Vjedhja e votës, të majtë e të djathtë nesër në protestë
Rama, takim me drejtues të partive nga i gjithë spektri. Protestës do t'i bashkohen edhe sindikatat, pensionistët dhe minatorët
TIRANË - Koordinimi i një veprimi të përbashkët opozitar për të detyruar mazhorancën e djathtë që të pranojë kërkesën për hapjen e kutive të votimit në ato zona zgjedhore, ku dhe ka dyshime për manipulime, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët krerët e partive të majta: Edi Ramën, Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Erion Veliajn, Vangjel Dulen, dhe kreun e PDK-së Nard Ndoka, kreun e LZHK-së Dashamir Shehi, kreun e Partisë për Drejtësi dhe Ligj, Spartak Ngjelën, kreun e PBD-së Ylber Valterin, si dhe politikanët Preç Zogajn, Ndre Legisin dhe Mustafa Muçin.
Në takim, po ashtu kanë marrë pjesë edhe kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kole Nikolla, kreun e Sindikatës së Pensionisteve Isa Gorica dhe kreu i Sindikatës së Minatorëve Fiqiri Xibri.
Takimi është zhvilluar pa praninë e medias dhe në të, të gjithë të pranishmit pavarësisht se kanë parashtruar qëndrimet e tyre konform edhe interesave të subjekteve që përfaqësojnë, kanë mbështetur në mënyrë unanime protestën e thirrur nga Partia Socialiste ditën e shtunë.
Megjithatë, në diskutimet që janë zhvilluar për gati një orë, drejtues të forcave politike dhe sindikatave e kanë parë të arsyeshme që të ngrenë edhe shqetësimet e tyre që lidhen si me objektivin, që duhet të arrihet ashtu edhe për kërkesa të karakterit ekonomik, siç janë ato të sindikatave.
Kështu, mësohet se tre drejtuesit partive të djathta, Ndoka, Ngjela dhe Shehi, si dhe ish-anëtari i kryesisë së LSI-së Ndre Legisi, i pranishëm në këtë takim, megjithëse kanë shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e PS-së, kanë kërkuar prej kreut të saj, Edi Rama, garanci lidhur me reformën e domosdoshme zgjedhore për të rikuperuar ato dëmtime që pësoi sistemi zgjedhor gati një vit më parë.
Ndërsa edhe një herë përfaqësuesit e partive të spektrit të djathtë, i kanë bërë të qartë Ramës vendimin e tyre të marrë dy ditë më parë, për të mbështetur politikisht protestën, por duke mos detyruar askënd prej forcave të tyre që të marrin pjesë fizikisht në të, pra duke ia lënë gjithsecilit në ndërgjegjen e vet.
Një vendim ky që duket se ka vlerë vetëm për protestën e parë, pasi siç kanë konfirmuar edhe vet pas takimit drejtuesit e këtyre forcave, ata do të marrin pjesë në mitingjet e mëtejshme që janë programuar për t'u mbajtur në qytete të ndryshme. Ndërsa sindikatat kanë kërkuar nga PS-ja që të angazhohet totalisht për realizimin e kërkesave dhe mbrojtjen e interesave të tyre.
Protesta
Sa i përket protestës së ditës së nesërme, ajo është lënë të që të organizohet nga strukturat e PS-së, ndërsa pas saj pritet që të zhvillohen protesta të njëjta edhe në ato qytete, ku dhe ka pretendime për vjedhjen e votës, siç është Berati, Durrësi apo Shkodra.
Përsa i përket manifestimit të së shtunës është rënë dakord, që ai të zhvillohet nën moton "Dua të shoh votën time" dhe parullat që do të hidhen do të kenë në qendër të tyre vetëm problemin e zgjedhjeve dhe jo çështjet e tjera, pavarësisht interesave të ndryshme që mund të kenë grupet pjesëmarrëse dhe mbështetëse të tij.
