Një polic dhe një emigrant vrasin veten në Vlorë
VETËVRASJA/ Burime nga policia shprehen se po hetohet lidhur me ngjarjet
VLORË - Një efektiv i policisë kufitare pranë portit Vlorë është gjetur i vetëvrarë me një plumb në kokë, veprim që e ka kryer në banesën e vet.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të djeshëm pranë kabinave trekatëshe të Plazhit të Vjetër, ku edhe banonte. Siç mësohet, 46-vjeçari Bujar Bufasi kishte qenë me shërbim gjatë orëve të natës pranë portit të Vlorës, ku edhe ndodhet pika e kalimit kufitar. Në orën 7:00 ai ka lënë shërbimin dhe është kthyer në shtëpi.
Pasi ka ndërruar uniformën, 46-vjeçari ka ndenjur pak momente dhe i ka thënë bashkëshortes të shkonte të pinte kafen e mëngjesit nga fqinja, pasi edhe vetë do të dilte jashtë të pinte një cigare. Vetëm pak momente pasi gruaja ka lënë shtëpinë, është dëgjuar një krismë nga brenda banesës.
Krisma e dëgjuar shumë pranë ka ngritur instinktivisht gruan, e cila ka vrapuar drejt banesës. Bufasi është gjetur në momentet e fundit të jetës nga bashkëshortja dhe një nga fqinjët, ku ky i fundit ka nxituar të hyjë brenda sapo ka dëgjuar ulërimat e gruas. Siç ka deklaruar fqinji, burri ishte i veshur me tuta sporti dhe ulur ne kolltuk.
Ai është gjetur në grahmat e fundit, por ka qenë e pamundur ndihma, pasi shumë shpejt ka ndërruar jetë. 46-vjeçari jetonte prej gati 15 vitesh në kabinat e Plazhit të Vjetër.
Momentalisht ai jetonte në katin e parë të një prej godinave trekatëshe, ish-kabina për plazhistët. Banorë të zonës pohojnë se efektivi ishte njeri pa probleme dhe nuk kanë ditur të shpjegojnë aktin. Policia tha se Bufasi ka përdorur armën e shërbimit, ndërsa ende nuk dihen motivet që e kanë çuar 46-vjeçarin drejt vetëflijimit.
Policia vijon hetimet për shkaqet që kanë çuar në këtë ngjarje. Kolegë të efektivit nuk kanë fshehur faktin se 46-vjeçari konsumonte ndonjëherë alkool, duke dyshuar për ndonjë gjendje depresive të momentit. Bufasi ishte i martuar dhe kishte dy djem, njëri në emigrim në Greqi dhe tjetri në Shqipëri.
Një tjetër vetëvrasje është shënuar në fshatin Kaninë të Vlorës. Një 48-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke përdorur litarin. Ngjarja është shënuar në orët e mëngjesit. Mësohet se Sotir Mimaj është gjetur i vetëvarur në një pemë në afërsi të Kalasë së Kaninës, zonë pranë së cilës kishte dhe shtëpinë.
Familjarët pasi kanë gjetur trupin e pajetë, kanë lajmëruar efektivët e policisë. Ata kanë marrë në pyetje familjarët dhe të njohur, dhe mendohet se një ndër shkaqet mund të jetë depresioni. Mimaj prej shumë vitesh ishte emigrant në Itali. Ai ishte i martuar me dy fëmijë. A.Peçi