E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet, Kondi: Kuvendi nuk mund ta detyrojë Presidentin

 Projekt-ligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë parashikon që Presidenti para dekretimit të emrave për anëtar të kësaj gjykate, të marrë pëlqimin e kuvendit. Por ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, thotë se kjo nuk parashikohet në Kushtetutë.

"Presidenti para dekretimit duhet të bëjë konsultime të gjera. Është një debat i hapur nëse duhet të merret pëlqimi paraprak nga Kuvendi në mënyrë formale. Unë mendoj se Kushtetuta nuk e kërkon një pëlqim paraprak, por secili insitucion duhet të bëjë si duhet punën e vet. Nëse Presidenti ka bërë një zgjedhje të përshtatshme dhe është i bindur dhe këtë bindje e ka krijuar nga shqyrtimi i kandidaturave, patjetër që Parlamenti do ta ketë të vështirë që ti rrëzojë kandidaturat", tha Thimio Kondi, ish kryetar i Gjykatës së Lartë.

Sipas Thimio Kondit, procesi i kandidaturave duhet të bazohet në karriere. Pjesa më e madhe e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të vijnë nga gjyqësori dhe një pjesë e vogël, nga komuniteti i juristëve të shquar.

"Duhet vendosur dhe një përqindje e caktuar, sa do të vijnë nga rradhët e karrierës gjyqësore dhe unë mendoj se shumica dërrmuese duhet të vijë nga rradhët e karrierës gjyqësore sepse dhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë është gjyqtar dhe duhet ti njohë shkallët më të ulëta të gjykimit", thotë Kondi, cituar nga “AS”.

Ministria e Drejtësisë, me asistencën e misionit të BE-së Euralius, ka hartuar një projekt-ligj për Gjykatën e Lartë, i cili para se t'i kalojë Kuvendit po diskutohet me grupet e interesit. Drafti parashikon jo vetëm shtim të numrit të gjyqtarëve, shtimin e kolegjit administrativ, por kërkon edhe një konsensus nga partitë për emërimin e çdo gjyqtari. /Start/

                                                                                             2012-06-18 16:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›