Ndërkohë që në takim është rënë dakord që të hartohet dhe një platformë veprimi e përbashkët me kërkesat dhe objektivat që duhet të arrihen nëpërmjet kësaj lëvizje opozitare. Për hartimin e saj mësohet se është ngarkuar kreu i PSD-së Skënder Gjinushi.
Sipas Ramës, çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë, është i destinuar të përfundojë keq.
Rama: Protestat do të përshkallëzohen në të gjithë vendin
TIRANË - Kreu socialist, Edi Rama, ka dalë edhe më i vendosur dje nga tryeza e bisedimeve me aleatët e tij natyralë dhe ata të rinj, për të vazhduar luftën për rikthimin e institucionit të votës, që sipas socialistëve u dhunua më 28 Qershor.
Duke folur për gazetarët, fill pas këtij takimi, shefi i selisë rozë është shprehur krenar që vendimi i forcës së tij për të mos njohur institucionet e dala nga vota e 28 qershorit ka gjetur mbështetjen edhe të gjitha partive dhe grupeve të tjera jopolitike që gjenden në opozitë me qeverinë e djathtë.
"Unë jam shumë i kënaqur që rruga jonë e mos hyrjes në Parlament dhe e rezistencës demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi përmes protestave, nuk është vetëm rruga e PS-së, por është rruga e asaj shumice të madhe që sot përfaqësohej në tavolinën ku ne u takuam.
Është një rrugë që nis të shtunën pasdite, në këtë bulevard dhe që nuk mbaron, por përkundrazi vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Shqipërisë", - tha Rama në fjalën e tij pas kësaj tryeze, duke shprehur gjithashtu vendosmërinë për të mos lejuar që vendi të merret peng dhe të kthehet në pronë të atij që qeverisë. Kështu Rama ka bërë të qartë se çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë, jo nga vullneti i lirë, është i destinuar të përfundojë keq.
Edi Rama:
"Jam shumë krenar që vendimi ynë për mos hyrjen në Parlament nuk përfaqëson thjesht Partinë Socialiste, por përfaqëson shumicën e shqiptarëve, majtas e djathtas që janë grabitur në 28 qershor dhe që përmes gjithë përfaqësuesve të tyre, qofshin përfaqësues politikë apo përfaqësues të interesave dhe grupeve të ndryshme, shprehën qëndrim të palëkundur ndaj këtij Parlamenti pa legjitimitet deri në plotësimin e kërkesave legjitime që kanë të bëjnë me transparencën e një proces zgjedhor të turpshëm, pa standarde.
E një procesi zgjedhor që nuk është një proces zgjedhor që bëhet në një vend anëtar të NATO-s, një vend që troket në BE, një vend ku jetojnë qytetarë e qytetare të Evropës nga Tropoja në Konispol".
Spartak Ngjela:
"Qëllimi i takimit ishte që edhe ne të spektrit të djathtë t'i japim mbështetjen dy pikave esenciale të kohës: bojkotit dhe protestave. Mendimi ynë ishte që vetëm bojkoti dhe protestat janë mjeti efikas për të risjellë demokracinë e sistemin liberal në demokraci.
Sot në këto momente, që ka marrë fund gjithçka, që shteti është uzurpuar, ky është i vetmi solucion, d.m.th. bojkot dhe protesta, protesta të forta madje. Ne vendosëm që në këtë protestë meqenëse ishte e thirrur vetëm nga një parti, gjithsecili mund të shkojë. Kurse tek të tjerat, patjetër që do të marrim pjesë".
Ndre Legisi:
"Shkëputja jonë nga LSI-ja ka ndodhur që me refuzimin e kërkesës së një grupi anëtarësh të kryesisë së LSI-së, se nëse Meta e LSI-ja do të bashkëpunonte me Berishën, ne nuk do të ndiheshim më anëtar të LSI-së e për pasojë mbeteshim socialistët. Si të tillë, jemi përfaqësuar edhe në këtë takim.
