Emërimet, Berisha ndryshon 3 prefektë e 2 zv.ministra
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria vendosi që të ndërrojë Prefektin e Durrësit, Fierit dhe Lezhës. Njëkohësisht u emëruan dy zëvendësministra të rinj. Bëhet fjalë për Nikollë Lesin, i cili do të jetë zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, si dhe Bardhi Spahia, i cili zëvendësoi Arben Ivanaj nga posti i zëvendësministrit të Shëndetësisë
Emërime të reja në poste të larta. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është marrë vendimi për zëvendësimin e tri prefektëve, si dhe të dy zëvendësministrave. Në kuadër të marrëveshjes në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Qarku i Fierit do të drejtohet nga LSI. Kështu nga emërimet është liruar nga detyra prefekti i Durrësit, Klodian Pajuni. Ai është zëvendësuar nga Genci Alizoti, i cili do të drejtojë këtë prefekturë në vazhdim. Rauf Troka është liruar nga detyra e prefektit të Qarkut të Fierit dhe në vend të tij ka ardhur Bujar Hasaj, i cili përfaqëson LSI-në.
Njëkohësisht Kryeministri Sali Berisha ka vendosur në krye të Prefekturës së Lezhës, Pal Dajçin, ish-deputet për 2 mandate të Partisë Demokratike në Kurbin. Në Lezhë nuk kishte një prefekt deri në emërimin e Dajçit.
Për sa u përket ndryshimeve të tjera, bëhet fjalë për dy ndërrime në kabinet. Nikollë Lesi është emëruar si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky vend ishte bosh pas largimit të Ekrem Spahisë tek Ministria e Mbrojtës si zëvendësministër. Lesi është kryetar i LDK-së, një parti e cila ishte aleate e PD-së në zgjedhjet e fundit.
Një tjetër ndryshim ka ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë. Zëvendësministri i kësaj ministri, Arben Ivanaj, është liruar nga detyra. Ai do të zëvendësohet nga Bardhi Spahia, i cili do të shërbejë në këtë detyrë në vazhdim.
Mësohet se në vijim do të ketë ndryshime të tjera, pasi pritet që shumë prej aleatëve të Partisë Demokratike të marrin postet në bazë të bisedimeve.
Deri tani një pjesë e aleatëve të Partisë Demokratike kanë marrë poste në bazë të kontributit të tyre në zgjedhjet e fundit. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të ndajë pushtetin me aleatët e tij, por gjithnjë në bazë të meritës së gjithsecilit. Deri tani në kabinet janë përfaqësuar disa aleatë. Krahas marrëveshjes me LSI-në e cila mori 20 për qind të posteve ministrore dhe posteve të larta, në qeveri u përfaqësua me ministër edhe Partia Republikane, e cila drejton aktualisht Ministrinë e Mjedisit me kryetarin e saj, Fatmir Mediu.
Emërimet
Klodian Pajuni lirohet nga detyra e prefektit të Qarkut të Durrësit.
Genci Alizoti emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.
Rauf Troka lirohet nga detyra e prefektit të Qarkut të Fierit.
Bujar Hasaj emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Pal Dajçi emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës.
Nikollë Lesi emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Arben Ivanaj, zëvendësministër i Shëndetësisë, lirohet nga kjo detyrë.
Bardhi Spahia emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë.