E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet, Berisha heq njerëzit e PD-së, fut LSI-në

Nga 8 emërimet e djeshme për zv-ministra, 6 prej tyre janë të LSI-së, një i PAA-së dhe një i PD-së


TIRANË - Ashtu siç ishte paralajmëruar, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë e përfaqësuar gjerësisht edhe në rang zëvendësministrash. Qeveria miratoi dje lirimin nga detyra të zv-ministrave, që përfaqësonin partitë e djathta, si Anton Gurakuqin, i cili fillimisht, përfaqësonte PDK-në pastaj doli fraksion, Aleksandër Garulin e PR-së dhe Nduke Prekën e PAA-së, duke i zëvendësuar me përfaqësues të LSI-së.


Gjatë 8 emërimeve të djeshme, 6 prej tyre janë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një i përket PAA-së dhe emërimi tjetër, ai në postin e zv-ministrit të Financave i përket PD-së.


Nga emërimet e djeshme, duket qartazi një zgjerim i përfaqësimit të LSI-së dhe tkurrje e partive të koalicionit të djathtë. Por, nëse për këta të fundit, Berisha është përpjekur të ruajë një balancë, duke hequr një përfaqësues të PR-së dhe duke emëruar një përfaqësues të PAA-së, për PD-në ka ndodhur e kundërta.


Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë liruar nga detyra plot tre zv-ministra, që i përkisnin PD-së. Madje me emërimet e reja duket se dikasteri më i rëndësishëm ai i Ekonomisë dhe Energjetikës nuk do të përfaqësohet në asnjë rang të lartë me përfaqësues të PD-së.


Me emërimin e një përfaqësuesi të ri të LSI-së, kjo e fundit do të ketë si ministrin, ashtu edhe zv-ministrin, ndërsa dy zv-ministrat e tjerë në detyrë janë një i PR-së, Neritan Alibali dhe Eno Bozdo emërim i PDR-së, para se kjo parti të shkrihej me PD-në. Në emërimet e reja është tkurrur edhe përfaqësimi i PR-së.


Në qeveri, PR-ja përfaqësohet me Fatmir Mediun si Ministër i Mjedisit dhe Neritan Alibalin si zv-Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës. Ndërsa është liruar nga detyra përfaqësuesi tjetër i PR-së, Aleksandër Garuli.


LSI-ja do të përfaqësohet në postin e zv-ministrit të Integrimit me kandidaturën e Edmond Hoxhës, duke liruar nga detyra Albert Gajon. Auron Meneri i PAA-së, emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në vend të Aleksandër Garulit. Ndue Preka, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, lirohet nga kjo detyrë, për t'u zëvendësuar më një tjetër përfaqësues të LSI-së Tokli K.Thomaj.


Marjeta Zaçe e PD-së do të zëvendësohet në postin e zëvendësministres së Punës, së Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nga Filloreta Kodra. Stavri Ristani i PD-së është zëvendësuar në postin e zv-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me Edmond Haxhinaston e LSI-së. Nora Malaj po e LSI-së do të jetë zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, një post ky i shtuar pasi aktualisht në Ministrinë e Arsimit ka dy zv-ministra. Edhe posti i Leonard Beqirit një tjetër përfaqësuesi të LSI-së do të jetë një post i shtuar, pasi aktualisht në këtë dikaster ka dy zv-ministra.


Ndërsa në Ministrinë e Punëve te Jashtme, me shkarkimin e Anton Gurakuqit nuk është bërë emërim i ri. Në këtë dikaster do të vazhdojë të jetë në postin e zv-ministres së Jashtme, Edit Harxhi.


Emërimi i zëvendësministrave nuk ka përfunduar, pasi mbeten bosh edhe disa vende në ministri të tjera, përfshi dhe njërin nga zëvendësministrat e Brendshëm, që besohet se Partia Demokratike nuk do t'ia japë asnjë aleati.

Zëvendësministër i Integrimit.
Lirohet Albert Gajo
Emërohet Edmond Hoxha

Zëvendësministër i Mjedisit
Lirohet Aleksander Garuli i PR-së
Emërohet Auron Meneri i PAA-së


Zëvendësministër i Bujqësisë
Lirohet Nduke Preka i PAA-së
Emërohet Tokli K.Thomaj i LSI-së


Zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale
Lirohet Marjeta Zaqe e PD-së
Emërohet Filloreta Kodra e LSI-së


Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit
Lirohet Stavri Ristani i PD-së
Emërohet Edmond Haxhinasto i LSI-së


Alfred Rushaj i PD-së, zëvendësministër i Financave.

Nora Malaj e LSI-së, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

Leonard Beqiri i LSI-së zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›