Duhet të ketë një fund edhe kjo gjë e unë mendoj që ka ardhur koha që t'i vijë fundi edhe momentit të vjedhjes së votave të shqiptarëve, e numërimit të votave, ashtu siç e do populli qeverisjen e jo të marrin vota nga e majta e të qeverisin nga e djathta".
Erion Veliaj:
"Ka disa cinikë që kujtojnë se bëhet fjalë për një protestë, për ca kuti kauçuku me ca letra brenda. Në fakt, kur një njeri voton, voton aspiratën dhe ëndrrën e vet për të ndryshuar disa gjëra, kështu që nuk guxon njeri që të thotë që ne do të djegim kutitë me ëndrrat e shqiptarëve, sepse kjo do të ishte e pafalshme.
Ndaj i ftojmë gjithë të rinjtë shqiptarë, ndaj unë besoj që askush nuk guxon t'u thotë të rinjve shqiptar që ju nuk do ta ëndërroni më, sepse babi i Argitës dhe i Shkëlzenit do ëndërrojë vetëm për fëmijët e vet".
Fiqiri Xibri:
"Mbështesim protestën e votës së PS-së për arsye sepse pas marrëveshjes që bëmë me Partinë Socialistë përpara zgjedhjeve, shumica dërrmuese e minatorëve kanë votuar për PS, ndërkohë që vota e PS është vjedhur. Vota e vjedhur është votë që i është vjedhur minatorëve, që i është vjedhur statusit të minatorëve, prandaj ne e mbështesim totalisht protestën e ditës së shtunë".
Paskal Milo:
"Dëshiroj të theksoj dhe njëherë tjetër, që ditën e shtunë ne nuk do të dalim këtu në bulevard për të rrëmbyer pllakat e bulevardit, për të sulmuar institucionet, as nuk do të dalim me vete me shishe molotovi që të godasim zyrën e kryeministrit, por përkundrazi, do të dalim me një mesazh shumë të qartë, paqësor të qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që të ndalet deformimi i votës dhe i vullnetit të tyre politik njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Do të kërkojmë që Shqipëria të jetë përfundimisht një vend demokratik, ku çdo qytetar ta ndiejë veten e vet zot të votës së vet e të vullnetit të vet politik".
Është një shqetësim politik, është një shqetësim shoqëror, i cili shpresojmë që të na çoj në ato lëvizjet e duhura që do krijojnë premisat për daljen nga impasi politik në të cilin ndodhet vendi.
Nuk është momenti për veshë të shurdhra, është momenti i cili kërkon kompromise të guximshme, historike, të cilat do kenë në fokusin e tyre interesat strategjike të vendit, jo interesat mikro partiake të momentit.
Vangjel Dule:
PBDNJ-ja që në momentet e para të zgjedhjeve të 28 qershorit, që ka shprehur shqetësime shumë jetike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhe natyrisht që është pjesë e këtij shqetësimi.
Është kënaqësi që rrethi i politikanëve dhe i forcave politike që janë të shqetësuara për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit është duke u shtrirë, dhe duke u konsoliduar. Kjo provon vërtetësinë e shqetësimeve tona që në momentet e para.
Skënder Gjinushi:
Ka një bashkim të majtë, të djathtë, të të gjithave forcave, që janë për një demokraci të vërtetë, që janë për rikthimin e votës së lirë. Kujtoj që tavolina e mbledhur sot dhe që i bën apel qytetarëve për protestë të shtunën, këtu në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" , përfaqëson 900 mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 28 Qershorit. Pra, protesta nuk bëhet në emër të humbësve.
Bëhet në emër të atyre që përfaqësojnë shumicën e popullit shqiptar e që padrejtësisht ndodhen në opozitë nga deformimi i votës dhe nga shitja e votës që ka bërë LSI-ja. Prandaj PSD-ja do të jetë një faktor aktiv në këtë front të krijuar për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri.