E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS të vijë në Kuvend për heqjen e imunitetit



Një mundësi e artë që PS të tregojë se është pro heqjes së imunitetit të deputetëve, është hyrja në Kuvend për të dhënë votën për këtë çështje. Pas deklaratave të bëra dje nga ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka shprehur vullnetin e mazhorancës për të bërë të mundur këtë gjë. Por, ai ka shtuar se vetëm me këtë vullnet nuk bëhet i mundur ky hap, pasi duhet konsensusi i opozitës për të plotësuar votat që do të ndryshonin Kushtetutën, e cila i mbron deputetët nga imuniteti. “E përshëndes deklaratën e ambasadorit Withers, për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Dua t’ju siguroj se ne jemi të hapur në çdo moment ta realizojmë edhe nga pikëpamja institucionale, por për këtë duhet edhe mirëkuptimi i opozitës, sepse është një veprim shumë i rëndësishëm. Në çdo moment që opozita do të jetë gati dhe do të japë mbështetje për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, jam absolutisht i sigurt që mazhoranca do ta avancojë këtë proces, pasi ka shprehur vullnetin e saj për t’i hapur rrugë drejtësisë për çdo çështje që ka të bëjë me hetimin e cilitdo, përfshi edhe ata që gëzojnë sot imunitet”, - u shpreh Meta dje në një konferencë për shtyp. Ndërkaq, kreu i LSI-së ka shtuar se opozita ka të gjitha hapësirat për dialog apo hetim, por pa suprimuar sipas tij, pushtetin gjyqësor, që në këtë rast është shprehur për zgjedhjet. “Mazhoranca ka afruar të gjitha mundësitë dhe hapësirat që lejon sistemi ynë kushtetues dhe institucional dhe askush nuk duhet të kërkojë nga një mazhorancë që të ndryshojë thelbin e këtij sistemi, i cili ka të bëjë me pavarësinë e pushteteve, ku element kyç mbetet pavarësia e gjyqësorit . Gjithçka tjetër është e hapur për t’u diskutuar dhe për t’u zgjidhur me dialog. Ju i keni ndjekur dhe transmetuar qëndrimet e mazhorances dhe qeverisë për krijimin e te gjithë hapësirave që ekzistojnë brenda sistemit tonë, për të adresuar çdo pretendim të përfaqësuesve të opozitës”, - theksoi Meta. Në këtë konferencë ai kishte si kryefjalë vlerësimin për raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it, i cili rrëzonte pretendimet e opozitës për manipulime në zgjedhje dhe i bënte thirrje të hapur asaj që të kthehej në Kuvend, duke u bërë kështu një opozitë konstruktive. “Përfitoj nga ky rast për të shprehur angazhimin dhe përkushtimin e palëkundur të qeverisë së Shqipërisë për të adresuar të gjithë problematikën që ngrihet në qëndrimin e partnerëve tanë, si dhe angazhimin tonë të plotë për të adresuar të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, me qëllim që zgjedhjet e tjera të jenë plotësisht të standardeve më të larta evropiane”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›