E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Imuniteti, jo strehë për të inkriminuarit

"Zyrtarët e lartë që akuzohen nga drejtësia duhet të vihen në bankën e të akuzuarve dhe jo të ngrihen në detyra të larta shtetërore për t'i shpëtuar këtij procesi"

TIRANË- I zhveshur nga gjuha diplomatike, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhohn Withers, i pranishëm në një konferencë për Integritetin, i ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit të vendit Sali Berisha që të kalojë nga stadi i deklaratave, në vepra konkrete sa i përket zhveshjes së politikanëve dhe pushtetarëve nga imuniteti.


Duke folur pikërisht për integritetin, si një vlerë që duhet të mbizotërojë tek çdo individ, që merr përsipër të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve, diplomati amerikan ka theksuar nevojën, që ka lindur në kushtet e Shqipërisë që imuniteti të mos përdoret si mjet abuziv për të mos u përballur me ligjin dhe për të mos dhënë llogari për jetën publike. "Pra, saktësisht, çfarë do të thotë që një zyrtar publik të udhëheqë me integritet?


Për mua, do të thotë të pranosh përgjegjësinë për veprimet e tua dhe të bësh gjënë e duhur kur ndodhesh përballë vështirësive. Të kesh kurajën për t'u ngritur në këmbë dhe për të thënë, "Unë duhet të jap llogari për" apo "Unë jam përgjegjës për" apo "Kërkoj të falur."


Do të thotë të mos fshihesh pas petkut të ligjit për të mbrojtur interesat e tua vetjake", - tha Withers. Në vijim të kësaj logjike, ai ka theksuar se sot pas gati 20 vite demokraci është e nevojshme për Shqipërinë, që politikanët e saj, apo çdo drejtues në çfarë do niveli, të mund të jenë të barabartë para ligjit për tu hetuar dhe për tu gjykuar, pavarësisht pozicionit, që ai mban në administratë.


"Të gjithë e dimë që ato dispozita u miratuan në fazat e para të zhvillimit demokratik në Shqipëri, kur ndoshta nevoja për t'i mbrojtur këta zyrtarë nga abuzimi prej sistemit të drejtësisë penale për qëllime politike e justifikonte dhënien e imunitetit.


Megjithatë, Shqipëria ka ecur përpara dhe tani duhet të vendosë drejtpeshim midis kësaj mbrojtjeje nga një anë dhe nevojës absolute nga ana tjetër për të bërë që zyrtarë të lartë të korruptuar apo me përgjegjësi të tjera penale të japin llogari për veprimet e tyre", - tha më tej ambasadori amerikan në Tiranë.


Sipas tij, imuniteti nuk duhet të shërbejë për t'iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë, apo për të abuzuar me pushtetin. Për këtë arsye, Withers duke cituar një shprehje të Zv- Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane, Stuart Xhons mbajtur disa ditë më parë në Komitetin e Helsinkit në SHBA, ka vlerësuar se është e domosdoshme që zyrtarët e lartë që akuzohen nga drejtësia duhet të vihen në bankën e të akuzuarve dhe jo të ngrihen në detyra të larta shtetërore për t'i shpëtuar këtij procesi.


"Ajo çka Z. Xhouns donte të thoshte ishte që imuniteti nuk duhet të ofrojë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penale në gjykata, dhe as një shtysë për ata që gjykohen nga gjykatat që të kërkojnë apo të mbajnë poste të larta qeveritare.


Donte të thoshte që imuniteti nuk duhet të minojë perceptimin e publikut për integritetin në sistemin gjyqësor dhe politik", - tha Ëithers duke lënë të kuptohet qartë se bëhej fjalë pikërisht për rastin e ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili u rivesh me imunitetin e deputetit dhe atë të Ministrit të Mjedisit, duke bllokuar gjykatën, që të vijojë gjykimin e saj rreth akuzave të ngritura ndaj tij për çështjen e "Gërdecit". Widhers i ka kujtuar shefit të qeverisë, që deklaratat që ai ka bërë lidhur me çështjen e imunitetit t'i kthejë në vepra.


"Disa muaj më parë, Kryeministri Berisha tha, 'Duhen bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që Shqipëria të shkatërrojë murin e imunitetit' Pikëpamjen dhe ndjenjën e Kryeministrit mbi këtë çështje vetëm mund ta duartrokasim dhe shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në një të ardhme jo të largët. Me deklarata të tilla, Kryeministri, në fakt, tregoi që ai e njeh integritetin si një cilësi të udhëheqësisë. Kryeministri tregon se e kupton që të udhëheqësh me integritet do të thotë që interesat e qytetarëve duhet të vihen të parat dhe jo të fundit", - tha më tej ambasadori Withers.


Gjatë legjislaturës së shkuar, mazhoranca e djathtë bëri disa përpjekje të njëanshme për të kufizuar me ligj imunitetin e deputetëve por pa mundur që të hedhë një hap konkret në këtë drejtim. Në fund të legjislaturës, dy grupet e mëdha parlamentare ranë dakord në konferencën e kryetarëve, që të ngrinin një grup pune për të hartuar propozimet konkrete për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, por pa mundur që të nxjerrin një produkt.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›