E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet në arsim, vetëm në shtator mbi 300 kërkesa të reja



Mbi 300 kërkesa të reja për tu punësuar si mësues janë depozituar vetëm për muajin shtator në Drejtorinë Arsimore të Tiranës për këtë vit shkollor. Kjo shifër bëhet e ditur nga shefja e burimeve njerëzore në këtë drejtori Violeta Kruja, e cila sqaron se kërkesat e reja janë hedhur në regjistër, por emërimi është ende larg. Sipas saj, përpara emërimit, secili prej tyre duhet të qëndrojë disa kohë në dispozicion, proces ky që nuk ka një afat të përcaktuar kohor. Shanset që këta mësues të rinj të punësohen gjatë këtij viti shkollor janë të pakta. Aktualisht, në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë rreth 4 mijë dosje të plotësuara nga mësues, që presin të punësohen, apo të transferohen diku tjetër. Kjo shifër është mjaft e lartë po të kemi parasysh se çdo vit dalin nga auditorët një numër i madh të diplomuarish. Praktika që ndiqet deri tani, ka të bëjë me takimin në Drejtorinë Arsimore çdo të enjte nga mësuesit, që presin që t’u vijë radha e punësimit. Por ka dhe nga ata që kanë vite që presin të marrin një emërim, midis të cilëve gjen edhe nga ata të sapodiplomuarit, të cilët e kanë shënuar rishtazi emrin në listën e gjatë të punëkërkuesve. Ndërsa mësues të punësuar në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë 4700.
Punësimi
Mësues në Tiranë mund të punësohesh vetëm nëse ndonjë nga arsimtarët del në pension. Ky fakt pohohet edhe nga vetë drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjana Bekteshi, e cila shprehet se kërkesat për tu punësuar në arsim nuk shkojnë në përpjesëtim të drejtë me ofertat. Madje, Bekteshi sqaron edhe arsyet e këtij fluksi të madh kërkesash, që sipas saj më kryesoret janë: ulja e numrit të lindjeve si dhe transferimi i shumë banorëve për në kryeqytet. “Vende të lira ka jashtëzakonisht pak, sepse numri i lindjeve sa vjen dhe ulet. Vendet për punë që hapen këtu janë vetëm kur dikush del në pension”, - shprehet Bekteshi. Sipas saj, duke rënë numri i lindjeve bie edhe numri i nxënësve. Për pasojë dalin mësues tepër dhe nuk krijohen vende të lira. Numrin e lartë të kërkesave për tu punësuar në arsim Bekteshi e sqaron me faktin se aty nuk vijnë vetëm kërkesat të reja, por kërkesat janë të trashëguara. Për këtë drejtoresha Arjana Bekteshi pohon: “Të gjithë janë shpërngulur drejt Tiranës për arsye nga më të ndryshmet dhe të gjithë ata që mbarojnë shkollën e lartë sjellin dokumentet këtu. Kërkesat janë të shumta, ndërsa mundësitë nuk janë të mëdha”.
Emërimi
Arjana Bekteshi sqaron se emërimi i mësuesve do të bëhet sipas udhëzimit të dërguar nga Ministria e Arsimit. Sipas këtij udhëzimi, mësuesit do të mund ta kenë ketë titull përfundimtar nëse kanë arritur të përfundojnë me sukses dy kontrata të njëpasnjëshme pune. Skema e re e përgatitur nga Ministria e Arsimit parashikon një periudhë fillestare si “prove” për arsimtarët dhe një tjetër paksa më të gjatë, e cila gjithashtu do të shërbejë si provë për tu emëruar. Kështu, nëse ata arrijnë t’i kalojnë me sukses të dyja provat, do të mund të marrin emërimin definitiv me të drejta të plota. Skema parashikon që gjithsej, mësuesi fillestar të nënshkruajë dy kontrata pune gjatë 4 vjetëve, një kontratë 1-vjeçare dhe tjetrën 3-vjeçare. E para, do të jetë 1-vjeçare, dhe vlen për mësuesit, të cilët sa kanë dalë nga auditorët. Nëse ata arrijnë ta kalojnë me sukses këtë periudhë prove, atëherë ata do të mund të nënshkruajnë kontratën e dytë, e cila përkon me fazën e dytë të skemës për emërimin e arsimtarëve. Ndryshe nga kontrata e parë, e dyta do të zgjasë 3 vjet. Nëse sërish arsimtarët arrijnë që ta kalojnë me sukses edhe këtë provë, i vjen radha fazës së tretë dhe të fundit të skemës që është emërimi. Kështu, vetëm pas 4 viteve “provë” mësuesit do të mund të marrin emërimin definitiv të tyre, çka i bën ata deri diku të pacenueshëm. Paprekshmëri kjo që mund të sigurohet vetëm nëse mësuesit zbatojnë misionin e tyre në përputhje me ligjet dhe udhëzimet ne fuqi. Në të kundërt, pra nëse ligjet shkelen, strukturat e arsimit parauniversitar, kanë të drejtë të marrin masa ndëshkimore ndaj tyre.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›