Drejtoritë Arsimore do të tërheqin sot formularët A3
Jonida Tashi
Të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend do të tërheqin sot në Agjencinë Kombëtare të Pranimeve (APRIAL) formularët A3. Ndërkohë, duke filluar që nga dita e nesërme, kandidatët për student duhet të nisin plotësimin e tij, sipas afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Drejtori i APRIAL-it, Federik Shalsi, bën të ditur se aktualisht, janë printuar 3100 formular, numër ky i përcaktuar nga vetë kërkesat e paraqitura nga maturantët për plotësimin e tij. Kandidatët, që kanë konkurruar për të ndjekur studimet e larta këtë vit, por nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009 duhet të paraqiten në drejtoritë përkatëse për të tërhequr formularin A3 që nesër. Për këta kandidatë, MASH-i ka vendosur pesë ditë afat për tërheqjen e formularit A3, duke filluar nga data 22-26 tetor.
Ndërrimi i degës
Ndërsa të gjithë ata studentë, që aktualisht kanë fituar një të drejtë studimi në universitete dhe dëshirojnë ta ndërrojnë atë në kuadër të rishpërndarjes së afro 4 mijë kuotave vakante, duhet të dorëzojnë deri të mërkurën pasdite një kërkesë pranë Agjencisë Kombëtare të Pranimeve (APRIAL). Pasi të shqyrtohen kërkesat e depozituara në APRIAL, studentët që nuk janë të kënaqur me degën që kanë fituar, do të aplikojnë formularin A3 pranë drejtorive dhe zyrave arsimore në vend. Nëse këta studentë nuk fitojnë gjatë fazës së tretë degën e dëshiruar, ata do të vijojnë studimet në degën ku janë shpallur fitues. Të njëjtën procedurë duhet të kryejnë edhe kandidatët që: Janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në universitete në vitin akademik 2008-2009; Kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në universitete; Kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008. Ora 18.00 e datës 22 tetor është afati i fundit për tërheqjen e formularit A3 në APRIAL, për kandidatët e mësipërm.
Dorëzimi
Formulari A3, pasi të plotësohet nga kandidatët, duhet të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është tërhequr. DAR/ZA-t duhet të dorëzojnë në në APRIAL formularët A3 të plotësuar në datën 28 tetor 2008. Formulari A3 përmban të gjitha kuotat e përcaktuara për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Pas përfundimit të aplikimit, APRIAL përpunon të dhënat e marra nga formularët A3 dhe në datën 5 nëntor 2008 shpall listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit. Pas kësaj procedure, MASH-i do të dorëzojë në datën 6 nëntor, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues sipas programeve përkatëse të studimit, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione duhet të afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre.
21 Tetor 2008