E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS miting në Shkodër, Rama: Shqipëria në diktaturë

Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së Edi Rama ishte i ashpër me kryeministrin Berisha, duke e quajtur një sekretar ordiner të Enver Hoxhës.

“Por Shkodra nuk e rrëzoi regjimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, për të mbajtur në kurriz 20 vjet më vonë regjimin e diktakturës korruptive të një sekretari ordiner të partisë së Enver Hoxhës”, tha Rama. Shefi i opozitës, tha më tej se e vërteta që fshihet në kutitë e 28 qershorit, nuk mund të kthehet në katastrofë për Shqipërinë.

“Nëse ky pushtet nuk hap kutitë e votimit, do të mbyllet një herë e mirë në kutinë e turpit dhe nuk do të jetë pushteti që do qeveris qeverinë dhe shqiptarët. Ajo që ne kërkojmë është një e drejtë elementare, e drejta e çdo qytetari dhe qytetareje në demokraci për të parë votën e vet, në dritën e diellit, për ta parë votën e vet në bazë të së drejtës që i jep ligji dhe të drejtës që i jep Zoti, sepse vota është investimi i secilit për të ardhmen e vet, sepse ato vota që janë në kuti, nuk janë pasuri e Sali Berishës, por janë  pasuria e çdo shqiptari e shqiptareje”, theksoi lideri socialist.

Ai shtoi më tej, se nuk kërkonte të përmbyste me dhunë një pushtet të dalë nga dhunimi i votës, “por kërkojmë që dhunimi i votës të mbaroj bashkë me këtë pushtet dhunuesish”. Rama paralajmëroi se më 20 nëntor do të zhvillohet mitingu i radhës në Tiranë. “20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike, për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor. Në 20 nëntor, jo vetëm ju që jeni këtu, por së bashku të gjithë, me fqinjtë, miqtë tuaj, me të afërmit, dhe së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini me çdo mjet, në Tiranë, në sheshin “Skënderbej” për një manifestim të paharrueshëm, në emër të lirisë, që na e ka dhënë jo Sali Berisha, por që na e ka dhënë Zoti dhe e drejta jonë e fituar, në një përpjekje kundër një diktature e cila nuk mund të rikthehet si hije në rrugën tonë”, vijoi ai.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›