
Rritja e menjëhershme e temperaturave në zonën verilindore të vendit ka bërë që të normalizohet lëvizja e automjeteve edhe në akset më të thella rurale të Qarkut të Dibrës. Madje, gjatë ditës së djeshme, shenja dëbore duken vetëm në lartësitë mbi 2000 metra. Kështu, aktualisht nuk bëhet fjalë për ndonjë situatë problematike, në akset rrugore të qarkut përfshirë edhe atë Peshkopi-Lurë dhe Peshkopi-Kukës, ku lëvizja e automjeteve është plotësisht e normalizuar. Por vështirësi kanë krijuar punimet e lëna përgjysmë në ndërtimin e rrugës së Arbrit, segmenti Bulqizë-Shupenzë, prej 17 kilometrash, që janë kthyer në burim aksidentesh. Ky segment rrugor, ndarë në tre lote, sipas kontratës së nënshkruar midis firmave fituese dhe Drejtorisë së Përgjithësime të Rrugëve, duhet të përfundojë më 4 dhjetor të këtij viti, por realizimi këtyre punimeve edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se varion nga 50 deri në 60 për qind të tyre. Punimet e nisura në këtë rrugë prej gati një viti, kanë nxjerrë probleme për lëvizjen e automjeteve, por mos përfundimi i tyre në afat dhe afrimi i dimrit me reshje shiu dhe dëbore, ka shtuar dukshëm këto probleme. Kështu, gërmimet e dheut në shpatet tejet të pjerrëta të maleve kanë shkaktuar çarje dhe rrëshqitje të tyre, gjë që ka vënë seriozisht në rrezik lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve në këtë segment rrugor.